Aktualitet

KAS vendos sot nëse do përsëriten zgjedhjet në Gjirokastër, Berat dhe Vlorë














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:29 - 19/05/21 |
mapo.al

Kërcënime, ndihma ushqimore, leje legalizimi dhe përdorimi i agjencive shtetërore në fushatë, ishin disa nga pretendimet që ka ngritur opozita në lidhje me parregullsitë e zgjedhjeve në qarkun e Vlorës. Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve do të marrë vendimin sot nëse do të përsëriten zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës. Raporti i të dhënave të kryqëzuara për Gjirokastrën, nga ku rezultojnë 74 raste të dyshimta të votimit të dyfishtë, është lexuar në këndvështrime të ndryshme nga PS dhe opozita.






Pas provave për parregullsi në procesin zgjedhor në Berat e Gjirokastër, PD dhe LSI kanë paraqitur pretendimet e tyre për parregullsi në procesin zgjedhor edhe në Qarkun e Vlorës, duke kërkuar ripërsëritje zgjedhjesh. Përfaqësuesi i demokratëve, Marash Logu ka akuzuar me emra se Damian Gjiknuri, Alket Hyseni, Afrim Qendro, Vilma Bello dhe drejtorët Klodian Troci e Erion Osmanaj janë përfshirë në shitblerjen e votave ose ndikimin te votuesit me qëllim deformimin e vullnetit të tyre për 25 prillin. Nga ana tjetër përfaqësuesi i PS, Eridian Salianji i kërkoi opozitës mos vijonte më me kërkesat e tjera ankimore pasi nuk po sillte asnjë gjë të re teksa i kërkoi KAS të refuzojë shqyrtimin e ankesave për Vlorën.


Gjatë ditës së sotme Komisioni i Ankimimeve dhe Sanksioneve do të marrë vendimin nëse do të përsëriten zgjedhjet në qarkun e Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës. Raporti i të dhënave të kryqëzuara për Gjirokastrën, nga ku rezultojnë 74 raste të dyshimta të votimit të dyfishtë, është lexuar në këndvështrime të ndryshme nga PS dhe opozita. Madje edhe anëtarët e KAS-it ishin të ndarë në këtë çështje. Për t’i dhënë përgjigje nëse 12 shenjat e gishtërinjve për 70 firma elektronike iu takojnë operatorëve të KQZ apo janë tentativa të votuesve, PS dhe KAS kërkoi praninë e nënkomisioneres Lealba Pelinku.







Rrëzohet kërkesa e PD-së
KAS ka vendosur të rrëzojë kërkesën e PD-së për marrje të informacioneve nga organet shtetërore, dhe ka pranuar kërkesën e LSI për marrje të informacioneve nga administrata e KQZ, se sa pajisje PEI kanë funksionuar në Qarkun Vlorë. Në vendimin e djeshëm thuhet: “Pasi u tërhoq për të marrë vendim, me shumicë votash KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së subjektit ankues PD për të marrë informacione zyrtare në cilësinë e provës nga organet shtetërore të listuara në kërkesën ankimore. Pranimin e kërkesës së subjektit ankues LSI për të marrë informacione nga administrata e KQZ se sa pajisje PEI kanë qenë funksionale ditën e votimit në qarkun e Vlorës. Meqenëse dy anëtarë të KAS vendosën të ushtrojnë të drejtën e tyre për marrjen e provave nga KQZ për të kërkuar të dhënat që do rezultojnë nga kryqëzimi i pajisjeve PEI për këtë qark”.



Ndërkaq seanca e djeshme është ndërprerë dhe mbledhja e radhës pritet të mbahet ditën e sotme. Juristi i PD, Marash Logu përmes një reagimi theksoi se KAS pranoi që të merrte vetëm 3 prova nga ato që disponojnë demokratët. Përmes një deklarate në Facebook, Logu thekson se këto 3 prova nxjerrin 100 parregullsi në procesin e zgjedhjeve të 25 prillit. Sipas Logut, bëhet fjalë për parregullsi në Qarkun e Beratit dhe Gjirokastrës. KAS, me kërkesë të dy anëtarëve Ledio Braho dhe Elvis Cefa, pranoi të merrte vetëm tre prova që kanë të bëjnë me të dhënat e kryqëzuara të pajisjeve PEI për qarkun Gjirokastër. “Aty rezulton se shenjat e gishtërinjve të 14 personave janë përdorur për identifikimin e 74 zgjedhësve. E thënë ndryshe, potencialisht 14 persona kanë votuar 74 herë ose mesatarisht 5 herë/secili”, – tha Logu. Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PD, Ivi Kaso ka reaguar pas rrëzimit nga ana e KAS të kërkesës së opozitës për të ankimuar procesin zgjedhor në Vlorë.



