Romani i autorit boshnjak, Enes Karić rindërton kujtesën e një bote të harruar, që në shumë pikëvështrime ngjan me botën e sotme. Para njerëzve, të ndryshëm në kohë, por të pandryshueshëm përballë njerëzores, shtrohen të njëjtat pyetje e dilema, të cilave ata duhet t’u përgjigjen pa u shmangur ndryshe apo njëlloj nga paraardhësit. Do të ketë pranim, dashuri, shkëmbim përvojash mes njëri-tjetrit? A do të bashkëpunojnë? A do të bashkëveprojnë?
Nga Suadela Balliu
Në një shoqëri ku flenë e zgjohen paqtë besime me zota të ndryshëm, ndonjëherë mjafton fare pak, për të shkatërruar ca ekuilibra delikatë që i përngjajnë për nga bazamenti dhe soliditeti një piramide të ngritura me letra bixhozi. Mjafton, fjala bie një mesazh i paqartë- jo prej kumtit, por prej mbirjes së paprecedentë në derën e një fqinji-ku kërcënimi për jetën e individit vjen me barrën e identitetit religjioz. Mjafton debati mbi emrin e një ambasadori të propozuar për të përfaqësuar vendin në Shtetin e Vatikanit, ku besimi i tij fetar i ndryshëm me atë zyrtar të shtetit katolik bëhet faktor i një çështjeje që i kapërcen kufijtë diplomatikë, që t’i dorëzohesh një mëdyshjeje të madhe nëse ky vend është vërtet ‘parajsa fetare’, aq shumë e dëshiruar por e paarritshme për të dyja botët; atë perëndimore dhe atë orientale…A është vërtet ai vendi që aq shumë e përgëzoi vetë Papa Françesku gjatë vizitës së tij dhe vërtet ajo tabloja me përfaqësuesit e klerit fetar në Shqipëri që marshojnë krah për krah duke përçuar shembullin, që e kapërcen bashkëjetesën, tashmë të soliduar në vëllazëri?
Në një plan ku shumësia e kulturave, etnive dhe religjioneve e bën të lëkundshëm tabanin ku hedh këmbët, a mundet të gjendet bashkëjetesa e vërtetë?
Ndodhi të izoluara, pa peshë në shoqërinë me rrënjë forta mirëkuptimi- të paktën në rrafshin religjioz- apo indicie që vënë në pikëpyetje themele dhe të bëjnë të kuptosh që historia na qenkësh njëmendi ciklike, ku moskuptimet rikthehen në mënyrë identike duke prodhuar më pas konflikte? Kjo bën t’i kthehesh së shkuarës e ta gjesh veten aty, në kërkim të një përgjigjeje të urtë, siç vjen edhe romani i shkrimtarit boshnjak Enes Karić “Këngët e zogjve të egër”, shqipëruar nga Ben Andoni, nën logon e Botimeve “Poeteka”.
Një formë letrare ku shekulli XVI u përgjigjet pyetjeve të mëdha që ngre koha jonë. Pyetje që nuk kanë gjetur përgjigje në historinë e qytetërimeve, as me zhvillimet teknologjike. Ndoshta janë këto të fundit që i bëjnë edhe më të mprehta ca dilema të moçme…
Romani rindërton kujtesën e një bote të harruar, që në shumë pikëvështrime ngjan me botën e sotme. Para njerëzve, të ndryshëm në kohë, por të pandryshueshëm përballë njerëzores, shtrohen të njëjtat pyetje e dilema, të cilave ata duhet t’u përgjigjen pa u shmangur ndryshe apo njëlloj nga paraardhësit. Do të ketë pranim, dashuri, shkëmbim përvojash mes njëri-tjetrit? Të bashkëpunojnë? Do të bashkëveprojnë?
