Kryesore

Kërkesa për dorëheqje të parevokueshme të z. Basha, një gafë politike e PD














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 08:30 - 18/05/21 |
Artan Fuga

Do të ishte një gafë e madhe që Këshilli Kombëtar i PD të kërkonte dorëheqjen e parevokueshme të z. Lulzim Basha. E para, sepse përjashtimi nga kandidimi nuk i shërben fare demokratizimit të Partisë Demokratike, sepse është një akt përjashtimi.






E dyta sepse nëse ka përgjegjësira në atë parti, dhe unë vazhdoj të mendoj se ka, pavarësisht zgjedhjeve antidemokratike të 25 prillit, ato janë kolektive. Po deshët i numërojmë.


E treta sepse përderisa në 13 qershor bëhen zgjedhjet për kryetarin, të gjithë kandidatët mund dhe duhet të konkurrojnë lirshëm para partisë. Por vota të numërohet si duhet, jo si në 25 prill. Komisioni duhet të ketë anëtarë nga të gjithë kandidatët. Demokratizimi nuk është përçarje. Askush nuk mund të thotë se meqë kishim përballë shtetin nuk ka të tjerë që mund ta bëjnë më mirë punën.







Por besimin e jep vota e partisë, madje edhe elektorati, jo me akte përjashtimi si biroja. Ne duhet të shkëputemi nga ajo kulturë staliniste ngado që të vijë. Zoti Lulzim Basha ka shansin ta demokratizojë partinë, ta shohë realitetin në sy, sikurse kandidatët të dalin me platforma politike t’i shohë e gjithë shoqëria se çfarë propozojnë më mirë! Dorëheqjen sot kolektivisht duhet ta japi kryesia! Këshilli e pranon ose jo!



Duhen qëndrime të qarta dhe pa lëkundje!
Partia Demokratike është përpjekur për të mbrojtur arritje demokratike, por pas një kohe realisht ka ardhur atje ku e ka imponuar pushteti. Ka rezistuar me shumë sakrifica, por në fund rezultati nuk është arritur. Unë nuk mund të them a mund të qëndronte në pozitat e veta, apo jo, por di që kur deklaron se do të bësh diçka dhe pastaj heq dorë prej saj, elektorati nis të ketë një problem besimi.



Edhe opinioni publik nis dhe mendon se tjetër deklarohet dhe tjetër bëhet. Aq më shumë se elektorati shqiptar në masë jo të vogël kërkon të gjejë tek ai që voton liderin. Ndikohet nga i forti, jo medoemos nga modesti, nga lideri që sillet si qytetar i thjeshtë. Admiron qëndrime disi maçiste, dhe jo aq një imazh fragil të kandidatit qoftë edhe kjo sjellje shumë e emancipuar.

Largohet nga Kuvendi, por merr pjesë në Këshillin Politik për zgjedhjet, çfarë kuptimi? Deklaron se hyn në zgjedhje vetëm me marrëveshjen e 5 qershorit, dhe pastaj kur pushteti e shkel, pasi reagon përsëri e pranon. Nuk bën zë për fletën e votimit ndërkohë që prej saj u hoqën edhe emrat e kandidatëve etj. Ka jo pak të tilla. Me idenë se në 25 prill të gjithë do të votonin pro saj meqë janë të pakënaqur. Ngatërrohej pakënaqësia me votimin kundër pushtetit.

Si i bëhet kur deklaron tjetër gjë dhe bën tjetër gjë? Kur deklaron qëndrime të forta ndërsa në fakt rivjen në pozitat e pushtetit? A mund të bëhej ndryshe? Duhet menduar, por e sigurt është që nuk mund të bësh deklarime politike dhe të mos iu qëndrosh atyre. Edhe tani nuk dihet nëse partia demokratike nuk njeh zgjedhjet, nuk njeh rezultatin, nuk njeh rezultatin vetëm atje ku ka humbur? Çfarë do të bëjë? Koha politike e pambushur me qëndrime të qarta, por me hezitime, e lodh dhe largon opinionin publik.

1


Etiketa:

CLOSE
CLOSE
Pas