Sulmet terroriste në aeroportin e Kabulit e kanë shtuar akoma më shumë interesin për një nga zhvillimet më të bujshme jo vetëm të këtij viti. Pamjet e asaj që po ndodh në Afganistan do futen në histori dhe do kenë implikime të forta jo vetëm në SHBA.
Por ndërkohë bie në sy se kryeministri shqiptar, Edi Rama, e ka shtuar intensitetin e daljeve në median perëndimore, për të folur për krizën e refugjatëve që ka prodhuar situata në Afganistan. Qëllimi i tij është i qartë, njësoj si në fillimet e karrierës së tij kur ishte agresiv me daljet në mediat e huaja me fabulat për ngjyrat dhe artin (media perëndimore ‘vdes’ për klishe të tilla), ai po synon të tregojë se është i preferuari i Perëndimit në Tiranë.
Po e dini se kush ishte tjetër ‘djali’ i dashur i medias, OJQ-ve dhe qeverive perëndimore? Presidenti afgan, Ashraf Gani, që do mbahet mend për arratisjen nga pallati presidencial në Kabul me të paktën 169 milionë dollarë në thasë. Ai ishte figura ideale që mbështet Perëndimi. I shkolluar në Kolumbia, Harvard dhe Stanford, ai e kishte ‘eksituar’ plotësisht botën e OJF-ve kur publikoi librin “Si të ndreqësh shtetet e dështuara”. Ironia e solli që vetë të shkatërronte një shtet plotësisht, ndërsa sipas një ish-ministri të tij, që tani shpërndan pica në Gjermani, përgatitjet për arratisjen me thasët e mbushura me para kishin nisur shumë herët.
Sipas politologut Tho Bishop, Gani ndërtoi në vendin e tij një kleptokraci ku pushteti punonte vetëm për oligarkët. I preferuari i Perëndimit dhe i OJF-ve, të cilat po ashtu kanë gisht në shkatërrimin e Afganistanit dhe në korrupsionin në shkallë prej miliarda dollarësh, e kishte humbur komplet lidhjen me realitetin, derisa erdhi momenti i shembjes së dhunshme.
Disa të dhëna të publikuara nga Al Jazeera janë një dëshmi e rëndë e asaj që kishte ndodhur në Afganistan gjatë pranisë amerikane. Varfëria u rrit nga 30 përqind në mbi 50 përqind, teksa në mënyrë paradoksale, papunësia u ul, një simptomë krejt e qartë e shtetit oligarkik.
Shteti afgan kishte nisur të vdiste shumë përpara se talebanët të merrnin përsipër pushtetin, thotë studiuesi Antonio Giustozzi. Sipas tij, shumë pak gjëra ndryshojnë me mbërritjen e talebanëve. Vetë i preferuari i Perëndimit, Ashraf Gani, vodhi hapur dy palë zgjedhje presidenciale. Në fakt, të gjitha zgjedhjet e zhvilluara në Afganistan ishin shoqëruar nga vjedhje votash, blerje votash, manipulime dhe mashtrime në shkallë industriale. Kjo solli në mënyrë të vazhdueshme një rënie të besimit te proceset demokratike dhe te votimet, duke e ulur pjesëmarrjen para kutive të votimit në nivele të frikshme.
Megjithatë SHBA dhe Perëndimi nuk e ngritën ndonjëherë zërin për këtë shqetësim, deri kur presidenti amerikan Joe Biden të deklaronte se afganët kanë të drejtë të vendosin për të ardhmen e tyre. Po si mund të vendosësh për të ardhmen, kur ata nuk janë lejuar të shkojnë të lirë para kutive të votimit?
Se si do shkojë fati politik i Joe Biden pas kësaj situate të rëndë, akoma nuk dihet, por ekspertët që tani po flasin për një dështim katastrofik të SHBA. Teksa mundohet të fshihet pas faktit se vendimin për tërheqjen nga SHBA e kanë marrë paraardhësit e tij, Biden po kryqëzohet nga kritikët që thonë se gjithçka ka ndodhur jo vetëm nën drejtimin e tij, por për shkak të urdhrave të tij. Kjo ishte një katastrofë e pritshme, pasi siç shprehej në kujtimet e tij ish-ministri i Mbrojtjes në dy administrata të kundërta amerikane, Robert Gates, Biden ‘e ka pasur gabim pothuajse për çdo çështje madhore të sigurisë e të politikës së jashtme në katër dekadat e fundit’.
Dhe siç ndodh rëndom me politikanët e majtë, faji nuk bie mbi qeverisjet, por mbi qytetarët. Biden tha se amerikanët nuk janë të gatshëm të luftojnë për Afganistanin, kur vetë ushtria dhe qytetarët e atij vendi nuk luftojnë për vendin e tyre. Edhe pse duket bindëse si fjali, gjenerali i njohur David Petraues thotë se kjo nuk është e vërtetë, pasi ushtria dhe qytetarët afganë e kanë bërë luftën e tyre. Mbi 65 mijë ushtarë dhe policë afganë kanë humbur jetën në këtë betejë kundër talebanëve. Mijëra civilë janë vrarë gjatë kësaj kohe. Por duke ndjerë se nuk kanë mbështetje, ata dezertuan në masë duke mos pranuar të luftojnë për një qeverisje të korruptuar në palcë.
Në këtë dekadë të recesionit të frikshëm të demokracisë në mbarë botën, ekspertët thonë se problemi më i madh është se steka e pritshmërive të Perëndimit ndaj standardeve demokratike dhe qeverisjes së mirë vetëm po ulet. Merrni rastin e Edi Ramës, i cili sa më shumë e trash zullumin, aq më i lirë ndjehet për ta vazhduar atë.
Sa më shumë manipulon zgjedhjet, aq më shumë e tolerojnë në emër të asaj që njihet si stabilokraci. Shihni pak reagimet e Pentagonit pas sulmit në Kabul kur talebanët u vlerësuan si të dobishëm. Ose merrni rastin e Joe Biden, që tha se u ka thënë talebanëve emrat e amerikanëve dhe aleatëve në Afganistan për të siguruar kalim të sigurt. Për hir të dëshirës për stabilokraci, steka është ulur deri në atë pikë sa edhe talebanët shihen si alternativë e mirë.©️ SYRI.net