Ngjarjet ndodhin në Sarajevën dhe Bosnjën e fundshekullit XVI. Në Europë, Rilindja dhe idetë e saj kanë ndriçuar, por edhe tronditur jetën e banorëve dhe të institucioneve të kontinentit. Perandoria osmane, që ndërkaq ka mbërritur si zgjatim deri në Europë, provoi humbjen e parë nga ushtritë e bashkuara të forcave europiane.
Pse është treguar kaq i zgjuar ky autor që ka shkrirë përvojën e vet të ushqimit me botën orientale, me kulturën e thellë otomane, me dijen dhe besimin mysliman dhe me përndritjen që ka ardhur nga Perëndimi dhe ka gjetur simbolikën e Firences?
Kjo panoramë, me sfond kulturor, politik, me pranim dhe përplasje mes dy qytetërimeve, por edhe me një linjë të gjerë dashurie në mes, rrëfehet përmes një fëmije që rritet dhe vëzhgon se si gjithçka ndryshon përballë syve tij. Ai është kthyer në Sarajevë, pasi ka studiuar dhjetë vjet në medresetë e Stambollit dhe pesë të tjera në Firence, duke mësuar shkencën e astronomisë.
Një simbolikë e fortë e përdorur nga autori, profesor i Studimeve Kuranike dhe historisë së interpretimit të Kuranit në Fakultetin e Studimeve Islamike në Universitetin e Sarajevës, mes Stambollit- Kostandinopojë, emblemë e shumësisë së kulturave që mbart në gjirin e vet dhe simbolit të Rilindjes Europiane, Firences. “Mos i lër hamzevitë të prishin rininë, mos lër kizilbashët të lartësojnë shumë vdekjen e njerëzve të nderuar, mos i lejo hubimesihitët të ndajnë kufirin mes fesë sonë dhe asaj të të krishterëve, qëndro kundër berligitëve, pasi ata po i hutojnë njerëzit me lloj-lloj broçkullash për fenë e vërtetë…”. Këta zëra, këtë urdhër dëgjon personazhi që vë në lëvizje këtë histori ku gjithçka: idetë e reja, simbolet e Botës së Re, zbulimet, dilemat mbi rendin shpirtëror, besimi, dashuritë, krijimtaria artistike, jeta e përditshme dhe e ardhmja, rrjedh nën këtë hark të jashtëzakonshëm kohor dhe ecën mbi dhe përmes urave, që ngritën këto qytete-simbole. Ajo që e shqetëson vazhdimisht autorin në krijimtarinë e tij është përballja e besimit mes fesë dhe shkencës, mes besimtarit dhe shkencëtarit, dallimet në gjuhë, ngjyrë, etni, hapësirë gjeografike, autor i kupton si begati dhe sfidë për mirëkuptim, e jo përjashtimisht si mollë sherri mes feve, filozofive, shoqërive e kulturave e qytetërimeve botërore.
Libri, sipas botuesit Arian Leka, mund të lexohet edhe si i aktualizuar.” I vendos ngjarjet në një kohë që përputhet jo çuditërisht me kohën tonë, ku qytetërimet janë vënë përballë njëri-tjetrit kanë nxjerrë pamjen e vet të dhunshme dhe kanë vënë në provë durimin dhe pranimin nga njëri-tjetri”- sqaron Leka. Laicizëm dhe religjion, arteve të lira dhe mistikë, tabu, kokëfortësi dhe intimitet njerëzor: këtë përcjellin karakteret mbresëlënës të këtij romani – poetesha, mjekë popullorë, filozofë, djem e vajza që bien në mëkate e në dashuri të përkushtuara, ngatërresa kalendarësh astronomikë, pasunarë kokëtrashë, fjalime imamësh frymëzues, biseda më nge brenda oborreve plot lule e bimësi të harlisur, jetë e një qyteti të hapur, ligjvënës, kaligrafë, moralistë, aroma dhe fjalë që sot janë bërë pjesë e kulturës sonë, shkollarë, njerëz të përkushtuar ndaj fesë dhe besimit, tinguj kambanash, zëra muezinësh në minare, besëpakë, heretikë, myslimanë, të krishterë dhe hebrenj. Me intrigat, konfliktet fetare dhe etnike, me komplotet, ndjenjat, lirizmin, paqen, pranimin dhe refuzimin e tjetrit, me fajet dhe fatet, personazhet, tejet ndjellës e kompleksë të kësaj vepre, sjellin lidhjen e njerëzve me vendin e tyre, me dramën dhe ekzotikën e rajonit, por mbi të gjitha, me frymën e epokës që mbërrin e rindërtuar për ne.
Sipas përkthyesit në gjuhën shqipe, Ben Andoni, subjekti e bën romanin të afrueshëm me të gjithë vendet ballkanike dhe i jep kuptim të mirës mes tyre. “Interesante në këtë libër është ballafaqimi i shpeshtë i kategorisë së të Drejtës, si moral por edhe si nevojë. Kompozicioni, që ka zgjedhur autori, është i thjeshtë, ndërsa leksiku i gjerë na ka lejuar të respektojmë shumë orientalizmat në përkthim, që në gjuhën sllave të Bosnjës, ashtu si në shqip vijnë natyrshëm. Shpesh ato e zbukurojnë kuptimin dhe ndihmojnë në përfitimin e tisit të kohës. Sa i përket ndikimit të librit, mund t’ju them se është një nga librat që këshillohet më së shumti nga bota sllave për lexim dhe studim, kurse vetë si roman, është përkthyer e po përkthehet në gjuhët potenciale të Evropës”, – shprehet Andoni.
Fjalët e zgjedhura me kujdes, ritmi i rrëfimit të një njeriu i cili ka gjithë përjetësinë përpara, e bëjnë këtë libër të të induktojë qetësinë e një leximi të mirë. Një libër për të mos munguar në bibliotekë, nga ata që të bëjnë ta gjesh historinë tënde, të shkruar prej “të huajit”. Një mundësi e humbur, thotë Leka, nga autorët shqiptarë që mund të kishin shkruar një vepër të tillë.
“Një qytet ku mund ta vendosësh këtë ngjarje, për mua mund të ishte fare mirë mund të ishte një qytet shqiptar, nëse autorët shqiptarë do t’i kishin antenat të ngritura dhe të mos mendonin aq shumë për famën e përditshme dhe mediatizimin e emrit. U kanë rrëshqitur jashtë vëmendjes tema po aq interesante dhe po aq të lidhura e të kyçura me Shqipërinë. Një qytet i tillë mund të ishte Berati. Një ngjarje e tillë mund të ishte këmbëkryq në Berat. Një lexues i stërvitur që edhe e njeh historinë tonë të qytetërimeve, kupton që kjo është edhe një ngjarje shqiptare. Mbi ne kanë kaluar të njëjtat shtresëzime”.Në romanin “ Këngët e Zogjve të egër”, për të cilin iu deshën plot dhjetë vite për ta shkruar, autori Karic ndërthur çështjet e besimit me politikën në një qasje krahasuese sesi ishim dhe sesi jemi të njëjtën njerëz. “Ky është një nga reflektimet e heroit të romanit tim, Hasan Pruscak, dhe është i ngarkuar me pesimizëm. Ka plot vende të zymtë në “Këngët e zogjve të egër”. Ne mësojnë rreth njerëzimit në shkolla dhe në universitete, njerëzimi i epokës së largët prehistorike dhe historia më e re, mesjeta, dhe më në fund koha e sotme… studimet tona shkojnë përgjatë linjave se “qeniet njerëzore po bëhen më të mira në marshimin e tyre të madh drejt progresit. Por pastaj, luftërat na bëjnë të besojmë se qenia njerëzore është në të vërtetë e njëjta, ose ndryshuar vetëm në një masë të vogël, të papërfillshme. Dhe madje edhe ajo masë e papërfillshme rezulton të jetë asgjë” –kështu është shprehur autori rreth filozofisë që e përshkruan këtë libër. Sa pak duhet për ta shkatërruar paqen! Mjafton një kalli misri, apo një gjethe tërfili, që Bota e Re e sjell si provokim së vjetrës, që lëviz ngadalë…
“Prandaj letërsia bëhet e rëndësishme pasi bota e tashme ndryshon fare pak nga bota e shkuar, ende nuk kemi arritur t’u japim përgjigje pyetjeve të vjetra”- është i mendimit Arian Leka.
Përtej mjeshtërisë stilistike, pasurisë së personazheve që të vizatohen në imagjinatë, ky libër është një kthim te tematika e madhe: A mundemi të bashkëjetojmë ?
Ben Andoni: Libri si një kërkesë e kohës ku jetojmë
Libri “Këngët e zogjve të egër” i Enes Karić erdhi si një kërkesë e kohës ku jetojmë, por edhe si sfidë me letërsinë më të mirë bashkëkohore ballkanike. Vetë fakti, që libri u mbështet pa asnjë rezervë nga Traduki, ishte një garanci për cilësitë e tij, që personalisht i kisha dëgjuar më parë në opinionet e shumë intelektualëve boshnjakë. Libri ndjek logjikën e një libri tjetër të njohur të botës sllave myslimane “Dervishit dhe Vdekjes”, ku laikja dhe fetarja ndërthuren me njëra-tjetrën, duke na treguar përmes tisit të shekujve të shkuar, problemet që i trashëgojmë të pandryshuara edhe ne. Ngjarja që ka shkruar Karić, lidhet me shekujt e shkëlqimit të madh të perandorisë osmane, shekujt XV-XVI dhe boshti i romanit prek tri qytete të mëdha; Sarajevën, Stambollin dhe Firencen. Përmes tre personazheve hierarkikë të studimit islam, që plotësojnë njëri-tjetrin, kemi një panoramë të problemeve jetësore të njeriut para kategorive të së Drejtës, së Keqes, Joshjes etj. Më shumë se kaq, autori përpiqet të përcjellë mesazhin që komuniteti mysliman duhet të mbetet në traditën më të mirë Islamit, nëse do të jetojë si duhet. Ai i vendos në një roman laik të gjithë kategoritë e Islamit dhe arrin t’i korrespondojë me anët pozitive laike të shtetit dhe shoqërisë së hapur. Në njëfarë mënyre, ky fill e bën romanin të afrueshëm me të gjithë vendet ballkanike dhe i jep kuptim të mirës mes tyre. Interesante në këtë libër është ballafaqimi i shpeshtë i kategorisë së të Drejtës, si moral por edhe si nevojë. Kompozicioni që ka zgjedhur autori, është i thjeshtë, ndërsa leksiku i gjerë na ka lejuar të respektojmë shumë orientalizmat në përkthim, që në gjuhën sllave të Bosnjës, ashtu si në shqip, vijnë natyrshëm. Shpesh ato e zbukurojnë kuptimin dhe ndihmojnë në përfitimin e tisit të kohës. Sa i përket ndikimit të librit, mund t’ju them se është një nga librat që këshillohet më së shumti nga bota sllave për lexim dhe studim, kurse vetë si roman, është përkthyer e po përkthehet në gjuhët potenciale të Evropës. Libri, përmes teknikës së autorit, jep dhe një pamje të prirjeve të letërsisë së sotme ballkanike, që megjithë ndryshimet i ndjen temat e vjetra për të përshkuar realitetin e kohës tonë. Në letërsinë boshnjake e gjen shumë të përhapur këtë element, që e ngërthen shoqërinë në fazat e veta të ndryshme të zhvillimit. Kurse me letërsinë shqip, kjo letërsi e bën që të ndikojë për temat e veta dhe e grish të mos e braktisë të shkuarën, pasi nga ajo kemi ardhur dhe ajo na drejton në të ardhmen.
Arian Leka: Një botë ku qytetërimet ndeshen, por nuk shkërmoqen
Autori ka ngjashmëri në formimin human dhe intelektual me vetë personazhin e librit, i cili është ushqyer nga dy burime; burimi i parë është jo rastësisht në medresetë e Stambollit dhe më pas 5 vjet i ushqyer në kulturën perëndimore u ku simbolika është më e fuqishme se kurrë, pasi është Firence, qyteti prej nga lindi Rilindja Europiane. Jo rastësisht është Stambolli, pasi ka një prapavijë: Kostandinopoja, ku një kulturë pjell tjetrën, për të dhënë një mesazh të madh që ne jemi të integruar me apo pa dashjen tonë. Në kohërat mes dy luftërave kemi ndërtuar qytetërimet tona. E sa ç’kemi qenë shkatërrimtarë duke luftuar me njëri-tjetrin, në periudha paqeje kemi ndërtuar qytetërimet mbi njëri-tjetrin. Kjo ka qenë pa rezerva edhe gjenialiteti i librit. Hapi i dytë ka qenë të gjesh një qytet ku ta vendosësh këtë ngjarje dhe për mua mund të ishte fare mirë një qytet shqiptar, nëse autorët shqiptarë do t’i kishin antenat të ngritura dhe të mos mendonin aq shumë për famën e përditshme dhe mediatizimin e emrit. U kanë rrëshqitur jashtë vëmendjes tema po aq interesante dhe po aq të lidhura e të kyçura me Shqipërinë. Një qytet i tillë mund të ishte Berati. Një ngjarje e tillë mund të ishte këmbëkryq në Berat. Një lexues i stërvitur që edhe e njeh historinë tonë të qytetërimeve, kupton që kjo është edhe një ngjarje shqiptare. Mbi ne kanë kaluar të njëjtat shtresëzime. Vija e Teodosit dihet ç’i ka bërë Shqipërisë; ndarje në ortodoksë dhe katolikë, pastaj është mbivendosur shtresa myslimane, kemi një prani të linjës hebraike në Shqipërinë e hershme dhe ky është i gjithë konteksti i romanit, që ne e lexojmë me një autor jo shqiptar dhe me një titull shqip, por që jemi gjithashtu të përfshirë dhe të implikuar.
Ajo që më ka bërë përshtypje të veçantë është ajo që shpesh e quajmë galeri, karaktere apo katalogë personazhesh, por është një pafundësi personazhesh me të cilët ky autor, me respektin më të madh, i kushton të gjithëve vëmendjen më të plotë. Nuk ka personazhe periferikë që nuk vizatohen. Ti e sheh vetëm njëherë të shfaqet duke hapur derën dhe sjellë çajin, por vizatuar me dy fali që të krijojnë një mbresë dhe ti e sheh. Vlera e këtij libri është aftësia për ta kthyer në imazh, pikturuar me stilin e kaligrafëve, atyre që krijojnë ornamentet e botës orientale. Është një botë ku qytetërimet, vërtet ndeshen, por nuk shkërmoqen. Një botë paradoksale sa ndonjëherë të merr malli për të. I vendos ngjarjet në një kohë që përputhet jo çuditërisht me kohën tonë, ku qytetërimet janë vënë përballë njëri-tjetrit kanë nxjerrë pamjen e vet të dhunshme dhe kanë vënë në provë durimin dhe pranimin nga njëri-tjetri. Mes konflikteve ka bashkëjetesë, duam apo nuk duam ne duhet të bashkëjetojmë, ashtu siç bashkëjetojmë me të keqen. Kjo e bën që libri të lexohet edhe si i aktualizuar, jo aktual. Nuk ka letërsi aktuale, ajo aktualizohet. Në këtë kontekst mund të marrim edhe këtë vlerë, përveç vlerave estetike, stilistike, të kësaj vramendjes së madhe, si ky njeri ka arritur të krijojë këtë tekst, asaj që e quajmë letërsi që shihet, ka edhe një kthim te një tematikë e madhe për të thënë a mundemi më të bashkëveprojmë? A ka mundësi akoma bashkëveprimi, a ka akoma mundësi mirëkuptimi a mundet në qytete të përbashkëta, të cilat tani janë kontinente të përbashkëta, ne të kemi jetë?
