Paketa Anti-KÇK e miratuar vrik nga qeveria, ka shkaktuar jo pak pështjellim mes botës së juristëve. Ata që kanë minimumin e njohurive e dinë se është një ligj pa kuptim, një veprim absurd, që krijon mbivendosje me institucionet e drejtësisë, dhe shkel kushtetutën duke krijuar institucione paralele. Shumë janë të mendimit, se ky akt normativ vetëm me shtetin ligjor nuk ka të bëjë, me antishtetin po. Atje ku çunat me Range të bardhë 60 mijë eurosh, makina të blinduara dhe kapuçë të zi sillen rrugëve të qytetit sikur të ishim në gjendje lufte, vetëm normalitet nuk imponojnë.
Por do ia bënim “kabull” Edi Ramës, tërë këtë stres psikologjik dhe bajatje propagandistike në rast se vërtet kjo paketë dhe kjo strukturë do kishte në qendër të vëmendjes pikërisht atë që pretendohet, luftën ndaj korrupsionit në drejtësi, pastrimin e parave dhe më the e të thashë. Nëse sheh listën e veprave që do hetohen, më saktë nenit pesë të paketës së miratuar, një sy i vëmendshëm do vërente që tërë ky harxhim parash dhe energjish është pesë me hiç. Shumica e atyre që janë përfshirë për sekuestro pasurie, i përkasin krimeve të vjedhjes, kultivimi i hashashit, apo vrasjes, madje dhe vrasjes brenda familjes! Po t’i marrësh një për një, del se i tërë ky mund bëhet që të sekuestrohen pasuritë e hajdutëve ordinerë, fakirëve që punonin në fushat e hashashit për 2 mijë lekët dita e kështu me radhë, dhe tek tuk ndonjë trafikant që kryeministri dhe ministri i linjës premtuan se “do ia bëjnë atdheun të pabanueshëm”.
Janë lënë menjanë, korrupsioni në dogana e tatime, në drejtësi, pastrimi i parave, shpërdorimi i detyrës që ekzistonin në draftin fillestar, por që janë hequr më pas. Natyrisht ai draft, i mëparshmi, ishte një çmenduri juridike, ku policia mund të bënte ç’të donte me jetën dhe pasurinë e qytetarëve, njësoj si hetuesia e sigurimit të shtetit, por gjithsesi veprat që thamë më lart se do hetoheshin ekzistonin. Ndërsa me këtë të riun do harxhohen miliona euro në një vit, për të çuar pas hekurave hajdutë ordinerë, apo pensionistë që punonin për pesë para në fushat e trafikantëve. Mediat afër tij, mundohen ta trumbetojnë sikur do godasë kompanitë e ndërtimit apo evazionin fiskal. S’kanë ç’bëjnë, ashtu duhet.
Kryeministri e ka paraqitur këtë paketë si “Emergjencë kombëtare” për këtë arsye e miratoi si akt normativ (më shumë për të shmangur ndonjë dekret bezdisës të Metës). Flet për shtetin e së drejtës, se gjërat do shkojnë në vendin e duhur, duke të lënë të mendosh se në këto 7 vjet, nuk ka qenë pikërisht ky që ka qeverisur! A nuk ishte ky që mbrojti me të gjitha bateritë e propagandës Saimir Tahirin dhe gjithë kupolën e policisë që tashmë i ka në arrati. A nuk është ky, që mbrojti çdo të inkriminuar në parlament e qeverisje vendore, derisa gjykatat e huaja i hapën kartat sheshit.
Ne këtu kemi jetuar dhe e dimë pasionin e kryeministrit, për të mbrojtur gjithfarë lloj bashibozuku (nga turqishtja kokëkrisur, ishin ushtarët e vijës së parë të sulltanit, kryesisht kriminelë hajdutë e përdhunues të marrë nga burgjet) që i përdorte zgjedhje pas zgjedhje në manipulime e shantazhe për votat e pushtetit të tij. Pasuritë aty janë, dhe aty kanë qenë. Nga ana tjetër Shqipëria ka ligjin antimafia që i jep të drejta dhe policisë së shtetit të ndërhyjë. Por a nuk ishte ky kryeministër që trumbetoi drejtësinë në mandatin e parë në emër të goditjes ndaj krimit, dhe që ndërmori një reformë të çalë e cila ka lënë vendin dy vjet pa institucione?! A ishte po ky, që në emër të luftës ndaj krimit kërkoi tepsinë në mandatin e dytë, dhe sot pas tre vjetësh Shqipërisë për shkak të këtij krimi të pa luftuar i refuzohen negociatat për integrim në BE?!
Të gjitha mekanizmat në dorë i ka pasur… Përpara se të flasë për emergjencë dhe t’i japë kompetencat e prokurorit dhe gjykatës, drejtorit të emëruar në Policinë e Shtetit, detyrohej që për këtë zallamahi të jepte të paktën disa shpjegime. Pra, duhej të na thoshte së paku, se sa herë ka bërë policia kërkesë për sekuestro pasurish, apo hetime dhe i është refuzuar nga prokurori dhe gjykata. Cila ka qenë puna e policisë në evidentimin e krimit, dhe parave të krimit?! Në rast se është vërtet ashtu si thonë disa media, se janë identifikuar 250 pasuri në emër të adoleshentëve dhe pleqve, kush e ka penguar të veprojë që ka marrë kaq revansh, dhe në sa raste e ka kryer Prokuroria punën e saj e në sa raste jo. Sepse në rast se është kështu, atëherë kemi të bëjmë as më shumë e as më pak, por me një shpërdorim detyre nga ana e prokurorëve dhe gjyqtarëve. Çfarë e ka penguar Ramën, që t’i denocojë ata në KLP, ILD e KLGJ ku ka vendosur të zgjedhurit e tij? Pse ky inkursion i pakuptimtë e populist, pikërisht tani një vit para zgjedhjeve të përgjithshme?
