Kryesore

Kërkohet një këshillues për kryeministrin





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:34 - 27/04/20 |
Nga Raimonda Shundi Dervishi

Shifrat e të dhënave që qarkullojnë për përdorim mediatik, jo vetëm që nuk na qartësojnë mbi atë që duam të dimë, por na e shtojnë më tej ankthin.


“Të gjitha interesat e arsyes sime, spekulative si dhe praktike, ndërthuren në tri pyetjet e mëposhtme: 1.Çfarë duhet të di?; 2.Çfarë duhet të bëj?; 3. Çfarë mund të shpresoj”? sipas Immanuel Kant, filozofit gjerman të Rilindjes, me njohje dhe vlerësim global. Ai na këshillon se ka shumë rëndësi se çfarë ne duhet të dimë, për t’u orientuar në lumin e informacionit, (për pandeminë, në rastin konkret) e që më pas të veprojmë me shpresën e suksesit.


Unë dua të di se sa kritike është situata aktuale për gjithsecilin prej nesh. Si shpresë më duket edhe më e rëndë për ta patur, meqë përpos emrave të pak specialistëve vendas (që janë të njëjtët), përballem edhe me shumë sharlatanë dhe oratorë të cilët dashurojnë më shumë veten përpara kamerave, sesa mua si shikues. Ky absurd nis së pari me të vetëshpallurin “babai ynë”, dikur “partia, nëna jonë”. Nuk do ta mendoja kurrë se nëse në fëmijërinë time, isha e pavëmendshme ndaj kultit të diktatorit, sot do të asistoja në ndërtimin e tij hap pas hapi. Lideri që jep këshilla pa ia kërkuar kush; lideri i cili befas ndihet zot pasi Sistemi gjyqësor nuk ekziston; Lideri që situatën e trishtë aktuale, e kthen në favor të betejës së tij të ardhshme, zgjedhjet e reja për t’u fituar. Këtë teatër e shohim çdo ditë, në këtë kohë pandemie. Dje tërmeti me sloganin e turpit “ti nuk do të jesh kurrë vetëm”, pardje teatri etj. etj.


Gati të gjithë i ndjekim lajmet mbi avancimin e situatës aktuale. Shifrat e të dhënave që qarkullojnë për përdorim mediatik, jo vetëm që nuk na qartësojnë mbi atë që duam të dimë, por na e shtojnë më tej ankthin. Patëm dhe kemi mundësinë të ndjekim në kohë reale shembujt konkret të Shqipërisë, të vendeve të zhvilluara, por edhe të atyre më pak të atilla. Surpriza liderësh dhe të studiuesve të njohur më bëjnë të shkojmë më tej në kërkim. Pandemia na vuri të gjithë të barabartë përpara detyrës duke na thënë “Ja sheshi, ja mejdani, ja dhe …kapedani”. Çdo ditë, një e re, çdo ditë një skandal. Së fundi, politikani, kritiku dhe personaliteti i njohur televiziv, hodhi akuzën në parlamentin italian se qeveria diktatoriale fsheh shifrat reale të vdekjeve.


Sipas tij, “ky është një abuzim, pasi shumica ka humbur jetën për shkaqe natyrale, e jo nga virusi.” Suedezët avancojnë duke e hedhur idenë që popullata le të infektohet e gjitha, pasi kështu krijon imunitet. Pak a shumë si Boris Jonson i cili e mori qëllimisht virusin. Videot që u bënë virale me tërheqjen zvarrë apo edhe me kufoma të popullatës Kineze, tronditën shumëkënd, duke na hapur sytë për atë se çfarë mundën të bëjnë diktatorë për të fshehur informacionin.

Një komb që po masakrohet nga kokë të nxehta. Angela Merkel-it, kancelares që la mënjanë shkencën për t’iu dedikuar politikës, përpara se situata virusale të përfshinte të gjithë njerëzimin, kishte nisur t’i zbehej karizma politike. Sot është rikthyer në sytë e të gjithëve. Si ish-gjermano lindore dhe duke e njohur mirë vlerën dhe çmimin që ka liria, në fjalën e mbajtur më 18 Mars deklaroi me dhimbje se “Gjermania që pas Luftës së Dytë Botërore nuk ka patur një sfidë në të cilën veprimi në një frymë solidariteti nga ana jonë, të jetë kaq i rëndësishëm”.