Letërsia ballkanase, fqinjët që nuk sjellin vetëm konflikte
Në një rajon me gjakun e nxehtë si Ballkani, fqinji është parë gjithnjë ai që sjell konflikte, ai që shkatërron, që të zë toka e kufij dhe në këtë tablo të ngjyer shpesh me të kuqe të ndezura luftërash, letërsia si çdo gjë tjetër e ardhur “import” prej tyre është parë me skepticizëm, në rastin më të mirë ndërsa në rastin më të keq është injoruar. Kjo ka bërë shpesh të humbasim letërsinë e mirë që pjell rajoni, një letërsi e çmuar mjaft në Perëndim. Një trokitje të vonuar e quan, botuesi Arian Leka orientimin e botuesve dhe përkthyesve drejt kësaj letërsie të fqinjëve. Së pari për numrin e vogël të përkthyesve që e sjellin nga origjinali, e dyta për shkak të historisë që bashkëndajmë me ata që i shohim përballë kufijve tanë.
“Duhet të depërtojmë mes klisheve dhe kësaj mitologjie jo të mirë për të kapur kryeveprat. Ka një rrezik përpara, që bashkë me kryeveprat të kapim edhe letërsitë komerciale dhe Ballkani ka shumë letërsi komerciale, si kudo shet klishetë e veta. Uroj që botuesit e mirë, të mos bien në këtë grackë, të sjellin vetëm kryevepra dhe them se Ballkani ka autorë imponues që prej vitesh botohen në Perëndim, me vlerën e një letërsie të niveleve europiane.
Curriculum Vitae
Enes Karić është shkrimtar bashkëkohor boshnjak, një nga emrat më të njohur në hapësirën e letrare të Ballkanit – dijetar i diplomuar në Universitetin e Sarajevës për Shkencat Politike dhe në disiplinat e Studimit të Islamit. Është doktoruar në Beograd. Specializimet e tij përfshijnë tema të ndryshme, kryer në universitetet e Al-Azhar (Egjipt), Kajros, Yale (SHBA) dhe Oksfordit (Britania e Madhe). Ai është bashkëpunëtor pranë UNESCO-s, ndërsa karriera e tij akademike e ka ngjitur në shkallën e dekanit të Fakultetit të Studimeve të Islamit në Sarajevë. Përveç romanit “Këngët e zogjve të egër” – një nga veprat më të njohura të tij, Enes Karić ka botuar me sukses veprat “Tulipani i zi“ (përshkrime udhëtimi-2008); “Varreza hebreje”- roman; “Njeriu rastësor“ si edhe shumë përshtatje dhe përkthime nga Islami, mes të cilave edhe Kur’ani, që është botuar me shënimet e tij.
Sommario
Enes Karić
Ne mësojnë rreth njerëzimit në shkolla dhe në universitete, njerëzimi i epokës së largët prehistorike dhe historia më e re, mesjeta, dhe më në fund koha e sotme… studimet tona shkojnë përgjatë linjave se “qeniet njerëzore po bëhen më të mira në marshimin e tyre të madh drejt progresit. Por pastaj, luftërat na bëjnë të besojmë se qenia njerëzore është në të vërtetë e njëjta, ose ndryshuar vetëm në një masë të vogël, të papërfillshme. Dhe madje edhe ajo masë e papërfillshme rezulton të jetë asgjë” –
Skeda e botimit:
Letërsi bashkëkohore nga Ballkani / lexime ballkanike
Faqe 384
ISBN 9789928413482
1000 lekë