Kryesore

‘Kërcënimi’ që zgjati 24 orë






               Publikuar në : 09:04 - 07/06/19 |
mapo.al

Prokuroria tërhiqet nga urdhri që ndalonte median të publikojë materiale të dosjes së famshme hetimore 339. Rasti i paprecedent që shkaktoi reagime të forta. E para që reagoi ishte Partia Demokratike me Enkelejd Alibeajn. Presidenti Meta: Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur. Rama: Vendim absurd i Prokurorisë. Pse erdhi urdhri i nxituar dhe hetimet “e ethshme” të prokurorisë për të zbuluar punonjësit e saj që nxorën 6 audiopërgjime që u publikuan në gazetën gjermane Bild.


Në nxitim e sipër, gati në panik të plotë, kryeprokurorja Arta Marku pasi u shpreh e “indinjuar” nga publikimi i audiopërgjimeve të dosjes 339, kërkoi nisjen e hetimeve për të gjetur “tradhtarin” në radhët e prokurorisë, por Prokuroria e Krimeve të Rënda doli me një qëndrim të paprecedent, duke urdhëruar median që të ndalonte çdo publikim të dosjes së nxehtë dhe në rast të kundërt i tregoi pasojat ligjore me burg. Kjo shkaktoi reagim të fortë të botës mediatike, shoqërisë civile dhe kreut të shtetit dhe duket se “presioni pozitiv” zmbrapsi prokurorinë e cila vetëm 24 orë pas urdhrit të parë të prerë për ndalimin e publikimeve, ndryshoi disi qëndrim. Në një njoftim zyrtar, dy prokurorët e krimeve të Rënda sqarojnë se ndalimi i publikimit të akteve sekrete të dosjes 339 nuk prek gazetarët dhe mediat. “Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjitha subjektet procedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e procedimit penal për shkak të funksionit që kryen”, sqarojnë prokurorët, teksa shtojnë se “Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, ju bëmë me dije se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cenimin e lirisë së mediave”. Por çfarë ndodhi dy ditë më parë, që urdhri i prokurorëve për të penguar ligjërisht median të publikonte materialet shkaktoi po aq bujë sa gjashtë përgjimet e publikuara nga gazeta Bild? “Urdhërojmë, ndalimin e publikimit të akteve të procedimit penal Nr.339, të vitit 2016, nëpërmjet shtypit ose çdo lloj forme tjetër informacioni masiv. Shkelja e këtij urdhri, personat përgjegjës i ngarkon me përgjegjësi penale, sipas nenit 295/a/3 të K. Penal”, thuhej në qëndrimin e parë zyrtar që mbante firmën e dy prokurorëve të çështjes, Dritan Prençi dhe Vladimir Mara. Ky nen të cilit i referohej prokuroria parashikon dënimin me burgim nga 1 deri në 5 vjet për personat që publikojnë të dhënat. “Zbulimi i akteve sekrete ose i të dhënave, që përmbajnë aktet sekrete, nga prokurori ose oficeri i policisë gjyqësore, si dhe mosrespektimi i detyrimeve të përcaktuara në nenin 103 të Kodit të Procedurës Penale, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet”, është përcaktuar në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë. Një formë paksa më e butë e sistemit diktatorial, që ndalonte lirinë e shprehjes, por urdhri nuk ka zgjatur shumë dhe prokuroria ka një lloj tërheqjeje. Qëndrim mbajti edhe kryeministri Edi Rama, i cili e konsideroi “një vendim absurd të prokurorisë, pasi media është e lirë të publikojë çdo material”.

