Belind Këlliçi thotë se nuk janë regjistruar si subjekt në koalicionin me LSI-në, por sipas rregullave që kërkon ligji.
“Ne nuk jemi subjekt në këtë koalicion, por të regjistruar brenda ligjit elektoral dhe rregullave që kërkon KQZ. Meqë nuk kemi vendim të gjykatës së Tiranës për depozitimin e ndryshimeve në statut që kemi bërë. Kandidatët i ka PD, komisioni i rithemelimit”.
Lidhur me reagimet nga PD, Këlliçi tha se ka qenë përfituesi më i madh i koalicioneve me LSI, të cilit i kujtoi ardhjen në krye të Ministrisë së Brendshme apo kryetar bashkie me votat e LSI-së që i hapën rrugën për të marrë partinë. Ai tha se ky koalicion bashkohet kundër Ramës dhe Bashës.
“Kjo është marrëveshja jonë, më 25 prill LSI-ja ishte në betejë për të bërë Bashën kryeministër. Nuk ka përfitues më të madh se Basha nga koalicioni me LSI-në. Tani bashkohemi përballë Rama – Basha. Përfituesi më i madh i koalicionit me LSI-në është Basha është bërë ministër i Brendshëm, kryetar bashkie në Tiranë, që i shtroi rrugën për të marrë PD. Dhe sa herë, si ka qenë në koalicion me PD përfituesi është Basha”.
I pyetur në A2 CNN, se pse nuk iu bashkua Fatmir Mediu koalicionit të Berishës, ai tha partia e tij dhe të tjerë zgjodhën të qëndrojnë larg dhe të mos regjistrohen në këtë proces zgjedhor. “Kanë pasur diskutime, por në momentin që refuzon fraksioni i vulës të zgjidhë krizën, kanë vendosur të qëndrojnë larg dhe të mos regjistrohen fare në këtë proces zgjedhor. Unë do të doja të ishin regjistruar, por mesa duket presin 6 marsin”.
Ai shprehet i sigurt në fitoren e bashkisë së Shkodrës dhe pret rezultat spektakolar në Durrës.