fbpx

Aktualitet

Katica Janeva në paraburgim, zgjerohen hetimet për rastin “Reketi”





               Publikuar në : 16:23 - 22/08/19 |
mapo.alm

Maqedonia e Veriut/ Prokuroria Publike për Luftë kundër Krim të Organizuar dhe Korrupsionit, ka paralajmëruar vazhdimin e hetimeve për rastin “Reketi”, ku si e dyshuar është edhe prokurorja speciale, Katica Janeva, të cilës i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve, pas marrjes në pyetje prej më shumë se katër orë. Prokurorja, Vilma Ruskoska, nuk ka dashur të flasë për të dyshuar të tjerë të mundshëm, siç përflitet në opinion, madje për përfshirjen në këtë skandal edhe të politikanëve të pushtetit aktual.


“Hetimi vazhdon dhe do të shohim se ku do të na çojë. Janeva në fillim u mor në pyetje si dëshmitare dhe më vonë mblodhëm edhe prova tjera. Është dëgjuar edhe zëri i saj në incizimet që kemi siguruar, kështu që unë dhe prokurori publik i Maqedonisë së Veriut vendosëm masën e paraburgimit”, ka deklaruar prokurorja, Vilma Ruskoska, duke hedhur poshtë pohimet për presione të politikës.



Pas shqiptimit të masës së paraburgimit, Katica Janeva, mbrëmë vonë është dërguar në burgun hetues, ndërsa paraprakisht organet e ndjekjes kanë sekuestruar nga banesa e saj një kamion me mobilje, që besohet të jenë marrë si dhuratë nga afaristi Orce Kamçev, të cilit, Bojan Jovanovski dhe Zoran Milevski, i kanë zhvatur 1.5 milion euro, për t’i ndihmuar në një proces tjetër gjyqësor që po zhvillohet kundër Kamçevit.


Policia Speciale gjatë bastisjes në banesën e Katica Janevës.

Ndërkohë, nga Prokuroria Speciale, e cila tani ka mbetur pa kreun e saj, thonë se rasti me drejtuesen e këtij institucioni flet qartë se gjërat në Maqedoninë e Veriut po vendosen në vendin e duhur dhe se çdokush që gabon do të përgjigjet para ligjit.

“Kjo që po ndodhë mund të jetë vetëm se një udhëzues i mirë se çdokush që ka gabuar duhet të përgjigjet para ligjit dhe kjo është një dëshmi se punët po lëvizin në drejtim të mirë dhe thjesht askush nuk është i paprekshëm”, ka deklaruar prokurorja e Prokurorisë Speciale, Fatime Fetai.

Por, ajo ka thënë se arrestimi i Katica Janevës nuk duhet të shërbejë si arsyetim për diskriminim e tërë punës.

“Përgjegjësia e mundshme penale ndonjë individi në Prokurorinë Speciale, nuk mund të jetë shkas apo arsyetim për të harruar gjithë krimin e bërë në shtetin tonë dhe ne të ndërpresim luftën tonë. Ekipi i Prokurorisë Speciale në tërësi është i përkushtuar në luftën për drejtësi dhe ne vazhdojmë me punën tonë”, ka deklaruar prokurorja Fetai.

Nga ana tjetër, partitë kanë vazhduar reagimet lidhur me arrestimin e Janevës dhe sipas VMRO-DPMNE-së “bëhet fjalë për teatër me të cilin tentohet të mbulohet gjurmët që çojnë në ndërtesën e Qeverisë së kryeministrit, Zoran Zaev”.

Por, nga LSDM-ja thonë se qëllimi i opozitës është që përmes nxitjes së kaosit me këtë rast, të mbrojnë zyrtarët e saj, shumica e të cilëve janë objekt hetimi i lëndëve të Prokurorisë Speciale.

“Drejtësi duhet të ketë. Ndërtimi i institucionit të pavarur të drejtësisë po i tregon rezultatet e vërteta. Drejtësi selektive nuk do të ketë dhe askush nuk do të jetë mbi ligjet”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Pas arrestimit të Katica Janevës pason procedura në Këshillin e Prokurorëve për zgjedhjen drejtuesit të ri të Prokurorisë Speciale, por edhe bisedimet mes partive për arritjen e një kompromisi të mundshëm për Ligjin e Prokurorisë Publike.

“Unë mendoj se në kushte të tilla krize, në kushte të tilla të ndjeshme, e vetmja terapi e qëndrueshme është kompromisi. Zgjidhjet e njëanshme në kushtet të mosbesimit të madh që dalin nga zhvillimet e fundit, mendoj se mund të jenë arsye për përkeqësim të besimit dhe të zhvillimeve të përgjithshme politike”, ka deklaruar Bujar Osmani nga Bashkimi Demokratik për Integrim.Seanca plenare për këtë çështje është caktuar për 27 gusht, por qeveria e ka hartuar draftin e këtij ligji, pa marrëveshje me opozitën./REL/


Etiketa: , , , , , ,

Pas