Vlorë – Vendoset në pranga një 39-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane për organizatë kriminale dhe trafikim lëndësh narkotike.
Bëhet fjalë për të identifikuarin me inicialet P.N., 39 vjeç, banues në Dukat.
I riu kërkohej nga Italia, pasi Gjykata e Leçe- s i ka caktuar urdhë-arrest për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 20 vite.
Teksa vijojnë procedurat e Interpol Tirana në bashkëpunim me Interpol Romën, 39-vjeçari pritet të ekstradohet nga Shqipëria drejt Italisë.
Njoftimi i Policisë:
Vijojnë operacionet e njëpasnjëshme për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar. Vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim ekstradimi drejt Italisë. Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Interpol Tirana.
Në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim kombëtar e ndërkombëtar, nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve me ZQK Interpol Tirana, u bë e mundur kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar P. N., 39 vjeç, banues në Dukat, Vlorë.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi Gjykata e Leçe-s, Itali, i ka caktuar urdhër-arresti për veprat penale “Organizatë kriminale” dhe “Trafikim i lëndëve narkotike”, për të cilat maksimumi i dënimit është 20 vite. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Romën, po vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi drejt Italisë.