U mirëkuptua nga popullin gjerman, se ai e beson atë. Kancelaren, nëpërmjet asaj që ajo iu ka servirur në këto vite politikëbërjeje. Aftësia e Merkel për t’ia deleguar vendimet në çështje që nuk i di vetë, personave më të kualifikuar, ka qenë dhe është një element thelbësor në strukturën politike të federalizuar të Gjermanisë së pasluftës. Merkel është mbështetur në ekspertiza të organizatave kërkimore-shkencore të mirëfinancuara, përfshirë agjencitë e Shëndetit Publik, siç është Instituti Robert Koch dhe rrjeti i Universiteteve Publike të Vendit.

Instituti i Shëndetit në Berlin, një institucion kërkimor biomjekësor, ashtu si organizata të tjera, kohët e fundit i ka përqendruar përpjekjet e veta në studimin e koronavirusit. Kryetari i tij, Axel Radlach Pries, ka thënë se institucionet kërkimore të Gjermanisë aktualisht po punojnë fort së bashku për të “krijuar sisteme mbarëkombëtare” kërkimore. Qeveria federale, me Merkelin në krye, luan një rol bashkues, duke mbledhur së fundmi të gjitha departamentet mjekësore universitare të vendit, në një task-forcë të vetme ndaj Koronavirus-it. Një mori ekspertësh janë sot në krah të saj, siç është edhe kreu i virologjisë në spitalin Charitë në Berlin Christian Drosten.

Ajo nuk del vet për të shpërfaqur zhvillimet e kërkimeve, ajo le ata. Nga këndvështrimi i publikut, sipas Pries, kancelarja dhe virologu “janë shumë të besueshëm”. Njerëzit e dinë “që ato që marrin nga Drosten dhe Angela Merkeli janë fakte të vërteta dhe shumë të mirëmenduara. Ata janë “të sinqertë në lidhje me informacionin që japin” dhe këto informacione shihen si të besueshme. Kjo ndershmëri, në një kohë të dezinformimit të gjerë, po sipas Pries, po luan një rol të madh në bindjen e gjermanëve. Virusi është ende i pamposhtur dhe askush nuk e di se çfarë sfidash mbeten përpara për Gjermaninë, por edhe për pjesën tjetër të botës; nisur nga kjo qasje e Merkelit — rigoroziteti i saj në mbledhjen e informacionit, ndershmëria në deklarimin e asaj çka nuk dihet ende, si dhe qëndrimi që ajo po mban – po komentohet jo vetëm si shkencëtarja Kancelare e Gjermanisë, por edhe si udhëheqësja politike që realizoi, praktikoi, dhe personifikoi mendimin e bazuar në prova.

Natyrshëm kundërpërgjigja është se ne nuk jemi Gjermani, Suedi etj. etj.. Po, ne jemi Shqipëri dhe kemi potenciale të cilët sot janë pjesë e strukturave të rëndësishme në fushën e shkencës së virologjisë shpërndarë nëpër botë. Le t’i njohim këto emra të cilat sjellim informacionet e fushës së tyre nga një tjetër pikëvështrimi. Këshilluesit e mirë janë ata që sfidat e mëdha i bëjnë shumë herë më të kuptueshme për t’u dhënë kësisoj më pas edhe alternativa zgjidhjeje. Treshja e famshme e filozofit Imanuell Kant “çfarë të di, çfarë të bëj, e çfarë mund të shpresoj” janë pazgjidhshmërisht të lidhura në vorbullën tonë kaotike.

Fjala këshillues në fjalorin tonë ka një kuptim shprehës, aspak të sofistikuar apo me vështirësi në përthithje. Të dhënit e një këshille, “me ton këshillues, ka të drejtën vetëm e këshillimit, por jo vendimit”. Këshillën duhet ta kërkosh me shumë kujdes, pasi askush nuk mund të ta japë vetëm për faktin se ti e do. Vlera që merr nga një këshillues i mirë është lartësuese, pasi vendosësi dhe ndjekësi i kësaj këshillës duhet të jetë detyrimisht një mëndje e bukur, një mik i mirë, i cili di të japë e të marrë këshillën e duhur, në vendin e duhur; Por rrëfen edhe për një aspekt shumë më shumë se kaq.

