Aktualitet

Kavajë/ Një ditë pas vrasjes që ndali bukën të shkonte në shtëpi






               Publikuar në : 16:31 - 05/07/19 |
mapo.al

Nga Freard Rista


“Buka që nuk mundi kurrë të shkonte në shtëpi”. Kështu u quajt dje fotoja që u bë virale, në të cilën dukej qesja e hedhur në tokë, te Stacioni i Trenit, në lagjen nr.4 në Kavajë.

Ramazan Haslliu, 52 vjeç, sapo kishte blerë bukën dhe po largohej për në shtëpi, por plumbat e ndalën. Plumbat e një sherri të përgjakshëm mes bandash, dhe ai ndodhej në vendin e gabuar, në momentin e gabuar. Një histori rrëqethëse, një dramë njerëzore, një tragjedi.

Ngjarja e djeshme tronditi jo vetëm zonën dhe qytetin e Kavajës, por të gjithë opinionin publik. Çka na lë të kuptojmë se jetën, atë që kemi më të shenjtën, edhe sot në vitin 2019 nuk e kemi asnjëherë të sigurtë.

Një ditë pas krimit, MAPO vendosi shkoj në lagjen ku u mor jeta e një të pafajshmi. Një zonë e thjeshtë për t’u gjetur me ndihmën e qytetarëve, të cilët, edhe pse në zhegun përvëlues të vapës, nuk nguruan të na orientonin.

Në vendin ku i ndjeri u vra dhe ra në tokë, kishin mbetur ende disa shenja dhe njolla gjaku.

Në lagje jeta nuk vazhdon normalisht, por ka një si trysni, një re e rëndë qendron në ajër.

Ka shumë njerëz, por jo gjallëri, as buzëqeshje, vetëm pëshpërima. Nëse nuk do e dije se ç’ka ndodhur një ditë më parë, do mendoje se këta njerëz kështu janë të brumosur. Të heshtur, të zymtë, të vrenjtur. Por, shtoi halleve të ditës, ata janë të tronditur nga ngjarja e djeshme. Edhe të frikësuar. Askush nuk dëshiron të flasë.

“Çfarë do mor djal? Byrek nuk kam. Ik në qendër të qytetit bli. Sa për të ndjerin, nuk e njoh fare. As bukën nuk e blen këtu te unë, as dje nuk e ka blerë këtu”, thotë shitësja e furrës ku Ramazan Haslliu kaloi momentet e fundit të jetës. Nuk dëshiron të ketë të bëjë me çka ndodhi. Është një zonjë e shkurtër, me kaçurela e me duar të shkathëta.

Presioni i shtypit apo organeve të rendit në raste të tilla është i madh. Në të tilla ngjarje, njerëzit, ata që ishin më afër, duan që çdo gjë të kalojë në heshtje.

Vapa bën të sajën. Te furra e bukës as ujë nuk ka. Tek lokali përballë furrës, ku filloi përplasja dhe mbeti i plagosur pronari i biznesit, e njëjta situatë. Edhe aty puna vazhdon, vetëm se një “heshtje varri” ka mbuluar të katër muret. Njerëzit pinin, pa fjalë. Të gjithë të shohin thellë dhe nuk t’i ndajnë sytë.

“Djal, merri shishet e ujit, kushtojnë 100 lekë të reja, dhe të lutem mos më pyet se nuk jemi në terezi, kemi halle të tjera”, thotë kamarieri pa të lënë ta çosh pyetjen deri në fund.

Përveçse të lënduar e të tronditur, banorët e lagjes janë të lodhur. Askush nuk flet.

Një ditë pas krimit, lagja nr.4 ku mbeti i vrarë Ramazan Haslliu, i përngjan asaj mëhalle të lënduar edhe më shumë se nga varfëria dhe papunësia e zakonshme.


Etiketa: , , ,

Pas