Op Ed

Kërcënimi i pavarësisë së bankave qendrore, një lajm i keq për botën








Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 09:27 - 13/04/19 |
The Economist

Kritikët e ekonomisë nuk ngurojnë të thonë se teoritë e saj abstrakte nuk i kanë sjellë botës ndonjë përfitim konkret. Ka një tregues që e rrëzon menjëherë këtë: rritja e pavarësisë së bankave qendrore në 25 vitet e fundit. Në vitet 1970 ishte normale që politikanët të ndërhynin në normat e interesit për të rritur popullaritetin e tyre. Kjo çoi në një murtajë inflacioni. Për pasojë si në vendet e pasura dhe në ato të varfra vendimet për stabilitetin e çmimeve nuk iu lanë më politikanëve, por ishin bankierët e pavarur qendrorë që i ndërmerrnin ato. Në një brez të vetëm, miliarda njerëz në mbarë botën kanë përfituar nga një inflacion i ulët dhe i qëndrueshëm dhe nga ideja se normat e interesit për depozitat dhe llogaritë e tyre bankare janë nën kontroll.


Sot ky sukses kërcënohet nga një përzierje e populizmit, nacionalizmit dhe fuqive ekonomike që po e bëjnë politikën monetare përsëri “politike”. Presidenti Donald Trump ka kërkuar që normat e interesit të zvogëlohen, duke kërcënuar se do të shkarkojë shefin e Rezervës Federale dhe se do të emërojë në bordin e saj Stephen Moore dhe Herman Kain, dy miq të pakualifikuar. Kompetencat dhe vendimmarrja e Bankës së Anglisë mbeten të mjegulluara nga Brexit, ndërsa në Turqi Presidenti Rexhep Tajip Erdogan është përfshirë në përplasje me bankën qendrore. Qeveria e Indisë ka zëvendësuar shefin e aftë të bankës qendrore me një insider të afërt që ka ulur normat e interesit përpara zgjedhjeve. Këtë javë, shumë vende pune në Bankën Qendrore Europiane (ECB), duke përfshirë edhe presidencën, janë në pikëpyetje dhe disa mund të bëhen pjesë e një lufte më të gjerë politike në varësi të asaj se kush e merr drejtimin e institucioneve europiane. Ka nevojë urgjente për të reflektuar mbi objektivat dhe mjetet e bankave qendrore. Por veprimi i forcave jo pak të rrezikshme mund të jetë me pasoja alarmuese për stabilitetin ekonomik.


Problemet e politizimit qenë bërë akute në vitet ‘70. Sistemi i Breton Wodsit të pasluftës solli shembjen e kontrollit mbi monedhën, bëri që bankat qendrore të mos arrinin të zbusin shkallën e inflacionit, sepse politikanët, të cilët tërhiqnin fijet, nuk ngurronin të shkarkonin kostot afatshkurtra të papunësisë në rritje. Dy dekadat e çmimeve dhe krizave të pakontrolluara çuan në një sistem të ri rregullash ku bankave qendrore iu jepej autonomi operacionale për të ndjekur objektivin e inflacionit. Në eurozonë, si dhe bankat qendrore të Japonisë dhe Britanisë u bënë ligjërisht të pavarura në vitet 1990. Në SHBA, Shtëpisë së Bardhë iu ndalua të diskutonte publikisht politikat e FED. Ky konsensus që mbijetoi edhe në krizën e 2007-2008 është një nga arsyet pse inflacioni global ka qenë mesatarisht vetëm 4% në vit gjatë dy dekadave të fundit.


Rënia e pavarësisë së bankave qendrore ka disa shkaqe. Një është populizmi. Udhëheqës si Trump janë kombinimi i dëshirës së politikanëve për norma të ulëta interesi nëpërmjet kërkesave të pakujdesshme që minojnë institucionet. Tjetër është vëllimi i aktiviteteve të bankave qendrore, të cilat u zgjeruan pas krizës financiare. Shumica tani mbajnë portofole të mëdha të obligacioneve qeveritare, e në të njëjtën kohë bëjnë policinë e industrisë financiare. Dhe rezultatet e bankave qendrore nuk kanë qenë perfekte. Për shkak se ata ndoshta kanë qenë shumë të ashpra (pavarësisht nga politikat e tyre jokonvencionale), rimëkëmbja nga kriza ka qenë e ngadaltë, duke minuar besimin e votuesve te teknokratët, besnikëria ndaj të cilëve supozohet të jetë në interes të publikut. E gjithë kjo e bën më të lehtë për t’i parë ata thjesht si vendimmarrës politikë. Ndërkohë, shkaqet e krizave që çuan në pavarësinë e tyre janë harruar.