Por me sa duket ai, Rama, kërkon që me anë të kësaj që po bën, me një gurë të vrasë dy zogj. Pjesa e parë është elektorale. Duke ditur, që ua ka sjellë në majë të hundës me veprimet e tij (që as politika smund të quhen), jo vetëm atyre që se duan, kërkon që me këtë ligj të kënaqë armatën e pjesës elektorale që mban në pushtet. Janë ata që duke votuar në rresht marrin më qafë dhe të tjerët. Kryesisht persona nostalgjikë të moshës së tretë, të rënë nga vafti që hakerrehen e inatosen me çdo gjë të sistemit. Por dhe të kryejë disa goditje selektive si shantazh ndaj opozitës, dhe atyre që i kanë dalë nga rreshti, duke mbjellë frikë e panik. Eshtë absurde ta mendosh, se kjo ndodh në një kohë kur janë harxhuar miliona e miliona për ngritjen e sistemit të ri të drejtësisë. A ka njeri që i jep shpjegim faktit se nga njëra anë do futemi 700 milionë euro borxh për tërmetin, ndërsa nga ana tjetër harxhohen miliona të tjera, e për çfarë për një punë që duhet ta bëjë një institucion tjetër që e kemi paguar sa “frëngu pulën”?
Pse duhet ngritur një strukturë, që eklipson punën e SPAK (Struktura e posaçme antikorrupsion dhe krimit të organizuar) apo të Byrosë Kombëtare të Hetimit që është dhe organi kompetent që kryen hetimet e nivelit të lartë dhe krimit të organizuar? Me ç’po shihet “padroni i tepsisë” nuk ka shumë hallin e drejtësisë, apo që “haka të vejë te i zoti”. Edhe në paketën e miratuar kur bëhet fjalë për rastet e trafikut të drogës, dosja duhet ti kalojë me patjetër SPAK, që janë prokurorë që e kanë kaluar vettingun dhe me atë çfarë u garanton ligji po qe se kanë integritetin që flitet s’pyesin shumë për pushtetin në vendimet e tyre. A po harxhohen para e resurse për ngritjen e BKH, pse i gjithë ky nxitim, pse këto harxhime ekstra?!
Ai, Rama dhe një herë, nuk ka hallin e luftës ndaj krimit dhe korrupsionit. Tek e fundit janë ato që e mbajnë dhe i kanë dhënë këtë pushtet që ka sot. Po të luftojë krimin e organizuar dhe korrupsionin është si ta kthejë pushkën nga vetja. Tjetërkund fle lepuri. I duhet kjo propagandë që të marrë flamurin e “luftëtarit të së keqes” tashmë që kuotat e tij elektorale janë më poshtë se fundi. Struktura që ai ka ngritur Operacioni Forca e LIgjit (OFL) është prezantuar që në kohën që ka qenë Xhafa ministër i rendit, rreth dy vjet më parë, dhe deri më tani përveç ndonjë goditjeje selektive s’është se ka nxjerrë ndonjë gjë në dritë. Kriminelët, bandat, të korruptuarit aty kanë qenë, t’i hetonte dhe t’i dërgonte për gjykim. Thjeshtë, me këtë paketë ligjore Rama ngre stekën e shantazhit, ndaj çdo kujt që s’i përket vathës së tij. Pra, kërkon të mbajë nën kontroll bandat, ato që i sigurojnë vota dhe paratë për zgjedhje, të cilat duke parë se anija rilindase po fut ujë, po shohin për mundësi të tjera. Dhe në një rast të tillë ai ka gati shpatën dhe “Forcën e Ligjit”. Por ky vetëm mentalitet shtetari s’mund të jetë!
P.S
Tregojnë se një herë e një kohë, një nuse martohet diku andej nga malësia e labërisë. Familja e djalit mbaheshin si shumë të zotë në grabitje e vjedhje, dhe në fshatra ishte përhapur fjala se kishin goxha bereqet, mall e gjë. Aq shumë ish përhapur kjo legjendë për zotësinë e tyre, sa nuk kishte konak e fis mos I hapte derën dhe ti nderonte. Por kur hyn në shtëpi ditë pas dite nusja, sheh një realitet tjetër. Në shtëpinë e burrit mezi mbushte barkun me bukë. Pas pak kohësh nusja kthehet në shtëpinë e së ëmës për vizitë dhe ajo e pyet se si po shkon tek familja e burrit, a e mbajnë mire a i blejnë rroba a ka për të ngrënë e për të pirë, e kështu me radhë “ ë mbrëmje kur mblidhen rreth oxhakut, bëjnë plane që t’i bien filan karvani e të marrin kaq dukatë, apo filan stani se do marrin kaq kokë bagëti. Por në mëngjes ia këpusin gjumit deri në mesditë. Pra me çfarë dëgjoj, lumja unë, por më çfarë shoh mjera unë”, iu përgjigj Nusja.