Besueshmërinë, reciprocitetin, rrjedhimisht bashkëpunimin. Ai që të jep një këshillë të do, ndaj fundi i historisë që këshilluesi dha në kohën, vendin dhe personin e duhur, bëri që ti që e dëgjove, fillimisht qetësove vërshimet e ideve të tua, e më pas… po të rikthehemi tek filozofi Kant, gjete se çfarë duhet të bësh. Këtu lind stafeta e asaj që emërtohet si “puna në grup” që në fakt, këtu po përdoret vetëm si fjalë populiste e bukur, aspak shumë-përfshirëse. Në një shfaqje të vërtetë teatrale, edhe nëse është me një personazh (monodramë), nuk mund të bëhet vetëm, e jo më të mundësh një situatë pandemike.

Ne po shohim vetëm ata, të njëjtët. Jo të gjithë e kanë luksin e një telefoni, kompjuteri, libri, navigimi në internet; Ekziston një kategori e izoluar prej kohësh, e jo nga pandemia, ku ti si i vetëquajtur “baba” je shumëçka; Jepu shansin të shohin e dëgjojnë ekspertin, atë të vërtetin, të marrin dritën e tij, pa ua servirur ti me egocentrizmin tënd. Lidhu live me këto zona ku bluzat e bardha kanë halle më shumë se male e zalles.

Të tjerët për virusin
LONDËR – “Keep calm and carry on” (mbani qetësi dhe vazhdoni përpara), tha Britania, shteti me masat më të ulëta restriktive në Europre, (para së të ndryshonte taktikë rrënjësisht në 16 Mars, mes një rreziku katastrofe të ri, ku u parashikua se sa shumë njerëz do të vdisnin). “Testoni, testoni, testoni,” – thotë Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit.

Pjesa më e madhe e ekspertëve të shëndetit publik besojnë se shtetet duhet të veprojnë shpejt dhe me vendosmëri për të reduktuar atë që Robbert Muggah, një specialist kryesues i sigurisë me bazë në Brazil, tha se “përfaqëson rrezikun më të madh për stabilitetin shëndetësor, ekonomik dhe politik të një gjenerate njerëzish”. Këto masa përfshijnë aksesimin e lehtë dhe të suksesshëm të testimeve dhe të rezultateve, ndjekjen rigorozë të kontakteve mes njerëzish, mesazhe të vazhdueshme shkencore, karantinim dhe një ndërmarrje të sinqertë e të mirëfilltë për t’u mbyllur e për të mos u socializuar gjerë.

Edhe pse mund të mos jetë shumë herët për të nxjerrë përfundime definitive për mënyrën se si duhet t’i përgjigjemi COVID-19, disa shtete kanë ndërmarrë masa që duket se edhe kanë nxjerrë rezultate, ndërsa disa të tjerë po hasin vështirësi për të përmbajtur dhe luftuar thellimin e krizës në shëndetin publik.

Australia
Qeveria Australiane e aktivizoi kundërpërgjigjen emergjencë ndaj COVID-19 në 27 Shkurt, duke e ravijëzuar atë si një pandemikë globale shumë më përpara se sa Organizata Botërore e Shëndetit dhe shumë ekonomi të tjera të zhvilluara të Grupit të Shtatë kombeve mundën. Michael Wallach, një ekspert i vaksinimit në Universitetin e Teknologjisë së Sidneyt, tha se kjo gjë i mundësoi autoritet në vend të lëshojnë me shpejtësi fondet emergjente dhe ndalesat në taksa, si dhe solli kohë të çmuar për spitalet që të përgatiteshin për mbipopullimin nga pacientët. Deri në 30 Mars, numri i të vdekurve në vend shkoi në 17, me më shumë se 4300 raste të konfirmuara. Çdo person që udhëton për në Australi, duhet të vetë-izolohet për 14 ditë, me ose pa patur ekspozim ndaj virusit të ri.

Kryeministri Scott Morrison ka mbyllur kufijtë e Australisë. Wallach tha se emërtimi paraprak i COVID-19 si pandemi, ndihmoi për parapërgatitje, por solli edhe “panik të parakohshëm”, duke e vënë shtetin ndër të parët që pa konsumatorë të blejnë letër higjienike me shumicë.

Britania
Kryeministri Boris Johnson e ka pranuar faktin se Britania po përballet me “krizën më të madhe të shëndetit publik” në dekada. Deri në 30 Mars, përhapja në Britani ka qenë prapa homologëve Europianë, me më shumë se 19500 të infektuar dhe me rreth 1300 vdekje. Johnson, i cili vetë doli pozitiv, ka pranuar se “shumë njerëz të dashur do të vdesin.” Megjithatë, që në fillim ai ndoqi një politikë gati laissez-faire, mosndërhyrëse, të bazuar në idenë se, meqenëse COVID-19 do të përhapej shpejt në shoqëri, basti më i mirë do të qe për imunizimin e përgjithshëm të popullatës sa më shpejt të qe e mundur. Mendimi mbi këtë është se në atë mënyrë, do të mbrohej shteti në afatgjatësi, siç ndodhi në 1918 me Gripin Spanjoll, ku një shkallë e dytë e infeksioneve më vdekjeprurëse ndodh në të ardhmen.

Vonë në 16 Marsit, Johnson e ndryshoi drastikisht taktikën e tij pasi studiues të Imperial College London konkluduan se si 250000 njerëz në Britani do të vdisnin nëse “zinxhirët e përhapjes” së virusit nuk do të ngadalësoheshin ose priteshin menjëherë. Qeveria Britanike ka vendosur një mbyllje tërësore, me përjashtim të vajtjes në supermarket ose farmaci, si dhe për ushtrime fizike.

GJERMANI, FRANCË, SPANJË
Autoritetet në Gjermani adoptuan masa relativisht strikte që në fillim, me mbylljen e të gjitha shkollave dhe qendrave të përkujdesimit, si dhe me ndalimin e mbledhjeve mes njerëzish. Të mbyllura përkohësisht janë gjithashtu muzetë, kinematë, pishinat e hapura dhe klubet e natës, ndërsa hotelet për qëndrime të shkurta janë vetëm për raste “të domosdoshme dhe kurrsesi jo-turistike”.

Masat e marra prej Merkel u ndoqën prej një ndërrimi kahu të shpejtë për lideren gjermane. Për disa javë, ajo diskutoi për një koordinim të ngushtë me pjesëtarët e Bashkimit Europian, në mënyrë që të ngadalësohej përhapja e virusit. Megjithëkëtë, mes rritjes së shpejtë të numrit të të infektuarve, Merkel i mbylli kufijtë me Austrinë, Zvicrën, Francën, Luksenburgun dhe Danimarkën. Gjermania ka rreth 63000 raste të konfirmuara dhe 550 të vdekur, një figurë relativisht e ulët për ekspertët e shëndetit publik, të cilët e kanë patur të vështirë ta shpjegojnë. Gjermania ka ndërmarrë një numër të madh të testimeve, ka më shumë-se-normalja shtretër të përkujdesit intensiv dhe është një ndër prodhuesit kryesor Europian për ventilatorët.

Presidenti Francez Emmanual Macron gjithashtu e ka limituar thellësisht lëvizjen në Francë. Vetëm lëvizjet për tek doktori ose në dyqanet ushqimore do të lejohen. Ai gjithashtu ka shtyrë zgjedhjet. Deri në 30 Mars, Franca ka patur më shumë se 40174 raste të infektuarish me virusin, ku 2606 të vdekur. Spanja kombi më shumë i infektuar prej virusit pas Italisë dhe SH.B.A-ve, ka marrë masa të ngjashme me Francën. Ajo ka më shumë se 85000 raste të prekurish dhe 7300 fatalitete.

IZRAELI
Më shumë se 4300 njerëz janë diagnostikuar në Izrael, me numrin në rritje të shpejtë. Kryeministri Benxhamin Netanyahu i ka mbyllur kufijtë e shtetit për të gjithë të huajt. Në 17 Mars, Netayahu shpalli se shërbimi top-secret i sigurisë së brendshme Shib Bet, do të fillonte të nxirrte në terren teknologjinë e tyre shumë të sofistikuar kundër-terroriste për të ndihmuar në zbutjen e shpërndarjes së COVID-19 në Izrael. Aftësitë e agjencisë normalisht janë përdorur për të gjurmuar luftëtarët Palestinezë.

Në një deklaratë, Kryesuesi i Shin Bet, Nadav Argaman, pranoi se përdorimi i këtyre pajisjeve digjitale për të ndjekur qytetarë të sëmurë Izraelitë nuk përbën një operacion të zakonshëm të agjencisë, por ai tha se qëllimi ishte sërish në një linjë me atë kryesorin, “shpëtimin e jetëve”. Netanyahu tha se teknologjia nuk ka qenë përdorur kurrë më parë tek qytetarët dhe se do të përbënte në një shkallë, shkeljen e privatësisë. Ai aprovoi përdorimin për 30 ditë. Netanyahu është në vetë-izolim pasi një pjesëtar i kabinetit të tij rezultoi pozitiv pas testimit.

SUEDIA
Ndryshe nga fqinjët e tij Skandinavë, Danimarka dhe Norvegjia, të cilët kanë ndërmarrë kufizime të gjerësishme kufitare dhe të cilët kanë vendosur të mbyllen hapësira të gjera për parandalimin e përhapjes, Suedia ka mbyllur vetëm disa shkolla duke mbajtur gjerësisht restorantet dhe dyqanet e hapura. Një strategji që i ngjan shumë asaj të Britanisë, përpara se Johnson të kthente drejtimin shpejt mes rritjes së infektimeve. Deri në 30 Mars, Suedia shënoi më shumë se 4000 raste dhe 146 të vdekur, në krahasim me 2555 rastet e Danimarkës me 77 të vdekur, dhe me 4300 në Norvegji ku 31 janë të vdekur. Danimarka dhe Norvegjia kanë popullata të njëjta me rreth 5 milion; Suedia është dyfishi i tyre.
“Suedia ka shkuar kryesisht për masa vullnetare sepse kështu jemi mësuar të punojmë ne.” tha Anders Tegnell, një epidemiologjist nga Agjencia e Shëndetit Publik të Suedisë, në një intervistë për CNBC në 30 Mars. “Dhe ne kemi një traditë të gjatë dhe funksionon mjaftueshëm mirë.

KINA
Edhe pas marrjes së kritikavë se po përpiqej të mbulonte përhapjen, Kina ka mundur të kthejë situatën e një infeksioni që tani po përhapet shpejt përgjatë popullsisë globale. Në 30 Mars u raportuan 31 infektime të reja dhe 4 vdekje, duke e çuar numrin total të rasteve në 81470, ku më shumë se 75700 të pacientëve janë shëruar. Kina vendosi masa drastike, të cilat i bënë njerëzit të qëndronin të mbyllur brena për javë të tëra; masa ku ndalohet çdo lloj mbledhjeje publike, duke mobilizuar gati rreth 20000 staf mjekësor nga i gjithë shteti deri në Hubei. Në kulmin e virusit, 120 milionë nxënës shkollash ndoqën mësimet online.

Huiyao Wang, një këshilltar kryesues në qeverinë Kineze, i tha USA TODAY në një intervistë telefonike prej Pekinit, se ShBA dhe vendet e tjera perëndimore duhet të bëjnë më shumë për të luftuar COVID-19, duke përfshirë këtu më shumë masa drastike parandaluese. “Shqetësohem se impakti ekonomik mund të shkaktojë tani më shumë dëme sesa vetë virusi,” tha ai, duke shtuar se në situatën më të keqe, autoritetet Kineze vizituan çdo shtëpi të zonave të infektuara, duke marrë temperaturën me përpikëri dhe duke izoluar të sëmurët në stadiume të mëdha dhe në pika të tjera të grumbullimeve për shqyrtim dhe përkujdesje.

“E kuptoj se një pjesë e eksperiencës Kineze nuk mund të transferohet, por meqë kemi muaj që merremi me këtë situatë, mendoj se duhet ta marrin këshillën tonë.” – tha ai, duke iu referuar asaj që ai e quajti kontakt të nivelit të lartë midis administratës Trump dhe të qeverisë së Presidentit Xi Jinping për pandemikën.

Në fakt, marrëdhëniet mes tyre janë parë si të ngrira në këto ditë të kaluara. Sekretari i shtetit Mike Pompeo e ka akuzuar Kinën për “përhapje të disinformacioneve dhe të thashethemeve të pabazuara” dhe se i duhej të ndalonte së fajësuari SHBA për përhapjen e virusit që u zbulua në fillim në Kinë. Komentet e Pompeos u ndoqën prej një sugjerimi të rremë në Tuiter prej Zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme të Kinës Zhao Lijian, të ndarë dhe të ripublikuar prej një diplomati tjetër Kinez, ku sipas tyre COVID-19 mund të ketë ardhur me orgjinië prej brendisë së Ushtrisë së SH.B.A.

“Ne mund të ndihmojmë me mënyrën se si të ndërtohen spitale të përkohshme, mund t’ju huazojmë prej teknologjisë sonë,” tha Huiyao Wang. “Le të mbajë një samit online në këtë moment”. Rishikim i fakteve: Koronavirusi e ka origjinën në Kinë, jo në asnjë vend tjetër, thonë studiues dhe studime.

SINGAPOR
Shumë pak shtete kanë patur suksesin e Singaporit. Ka 879 raste dhe vetëm 3 vdekje, ndërsa norma e të shëruarve e ka kaluar shumë atë të infeksioneve. Sipas Michael Merson, drejtori i SingHealth Duke-NUS Global Health Institute dhe profesorit Wolfgang Joklik të Global Health në Duke University, vendi ka një numër faktorët që vështirë se mund të kopjohen: një sistem të shkëlqyer shëndetësor, testim strikt për virusin, programe ndjekjeje dhe përbajtjeje, një popullatë të vogël; dhe se qytetarët të cilët gjerësisht e pranojnë të bëjnë atë që u thotë qeveria për të bërë.

“Ka udhëheqje të fortë të qeverisë, po ashtu si edhe besim të fortë në të.” – tha Merson, i cili qe pjesë e Organizatës Botërore të Shëndetësisë si dhe të programit Anti-AIDS. “Sa herë që identifikohet një rast i ri, ka një plan të fortë veprimi për të identifikuar kontaktet. Është gjithashtu shumë i zotë në promovimin e larjes së duarve dhe në mbajtjen e distancës së sigurisë mes njerëzve”.

Meron dha se Singapore ka lejuar zhvillimin e biznesit dhe që disa Universitete të qëndrojnë të hapur, veçse me masa të rrepta për të ndjekur për masën e mbledhjeve (25 e poshtë vetë). “Ata marrin masa të matura në parandalim, por nuk a kanë mbyllur plotësisht shtetin. Ata kanë gjithashtu eksperiencë me SARS (Sindromën Akute në Frymëmarrje, një virus shumë më vdekjeprurës) i cili i ka dhënë besim në mënyrën se si ta trajtojnë coronavirusin” – tha ai. Megjithatë, në 30 mars, Singapore raportoi 35 raste të reja, numrin më të madh të raportuar në një ditë të vetme. Tani ka vendosur karantinim 14-ditor për të gjithë të ardhurit në vend.

KOREJA E JUGUT
Pjesa më e madhe e infektimeve në Korenë e Jugut janë të lidhura me një sekt thuajse-Kristian.
Por shteti Aziatik është megjithatë bërë një nga vendet më të prekura prej COVID-19 përveç Kinës, me më shumë se 9660 infektime dhe me të paktën 158 të vdekur. Gjithashtu ka vendosur në vend disa masa rigoroze testimi, me më shumë se 200000 njerëz të testuar, 1 në 250 njerëz të popullsisë. Testimi është i shpejtë (rreth 10 minuta) dhe falas (është shteti që paguan) ndërsa rezultatet dërgohen me mesazh brenda 24 orëve.  Koreja e Jugut qe nga vendet e para që të nxirrte një qendër testimi në makinë, dhe ka një sistem të mirë të përndjekjes së virusit. Koreja e Jugut, si Singapore, Taiuan, Hong Kong, është një ndër vendet në Azi ku autoritetet duket se kanë patur sukses në sheshimin e kurbës, ose në përhapjen e rasteve me virus në një kohështrirje më të gjatë që sistemi shëndetësor të mund të kishte kohë për të penguar impaktin e sëmundjes.

Merson tha se nuk është e qartë se për sa kohë shtetet mund të vazhdojnë ta sheshojnë kurbën, dhe se nëse COVID-19 do të kundërpërgjigjet vetëm kur masat e kontrollimit të tanishme të pushojnë. “Duhet parë me vëmendje se ç’po ndodh në Kinë,” – tha ai, duke iu referuar vendimit për të filluar shkrimin gradual nëpër shkolla dhe rifillimin e fabrikave dhe të bizneseve nëpër disa zona. Let i japim zë e figurë atyre që e meritojmë ti dëgjojmë pasi po sipas filozofit Imanuel Kant “Shkenca është dije e organizuar. Mençuria është jetë e organizuar”.


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas