Aleksandër (Leksi) Vulaj, është lënë në burg për 40 ditë nga Gjykata e Tiranës. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Shtete e Bashkuara të Amerikës pasi atje akuzohet për veprat penale të pastrimit të parave dhe trafikut të drogës.
41-vjeçari është arrestuar dy ditë më parë në Hanin e Hotit dhe është një shtetas shqiptaro-malazez. Brenda 40 ditëve nga drejtësia amerikane duhet të vijnë në Shqipëri letrat e ekstradimit të Aleksandër (Leksi) Vulaj, në mënyrë që ai të vuajë dënimin në SHBA.
Informacioni i Policisë dy ditë më parë:
Policia e Shtetit, në bazë të informacioneve të marra nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, menjëherë organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.
Pas një pune të mirëfilltë hetimore dhe kërkimore prej më shumë se dy muajsh, duke analizuar lëvizjet e këtij personi në territorin shqiptar, u bë i mundur lokalizimi i vendndodhjes së tij.
Mbi bazën e informacioneve të grumbulluara, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit dhe Njësia Hetimore “Jointshield” finalizuan operacionin “Detroit”, si rezultat i të cilit u bë e mundur që në rrugën nacionale Tamarë-Hani i Hotit, të kapej dhe të vihej në pranga shtetasi i huaj L. V., 41 vjeç.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim fillimin e procedurave te ekstradimit drejt SHBA-së, sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”.