Komiteti Teknik i Ekspertëve ka vendosur të rikthejë karantinën dy javore, për personat që hyjnë në vendin tonë nga Greqia dhe Maqedonia e Veriut.
Zv/ministrja e Shëndetësisë dhe njëherazi drejtuese e Komitetit Teknik të Ekspertëve, Mira Rakacolli tha se shkak për këtë vendim është bërë situata shqetësuese në dy vendet fqinje, pas rritjes së rasteve me koronavirus.
“Afrimi i ditës së Pashkëve gjithmonë është shoqëruar me lëvizje të qytetarëve nga vendet fqinje, që mund të vendosin vendin në një situatë të rënduar epidemiologjike. Si dhe duke pasur parasysh dhe situatën tonë lokale, ku vendin e parë për numër rastesh të reja e zë Gjirokastra, pasuar nga Korça, mendojmë që duke filluar nga dita e nesërme të vendoset qëndrimi në karantinë dy javore për personat që vijnë nga Maqedonia e Veriut dhe Greqia, deri në datën 3 maj. Do ta rivlerësojmë, në varësi të dinamikës së situatës, do ta vlerësojmë përsëri pas dy javësh. Komiteti vlerëson se nxënësit e viteve të para dhe të dyta të shkollave të mesme, të cilët kanë qenë në mësim online, si rezultat i përmirësimit të situatës epidemiologjike në vend mund të fillojnë edhe mësimin në klasë, të futen në skenarin e kombinuar”, tha Rakacolli.
Ndërkohë, pritet të rikthehen në klasa nxënësit e shkollave të mesme.
“Nxënësit e gjimnazeve, nga mësimi online, mund të fillojnë mësim në klasë”, tha Rakacolli.
Ajo bëri thirrje për kujdes të vazhdueshëm edhe pas lehtësimit të situatës në vendin tonë, ku sot u njoftua edhe mbyllja e spitalit COVID3, pas atij COVID4 javën e kaluar.
“Kemi ende rrugë për të bërë, duhet të respektohjen masat, subjektet politike të tregojnë përgjegjshmëri. Vetëm kështu do mundohemi ta ruajmë këtë tendencë të mirë të përmirësimit të situatës, që t’i hapim rrugë turizmit normal”, u shpreh Rakacolli.
LEXO EDHE: