Kryesore

Keqpërdorimi i një masakre për hesape elektorale








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 23:40 - 16/11/20 |
Enver Robelli

T’i shohësh disa media proqeveritare të Tiranës që 20 vjet pas masakrës në Krushë të Madhe po “zbulojnë” se forcat serbe atje paskan bërë kërdinë. T’i shohësh duke e aplikuar metodën e “helikopter-gazetarisë” – eja shpejt e shpejt, mblidh disa deklarata dëshmitarësh dhe banorësh dhe gjeje fajtorin, në këtë rast Lulzim Bashën.


Ky person mund të jetë politikan i dëmshëm apo jo (për këtë le ta thonë fjalën e tyre zgjedhësit në Shqipëri), por të keqpërdorësh me kaq gjakftohtësi një masakër të kryer nga Beogradi për larje hesapesh elektorale në Shqipëri, kjo është joetike.


Si më 1997, kur në Tiranë sundonte një tjetër politikan, edhe sot kur sundon dikush tjetër – Kosova shfrytëzohet si mish për top. Mjetet nuk zgjidhen. Në Krushë të Madhe paskësh qenë edhe një shtetas tjetër shqiptar, i cili më vonë u bë deputet i socialistëve.



Ky tha tani se kaseta për të cilën po flet një dëshmitar, i është dhënë BBC-së. E vërteta e plotë kërkon një hulumtim përtej “helikopter-gazetarisë”. Por kush ka kohë tani për këso gjërash, 20 vjet pas luftës, tash duhet kryer punën shpejt e shpejt që të gjendet “djalli”, në mënyrë që “super-patrioti” t’i fitojë zgjedhjet.


Sa i përket kasetës: procesi kundër Sllobodan Millosheviqit ka qenë aq i madh, saqë disa dëshmi e dëshmitarë nuk janë marrë parasysh. Jo vetëm nga Kosova, por edhe nga Bosnja e Kroacia. Fatkeqësisht. Për të kuptuar këtë, së pari duhet njohur pak rrjedhën e procesit kundër diktatorit serb dhe duhet të kesh qëndruar disa ditë në Krushë të Madhe e vende të tjera në Ballkan.


Në ambicien e saj megalomane kryeprokurorja Carla Del Ponte nuk e ndau mega-aktakuzën, që Millosheviq së pari të dënohej për krimet në Kosovë, pastaj për krimet në Bosnjë e Kroaci.

Procesi u stërzgjat dhe diktatori vdiq në qeli i padënuar, ndonëse historia tashmë e ka shpallur aktgjykimin e saj. Por edhe pa kasetën e shumëpërmendur, në Hagë është dënuar pothuaj komplet udhëheqja politiko-ushtarake serbe. Kjo, gjithsesi, nuk mjafton, sepse duhet të dënohen edhe autorët e drejtpërdrejtë të masakrës.

Komandantët lokalë të policisë, prijësit e paramilitarëve, oficerët etj. Gjermania po i ndjek kirminelët sirianë të luftës. Ndonëse ata nuk kanë kryer krime në territorin gjerman. Pse nuk po e bën këtë Republika e dashur e Shqipërisë ndaj kriminelëve serbë të luftës? Pse nuk ka një ekip prokurorësh në Tiranë që merren me këtë punë? Shqipëria është anëtare e Interpolit – dhe mund të lëshojë fletarreste ndërkombëtare. Por kjo me gjasë nuk shkon me politikat e verbra të “pajtimit” me “mikun tim Vuçiq”, siç e quan kryeministri i tanishëm i Shqipërisë.

“Lajmi” më i ri: Lul Basha paska “marrë pjesë në arrestimin” e një figure të UÇK-së. Sipas vetë figurës. E figurës tek sot iu paska kujtuar që e paskësh pasur një ditar “me vlerë historike”, por, qe, atë ditar ndoshta e paskësh marrë e zhdukur Basha, të cilin figura e prezanton si “përkthyes”.

Domethënë përkthyesi paska pasur më shumë pushtet se vetë komandantët e policisë së UNMIK-ut, misionit të OKB-së. “Plot 20 vite kanë kalue dhe s’kam dash ta bëjë temë”, thotë figura. Tash e bëri temë, në një televizion të Tiranës që është vënë komplet në shërbim të pushtetit. “Ndihma më e madhe që Shqipëria mund t’i japë Kosovës është të mos bëj sikur e ndihmon!”, shkroi sonte kolegu i çmuar Lutfi Dervishi. Sa shumë të drejtë ka!


Etiketa:

Pas