Kërcënimi që zgjati 24 orë…

Vetëm për mosnjohuri juridike nuk mund të akuzohen prokurorët, për më shumë ata të Krimeve të Rënda. Shprehja në mënyrë eksplicite se “ndalohet media” të publikojë materialet hetimore të dosjes 339, nuk ishte aspak një lapsus. Në këtë dosje dyshohet se fshihet përfshirja e elementëve të botës së krimit në shitblerjen e votave. Në gjashtë audiopërgjimet e publikuara nga Bild zbulohen telefonatat e Astrit Avdylajt, i arrestuar si kapo i një grupi kriminal në trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike, që bisedon me pushtetarët lokalë në Durrës dhe Shijak për ndikim në sigurimin e votave për Partinë Socialiste në zgjedhjet e vitit 2017, trafik influence dhe deri në përcaktim e “radhëve” ku do renditeshin kandidatët për deputetë të PS-së. Kjo çështje shpërtheu në duart e prokurorisë e cila më shumë se të preokupohej për zvarritjen e hetimeve për afër tri vite, u angazhua e gjithë për të penguar çdo rrjedhje informacioni. Në qëndrimin e prokurorisë, krahas reagimit emocional, ishte edhe pjesa e kërcënimit ndaj medias në vend për të ndaluar çdo publikim të materialeve hetimore. Reagimi i saj nuk ishte “keqinterpretim”, por një gafë e madhe që në tentativë për t’i vënë “kapakun” dosjeve që mban edhe vendin pezull, tentohet të shkohet në hapin ekstrem të ndalimit të lirisë së medias. Megjithatë mësohet se janë rreth 20 persona, prokurorë, ish-prokurorë të çështjes dhe Oficerë të Policisë Gjyqësore, të cilët po hetohen si persona që mund t’i kenë dhënë fashikuj hetimorë dhe audiopërgjime medias.

Reagimet

Fillimisht reagoi selia blu me anë të ish-deputetit Enkelejd Alibeaj. “Kryeministri ilegjitim, i ardhur në pushtet me votat e blera nga krimi, siç konfirmuan edhe përgjimet e fundit të gazetës Bild, jo vetëm nuk po e konsideron dorëheqjen, por është vënë në mbrojtje të Vangjush Dakos, duke arritur deri tek kërcënimi publik i kujtdo që nxjerr sekretin e bashkëpunimit me krimin për blerjen e votave,” tha ai.

Pastajr reagoi kreu i shtetit, Ilir Meta. Teksa shprehet se po ndjek me kujdes zhvillimet e fundit në vend, Meta ka theksuar se është i shqetësuar për urdhrin e Prokurorisë për mos publikimin e materialeve të dosjes 339. Ai shprehet se informimi i qytetarëve mbrohet nga Kushtetuta e vendit, dhe ky urdhër nuk mund të shkelë të drejtat e tyre. “Asnjë urdhër nuk mund të ketë autoritet mbi këtë të drejtë themelore kushtetuese të medias së lirë e të pavarur. Presidenti i Republikës, inkurajon organin e Prokurorisë të hetojë me përparësi, paanësi dhe profesionalizëm këtë dosje të bërë publike, por edhe çdo dosje tjetër që ka të bëjë me manipulimin e zgjedhjeve apo intimidimin e qytetarëve me qëllim deformimin e vullnetit te tyre të lirë dhe shtrembërimin e rezultatit të zgjedhjeve”, thuhet në qëndrimin e kreut të shtetit. Më pas renditen disa nene të Kushtetutës së Shqipërisë që garantojnë lirinë e medias. Gjithashtu, edhe UGSH mbajti qëndrim kundër urdhrit të prokurorisë, duke e cilësuar atë si shantazh për lirinë e medias dhe rast të paprecedent që binte ndesh edhe me parimet kushtetuese. “Në emër të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë e refuzojmë kategorikisht këtë urdhër të paprecedent, i cili në vetvete e tradhton inteligjencën juridike të vetë Prokurorisë! Organi i prokurorisë mund të nxjerrë një urdhër të tillë vetëm për stafet e tyre, për punonjësit që përfaqësojnë grupin hetimor, por kurrsesi nuk mund të urdhërojnë një pushtet tjetër që nuk ka lidhje me të, i cili kontribuon në transparencën publike dhe rritjen e informimit publik”, thuhet në qëndrimin e UGSH-së.


Etiketa: , , ,

KOMENTO (0)

Shkruaj nje koment

Your email address will not be published. Required fields are marked *

* *

CLOSE
CLOSE
Pas