Një person i shpallur në kërkim ndërkombtar, është arrestuar në Fier. Bëhet fjalë për Myzafer Binaj, 41 vjeç, banues në fshatin Drizar, Mallakastër.
Binaj është vendosur në pranga pasi Gjykata e Messina-s, Itali, në korrik 2019, i vendosi masën urdhër-arresti për trafik droge në kuadër të grupit të struktuar kriminal.
Interpol Tirana vijon bashkëpunimin me homologun e saj për ekstradimin e Binajt drejt Italisë.
Njoftimi i Policisë:
Strukturat e DVP Fier, në bashkëpunim me Interpol Tirana, kapën dhe ndaluan një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në DVP Fier, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mallakastër dhe me Interpol Tirana, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, bazuar dhe në informacionet e mara në rrugë policore, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi i përkohshëm, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, i shtetasit Myzafer Binaj, 41 vjeç, banues në fshatin Drizar, Mallakastër.
Arrestimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Messina, Itali, në korrik 2019, i ka vendosur urdhër-arresti për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve në kuadër të grupit të strukturuar kriminal”.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier, për veprime të mëtejshme procedurale.