Kaso është shprehur se me këto veprime, KAS nuk po lejon nxjerrjen e provave të asaj që opozita e quan masakër zgjedhore. “Është shkelje e çdo standardi zgjedhor që shkon kundër interesit të qytetarëve sot. Çdo veprim i KAS për të hedhur poshtë kërkesat tona shkon kundër transparencës dhe interesit të qytetarëve. Sot u bë standard i dyfishtë se u artikulua që duhej hetim ndërsa nuk është pranuar kërkesa e opozitës. Ne do vazhdojmë në rrugën tonë për të shpallur të pavlefshme të tjera zona”, -tha Kaso.

Argumentet e PD-së për parregullsitë në qarkun Vlorë
Përfaqësuesi i PD-së në KAS, Marash Logu, argumentoi pretendimet për parregullsi në zgjedhjet e qarkut Vlorë. “Është qëlluar në Selenicë në një lokal me simpatizantë të PD, nga një simpatizant i PS, çka bëri që demokratët mos marrin pjesë në zgjedhjet e 25 prillit. U pa dhe në rezultat ku kjo zonë ishte dobët për PD. Arjan Shabanaj nga Selenica pas vizitës së kryetarit të PD në këtë zonë rezulton i humbur. Mund të jetë për aktivitetin politik të tij pasi ishte kërcënuar disa herë për aktivitetin politik të tij”, -tha ai.

Sa u përket denoncimeve të tjera Logu tha se “më 2 prill 2021, PD ka kallëzuar në SPAK shtetasin Afrim Qendro, nënkryetarin e Vlorës, Klodian Trocin e Kadastrës dhe Erion Osmanaj, drejtorin e OSHEE që ngritën strukturë kriminale për blerjen e votës”. “Të tre këta shtetas duke përdorur funksionet publike dhe financimet e jashtëligjshme për blerjen e votave dhe dhënien e legalizimeve.

Ne vlerësojmë se shitblerja e votave përbën shkelje të rëndë të nenit 78, mjaftueshëm për t’i shpallur të pavlefshme. Blerja e votave nuk u realizua vetëm me të holla, por dhe bonuse, të mira materiale. Në Vlorë janë konstatuar ndihma ushqimore për qëllime zgjedhore, është përdorur nga disa figura. Vilma Peto, kandidate e PS, bashkë me drejtuesin politik, më 13 dhe 30 dhjetor kanë shpërndarë dhurata e ushqime, me qëllime thelbësisht elektorale.

Vullnet Sinaj, 2 janar 2021. Alket Hyseni në 27 dhjetor 2020. Në kundërshtim me Kodin Zgjedhor, në datën 25 shkurt 2021 Këshilli Bashkiak i Vlorës ka miratuar një vendim për dhënien e kredive të buta në kundërshtim me nenet që në periudhën 4-mujore para zgjedhjeve ia ndalon”, bëri të ditur ai. Më tej PD pretendoi se agjencitë shtetërore janë përdorur për të ndikuar te vullneti i zgjedhësve. “Më 24 prill 2021, Agjencia në Vlorë ka shpërndarë tollona nafte për të ndikuar vullnetin e zgjedhësve. Vendosja e shtetit në shërbim të partisë duke përdorur burimet shtetërore, administrata publike u vendos në shërbim të partisë. Gjiknuri, drejtues politik i PS i shoqëruar nga Afrim Qendro dhe prefekti Flamur Mamaj zhvilluan takime në OST në Pallatin e Kulturës. Ka funksionuar si zyrë elektorale e PS.

