fbpx

Kryesore

Karriget e drejtorëve, i vetmi debat në PS





               Publikuar në : 17:35 - 03/11/19 |
Mapo.al

Mapo.al


Dikush me të drejtë përfytyron se; pas dështimit për herë të tretë për të hapur negociatat me BE, pas rënies së rritjes ekonomike, teksa dy investimet e mëdha të huaja po mbyllen, kur fermerët janë në revoltë, në kohën që njerëzit po dynden për të ikur, ndërsa pasiguria po rritet, dhe ndërkohë që kryebashkiakët e emëruar bien një e nga një prej të shkuarës së tyre, në këto rrethana, do të kishte patjetër një debat vibrant në forumet e drejtuese të forcës politike që qeveris vendin, kur ata mblidhen siç thonë për të bërë analizë.



Mirëpo, në media del se sherri i madh në PS, në orët e këtij bataku të madh e të këtij udhëkryqi kombëtar, paska të bëjë me ca vende pune, me disa poste drejtorësh.


Betejë e egër aty në kupolën e lartë drejtuese, sepse karriget e shefave rajonalë në Shkodër, qenkan kthyer, siç e ka cilësuar deputeti Sterkaj, në tender.

Nga ajo çfarë ka rrjedhur në media, kryeministri ka pranuar dështimin në menaxhimin e situatës post-traumatike në metropolin e Veriut, pas rënies së kryebashkiakut të 30 qershorit, dhe qenka zotuar se do ta zgjidhë vetë ai ngërçin.

Kjo panoramë është e trishtë, por të ndihmon gjithsesi pë t’iu afruar një të vërtete. Se meraku kryesor i përfaqësuesve të mazhorancës në këto ditë të vështira të vendit, është influenca e tyre në zona dhe përfitimi prej pushtetit. Shenja të qarta këto të konsumimit, teksa janë në mesin e mandatit të dytë.

Nuk ka pra aty, ide, mendim, shqetësime apo stres për situatën ku ndodhemi.

Nuk ka debat për papunësinë, për rininë, nuk ka tension se si mund të lindë një projekt zhvillues, nuk ka përplasje për platforma. Dhe sigurisht, nuk ka asnjë të merzitur për PPP-të aq të kontestuara, për mungesën e garës, për konkurueshmërinë, për rënien e Shqipërisë me 19 vende në raportin e fundit të ‘Doing Bussines’ të Bankës Botërore.

Afërmendsh, askush që të interesohet se ç’po ndodh me prioritetet kyçe të integrimit, apo me 9 kushtet gjermane.

Drejtoritë. Ato na duhen.

Sipas një përkufizimi që ka përdorur së fundmi Edi Rama, kjo gjendje përkthehet në ‘KÇK’. Kap ça të kapësh.

Duhet të jetë e trishtë kjo panoramë për socialistët që janë mësuar në të shkuarën të rrahin ide, mendime, alternativa, e të bëjnë edhe lëvizje brenda tyre me emra nga antikiteti, si katharsis.

Tashmë të vetmit të shqetësuar për çfarë po ndodh, për reduktimin e udhëheqësisë në poste pune e tarafe, për zhdukjen e kritikës, për tharjen e vizionit, janë prej kohësh ose të përjashtuar, ose larg vendimmarrjes.

Që kjo nuk është Shqipëria që duam, s’do mend. Po me siguri, kjo nuk është as Partia Socialiste që duam.


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas