Reforma e dështuar dhe ligji klientelist i Arsimit të Lartë, i cili qëllimisht u la me mungesë të 43 akteve nënligjore, vështirësuan punën dhe penguan universitetet në përmbushjen e detyrimit institucional të tyre.
Kështu, disa institucione punonin me ligjin e ri dhe disa me ligjin e vjetër apo dhe rastet e veprimit prapaveprues të ligjit, janë shembulli i një kaosi të pashoq që kjo qeveri shkaktoi në institucionet e arsimit të lartë.
Shqetësimet gjithmonë në rritje në mbarë botën për çështjet arsimore, nga Shtetet e Bashkuara, Europa, Amerika Latine dhe Lindja e Largët, gjejnë kudo një konsensus: besimi se cilësia e sistemit arsimor do të jetë një nga përcaktuesit kryesorë, ndoshta nga më kryesorët në shekullin e ardhshëm (Gardner).
Dhe për më tepër, pas goditjes së sistemit nga pandemia botërore do të duhen strategji veprimi për të rikuperuar pasojat e saj. Por, Edi Rama dhe qeveria e tij nuk janë pjesë e këtij konsensusi pasi për ta i rëndësishëm nuk është edukimi, studenti dhe universiteti por pushteti.
Kështu, frika nga zemërimi studentor si rezultat i paaftësisë së qeverisë për të menaxhuar situatën e pandemisë dhe mungesës së masave anticovid, kanë çuar kryeministrin në aktin e mbylljes prej dy vitesh akademike të dyerve të universiteteve.
Me gjithë reagimet e universiteteve jopublike për të zhvilluar mësim në auditorë pasi ato ofronin kushte të përshtatshme mësimi dhe masa mbrojtëse, ai penalizoi çdo institucion të arsimit të lartë, edhe pse akoma nuk ka ende një përcaktim ligjor që legalizon zhvillimin e mësimit në distancë (online).
Dhe jemi në paradoks, pasi masat anticovid të qeverisë kanë prekur vetëm këtë institucion edukimi, universitetin, ndërsa shkolla dhe ambiente të tjera publike si, kafenetë, transporti publik dhe shërbime të tjera janë lënë hapur, edhe pse vënë në rrezik serioz jetën e qytetarëve.
Megjithëse kemi një situatë epidemiologjike të rëndë, Shqipëria sipas specialistëve, është një nga të paktat vende në Europë për të mos thënë i vetmi, ku nuk ka patur frenim të kësaj vale vjeshtë-dimër të COVID-19, por përkundrazi kemi përkeqësim.
Kështu, numri në rritje të frikshme të të infektuarve, ku për 20 ditët e para të muajit shkurt është i barabartë me ato të periudhës mars-nëntor 2020 është tregues se nuk janë marrë masa për parandalimin e Sars-cov-2.
Dhe pikërisht në këtë situatë, kryeministri guxon rihap sot përsëri shkollat, të cilat prej një jave kanë qenë të mbyllura për arsye të motit të ftohtë.
Edhe pse specialistë të shëndetësisë ngrenë alarmin se fëmijët dhe të rinjtë nën 18 vjeç janë tashmë të prekur dhe grupmoshë e rrezikuar nga virusi, asgjë nuk e ndal hapjen e shkollave, ndërsa për universitetet as që bëhet fjalë. E pra, as më pak dhe as më shumë kjo përligj më së miri mbylljen e auditorëve të universitetit jo nga pandemia por nga qeveria.
Pasi kryeministri i friket një shpërthimi studentor si ai i dhjetorit 2018, i cili rrëzoi gjysmën e qeverisë me në krye Ministrin e Arsimit, asokohe. Dhe tani, në një situatë të tensionuar politike për arsye të zgjedhjeve të 25 prillit Edi Rama i druhet rrëzimit të tij.
Kështu, me mbylljen e universiteteve, Qytetit “Studenti” në Tiranë dhe komplekseve të konvikteve në rrethe është pamundësuar jo vetëm edukimi por dhe punësimi i studentëve.
Pasi një pjesë e tyre studiojnë por edhe punojnë me kohë të pjesshme, ku të munden, për të siguruar të ardhura për shkollim dhe jetesë, duke iu ardhur në ndihmë familjeve të tyre. Mirë që nuk mbështeten në arsimim por i heqin dhe mundësinë për punësim studentëve!
Dhe, ajo që bën përshtypje është papërgjegjshmëria e këtij pushteti për arsimin në përgjithësi dhe atë universitar në veçanti, i cili është një e mirë publike që i shërben gjithë shoqërisë dhe nuk është pronë e qeverisë.
Pandemia ka goditur sistemet arsimore kudo në botë dhe ndryshimi i shërbimit arsimor për gati dy vite akademike ka potencialin të ketë një ndikim të madh negativ në aftësitë dhe perspektivat ekonomike të studentëve në vazhdimësi.
Por në Shqipëri, krahas pandemisë sistemi universitar është goditur rëndë nga paaftësia dhe babëzia e qeverisë!
Pasi ndërhyrjet e shpeshta në vite në sistem, Reforma e dështuar dhe ligji klientelist i Arsimit të Lartë, i cili qëllimisht u la me mungesë të 43 akteve nënligjore, vështirësuan punën dhe penguan universitetet në përmbushjen e detyrimit institucional të tyre. Kështu, disa institucione punonin me ligjin e ri dhe disa me ligjin e vjetër apo dhe rastet e veprimit prapaveprues të ligjit, janë shembulli i një kaosi të pashoq që kjo qeveri shkaktoi në institucionet e arsimit të lartë.
Dhe rezultati është: arsimim jocilësor, jobashkëkohor dhe kushte jo normale jetese që iu ofrohen studentëve.
Dhe për më tepër, tashmë duhet të përballojë një tjetër sfidë, atë të pamundësisë së mësimit në distancë kushtëzuar nga pandemia dhe të parealizuar nga qeveria.
Kështu, universiteti u gjend plotësisht i papërgatitur për këtë lloj mësimi pasi: stafi pedagogjik dhe studentët ishin të patrajnuar, mungon ende infrastruktura digjitale, ka mungesë aksesi të studentëve për arsye të mbulimit jo të plotë në gjithë vendin me rrjet interneti dhe pamundësisë së familjeve me ndihmë ekonomike gjithashtu, dhe mungesa a kompjuterit kanë vështirësuar mbarëvajtjen e këtij komunikimi dhe vlerësimi online të studentëve. Për bibliotekë digjitale nuk bëhet fjalë fare, edhe pse u premtua gjatë protestës studentore nga vetë kryeministri.
Pa pandemi dje por sot dhe me pandemi, edukimi universitar është në udhëkryq. Prej dy vitesh i ndalur, pasojat e tij në mospërputhjen e së shkruarës me të tashmen dhe të ardhmen do të jenë afatgjata. Indiferenca dhe papërgjegjshmëria e kësaj qeverie për të qenë pjesë e zgjidhjes dhe zhvillimit është e tejskajshme.
Ne nuk mund të parashikojmë plotësisht se si do të jenë universitetet dhe edukimi nesër kur një qeveri e re, që urojmë të dalë nga zgjedhjet e prillit, do jetë në pushtet.
Por, duhet të jemi të ndërgjegjshëm që ajo do të ndryshojë nga gjithçka që kjo qeveri e mori si të mirëqenë. Dhe njëra nga këto është që, Arsimi i Lartë si e mirë publike, studentët dhe universiteti do të përdoren në shërbim të shoqërisë dhe jo për interes të qeverisë.