Lexo edhe :  Basha në Kuvend: Qeveria ndali dhunshëm ndryshimin, e thotë OSBE/ODIHR

Iu është kërkuar punonjësve të OST të angazhohen për vota për PS. Së pari janë përdorur asete publike në dispozicion të PS, godina e Pallatit të Kulturës”, – tha ai. Një tjetër argument kishte të bënte me punësimet në administratë, duke marrë si shembull shtimin prej rreth 13 mijë punonjësish në një periudhë 4-mujore.

“Kemi referuar se vetëm shpenzimet për paga u rritën në mars-prill me 63 milionë euro më shumë se në 2020. Punësimet në administratë u përdorën masivisht nga partia në pushtet që kontrollonte gjithçka. Përktheheshin në vota për PS”- tha Logu. Veprimtaria e agjencisë shtetërore të Kadastrës po ashtu u cilësua si përdorim i shtetit për fushatë. PD përmendi dhënien e lejeve të legalizimit dhe ndërtimit gjatë fushatës zgjedhore, që sipas Logut, kanë të bëjnë në fakt me tenderat dhe koncesionet në periudhën e ndaluar nga Kodi Zgjedhor. “24 dhjetor, Alket Hyseni ka publikuar një veprimtari publike me drejtorin Artan Lame duke shpërndarë legalizime për qytetarët e Vlorës.

Vullnet Sinaj shihet pranë Drejtorisë së Kadastrës duke shpërndarë leje legalizimi. Po ashtu kemi pasur mundësi të relatojmë se më 21 prill u publikua audiopërgjimi i Artan Lames që u kërkonte vartësve të mbanin të pezulluara 100 mijë leje legalizimi, se në të kundërt votat shkonin për palët kundërshtare. Qindra qytetarë në Vlorë kanë marrë këto ditë njoftime nga IKMT për prishje banesash e biznesesh, qartazi pas fushatës duke iu premtuar më parë se nuk i prishej. Shteti përdoret si mekanizëm për të qenë në funksion të plotë të partisë. Ministria e Infrastrukturës shpalli në 6 janar tenderin me objekt për projektin e portit turistik në Vlorë. E njohim vendimin që ndalon shprehimisht 4 muaj para zgjedhjeve të bëhet publikimi”, argumentoi përfaqësuesi i PD-së.

Mohimi i votës për emigrantët dhe përdorimi i të dhënave personale ishin argumentet e tjera të opozitës. “Në kërkesën tonë, vihet dhe përdorimi i të dhënave personale, jo vetëm në Tiranë e Durrës, por edhe në Vlorë dhe gjithë Shqipërinë. Kjo dihet dhe nga deklaratat e Edi Ramës, Taulant Ballës e Damian Gjiknurit që falënderojnë patronazhistët për zgjedhjet e 25 prillit për qarkun e Vlorës. Po ashtu edhe mohimi i votimit të emigrantëve.

Vendimi i Komitetit të Ekspertëve për të ndaluar hyrjen për 500 mijë shqiptarë nga Greqia e Maqedonia e Veriut është kundër, kishte për qëllim të ndalonte mbështetësit e opozitës të votonin në 25 prill. Sepse ata të PS jo vetëm erdhën e votuan, por ishin edhe pjesë e administratës zgjedhore. Vlora kishte 4.43% vota të pavlefshme nga totali i votuesve. Po ashtu edhe në Vlorë u konstatua votimi i dyfishtë. Do kërkojmë të dhënat nga kryqëzimi i pajisjeve PEI. Kemi të bëjmë me raste të shumta të votimit më shumë se sa një herë”- u argumentua nga përfaqësuesi ligjor i selisë blu pranë KAS-it.

Edhe përfaqësuesja e LSI-së theksoi se vendimi i karantinës për shqiptarët me banim në Greqi e Maqedoninë e Veriut ishte një mohim i të drejtës kushtetuese. “U mor 4 ditë para zgjedhjeve dhe u provua se vendimi i Komitetit dhe ai i Ministrisë së Shëndetësisë ishin akte politike dhe pengoi këta qytetarë në të drejtën për votën. U pa qartë dhe anulimi i këtij vendimi më 3 maj. Dëshmon për vullnet të orientuar politikisht ndaj qytetarëve me banim në Greqi e Maqedoni. Edhe pse nuk kishte dalë akt rregullues, duket se vetëm mbi bazën e njoftimit publik në pikën kufitare me Greqinë kërkonin akt vetëkarantimi ndërkohë që s’kishte vendim publik në Fletoren Zyrtare. Pati ndikim të drejtpërdrejtë në mospjesëmarrjen e këtyre votuesve në zgjedhje.