Presioni po shfaqet në mënyra të ndryshme në vende të ndryshme. Trump ka nisur një sulm ndaj FED. Edhe pse hapësira e tij ligjor për të shkarkuar Jerome Powell, shefin e FED të emëruar nga vetë Trump, nuk është e qartë, nëse ai rizgjidhet në 2020, ka mundësinë të emërojë një kryetar të ri dhe dy guvernatorë të tjerë në FED. Në Europë një stuhi ndryshimesh kërcënon të ulë saktësinë e vendimmarrjes në BQE dhe të ushqejë mosmarrëveshje themelore. Deri në fund të vitit, tre anëtarë të bordit ekzekutiv dhe tetë nga 19 guvernatorët kombëtarë, të cilët gjithashtu votojnë për normat e interesit, do të jenë ndryshuar. Më i rëndësishmi prej largimeve është ai i shefit të BQE, Mario Dragit. Largimi i tij në tetor ndodh pothuaj në të njëjtën kohë me zgjedhjen dhe ndryshimin në drejtimin e Komisionit Europian, një përkim që ndodh një herë në 40 vjet. Prapa lojës politike të karrigeve rrotulluese është një betejë midis vendeve për të kontrolluar politikën. Europianët e veriut kanë qenë skeptikë për blerjet e obligacioneve të BQE-së, duke e parë atë si mbulim për subvencionimin e Europës Jugore. Në vend që të fitojnë me forcën e argumentit, ata po kërkojnë avantazhin duke vënë njerëzit e tyre në postet kyçe. Kjo i shton problemet.


Ndoshta inflacioni global do të ngrihet përsëri nga varri, në rast se bankat qendrore do të jenë më të dobëta për ta luftuar atë. Me shumë gjasa mund të ketë një rënie ekonomike. Ekonomia botërore ka ngadalësuar këtë vit – më 9 prill FMN uli parashikimet e saj. Bankat qendrore mund ta gjejnë veten duke kërkuar rritje për ekonomitë e tyre. Kjo është ajo që e bën politizimin e sotëm kaq të rrezikshëm. Teknokratët përballen me një sfidë të vështirë. Bota e pasur nuk ka fare hapësira për të ulur normat e interesit, përpara se të arrijë zero, kështu që bankat qendrore do të duhet përsëri të kthehen në stimuj e pazakontë, siç janë blerja e obligacioneve. FED dhe bankat e tjera qendrore, gjithashtu, mund të kenë nevojë të bashkëpunojnë në nivel global. BQE do të duhet të bindë tregjet se do të bëjë gjithçka për ta mbajtur një panik tjetër financiar larg Europës. Prania e të emëruarve të rinj politikë, të cilët janë ose të keqkualifikuar ose “të futurit” nga Europa veriore, i bën gjithë këto detyra edhe më të vështira. Nuk është vetëm vota e tyre, por edhe fakti se ata do të helmonin debatin publik rreth asaj se çfarë bankat qendrore duhet dhe nuk duhet të bëjnë për t’u përballur me recesionet.

Kura e nevojshme

Është e drejtë që objektivat dhe vendimet e politikës monetare t’i nënshtrohen shqyrtimit demokratik dhe që bankierët qendrorë të jenë përgjegjës ndaj legjislativit. FED po rishikon objektivin e vet në mënyrë që të përgatitet për një ulje të normës. Bankat e tjera qendrore duhet të ndjekin këtë shembull. Në afat të gjatë, kjo siguron legjitimitetin e tyre dhe po ashtu edhe pavarësinë. Megjithatë, në ambientin e sotëm politik është naive të mendosh që politikanët i marrin në konsideratë debatet. Kështu që, sa më shumë që bankat qendrore të jenë në qendër të vëmendjes, aq më shumë vendimmarrja e tyre mujore do të gjendet në kushte të presionit të jashtëm ose bordet e tyre në rikompozim për t’u mbushur me “të jashtëm”. Është një mjet politizimi që teoricienët, të cilët duan banka qendrore të pavarura, do të donin ta shmangnin. Nëse kthehemi 40 vjet prapa, e gjejmë aromën e asaj që mund të bëjmë gabim.

Burimi: The Economist


Etiketa: , ,

Pas