Tjetër operacion për kapjen e personave shumë të kërkuar të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Policia e Shtetit njofton se ka finalizuar operacionin policor “Fitness”. Operacioni nga Sektori për Krimet e Rënda në DVP në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë dhe Interpol Tirana, çoi në prangosjen e një të kërkuari për vrasje në Gjermani. I arrestuari është Shkëlqim Kastrati, 23 vjeç, me origjinë nga Kosova, por lindur në Gjermani dhe banues në Tiranë. Ai është kapur në një palestër në kryeqytet.
Shpallet në kërkim shtetasi që ju kishte lënë dy personave të arrestuar banesën e marrë me qera prej tij. Sekuestrohen drogë e armë zjarri.
I riu ishte i shpallur në kërkim nga Interpol Wiesbaden/Gjermani, pasi Gjykata e Villingen – Schwenningen, me datë 15.12.2017, ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg”, për veprën penale “Vrasje me dashje”, parashikuar nga Kodi Penal Gjerman. Maksimumi i denimit 15 vjet burg.
Në fund djathtas, Shkëlqim Kastrati mes të shumë kërkuarve nga policia e Mynihut
Gjithashtu gjatë operacionit, në banesën ku jetonte 23 vjeçari u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë dhe i shtetasit: A.S, 38 vjeç banues në Shëngjergj Tiranë, i dënuar më parë për shitje të drogave të forta në Zvicër.
Nga kontrolli i banesës së përkohshme në rrugën e “Durrësit”, Policia gjeti dhe sekuestroi në cilësinë e provës materiale një armë zjarri SIG-SAUER, me fishkekë që dyshohet se i përkiste 23 vjeçarit, Shkelqim Kastrati, si dhe 7 paketime me lëndë narkotike “Canabis Sativass”, që dyshohet se i përkiste shtetasit A.S.
Njekohësisht gjatë operacionit u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.Ll i cili kishte strehuar në banesën e marrë me qera prej tij, 23 vjeçarin Sh. Kastrati.
Materialet do ti kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprën penale, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.