Kërkesa erdhi në bazën e një akti që nuk kishte hyrë në fuqi. Një akt i tillë në situatën konkrete, si nisi implementimi i tij me detyrimin për formularin dhe karantinën, pa marrë parasysh edhe testin PCR apo të tjera. Cenoi rëndë të drejtat e qytetarëve. Disa shoqata emigrantësh bënë apel për heqjen e masave, bashkë me Presidentin, kërkoi marrjen e masave urgjente për pengesën për votën e emigrantëve”, -tha ajo. LSI pretendon se pikërisht ky vendim ka ndikuar në rezultatin e zgjedhjeve për këtë parti.

“Për të vlerësuar impaktin, mjafton të marrim rezultatin e pjesëmarrjes në zgjedhje në 10 vitet e fundit, ku rezulton pjesëmarrje më e ulët në 2021. Pjesëmarrja më e lartë e zgjedhësve e konstatuar në ato pararendëse ka qenë determinante për LSI. LSI ka arritur të sigurojë një mandat deputeti në 2013, 2017, kurse në 2021 jo, prej vendimeve antikushtetuese. Treguesit e KQZ tregojnë qartë pse vendimi i Ministrisë ka patur për qëllim të godasë politikisht LSI”, – tha përfaqësuesja e LSI-së duke kërkuar që KQZ të shpallë të pavlefshme zgjedhjet për qarkun e Vlorës.
Përfaqësuesi ligjor i PS-së në KAS, Eridian Salianji, deklaroi se argumentimet e opozitës për ankesat e tyre në lidhje me parregullsitë në zgjedhje nuk qëndronin.

Vasili: Provat e gjetura në Berat e Gjirokastër, dëshmi për masakrën zgjedhore
Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili thotë se dy qarqet, Berati dhe Gjirokastra janë dëshmitë që tregojnë se 25 prilli ishte një masakër zgjedhore. Në një postim në Facebook, teksa ka publikuar edhe disa dokumente, Vasili thotë se KAS është ballë përballë me ligjin dhe çdo devijim nga drejtësia e çon vetë KAS përpara drejtësisë. “Në Berat në QV 3446, mungon Raporti PEI, citohet që kanë nënshkruar 324 zgjedhës, por nuk vendoset në dispozicion lista e zgjedhësve, ndërkohë në kuti ka 327 vota, pra ka më shumë fletë votimi se sa votues të pretenduar!”, shkruan numri 2 i LSI. “Fakte të reja, masakra e 25 prillit po demontohet totalisht! Berati dhe Gjirokastra janë dëshmitë që fundosin përfundimisht 25 prillin si masakra mafioze e rilindjes që ka qenë e tillë në gjithë territorin. Dokumente të reja asgjësojnë plotësisht dhe rrëzojnë tërësisht 25 prillin. Votime me dhjetëra herë nga një person në Gjirokastër dhe në Berat. KAS është ballë përballë me ligjin dhe dokumentet flasin vetë, çdo devijim nga drejtësia e çon vetë KAS përpara drejtësisë”, shkruan numri dy i LSI-së. Dokumentet u publikuan fillimisht nga kandidati për deputet i LSI në Qarkun e Beratit, Ardit Çela. “Perla e radhës nga QV 3445, kutia ku KQZ futi duart dje duke vazhduar masakrën e procesit. Në procesverbalin e marrjes në dorëzim raportohen 738 fletë votimi të tërhequra! Në procesverbalin e mbylljes së votimit raportohen 700 fletë votimi! Ndërkohë që raportohen 310 votues, dhe fletë votimi 314. A keni akoma dyshime?”, shkruan ai.

1


Etiketa: ,

CLOSE
CLOSE
Pas