Op Ed

Këshilla për konfliktet






               Publikuar në : 19:49 - 18/08/19 |
Nga Artan Fuga

Nga Artan Fuga


Kurrë mos kërkoni të zgjidhni në mënyrë të njëanshme, aty për aty, me vetëgjyqësi, konfliktet, sidomos gjatë stinës me diell, sidomos me të panjohur, sepse mund të përfundojnë keq.

Dialogu, kërkimi i mbështetjes te opinioni, mosfyerja, drejtimi te organet e rendit apo autoritetet janë zgjidhja e këshilluar.

Edhe nëse në një moment dëmtohen interesat tuaja, më mirë mbrojini ato më pas duke iu drejtuar organeve që duhet t’i trajtojne sesa të bëni të fortin edhe kur kujtoni se keni të drejtë.

Edhe ai që nuk ka të drejtë, kujton se ka të drejtë.

Mos ikni pa paguar edhe kur ushqimi nuk ju ka pëlqyer, edhe kur personeli ju duket fyes. Ankohuni ose abandonojeni atë lokal, shkruani kundër tij, flituni miqve keq, hidheni në gjyq, ose mend për herë tjetër.

Por kurre ikje pa paguar. Edhe lajmërimi në dyqane se po të mos ju japin fature mos paguani, nxit konfliktet. I gabuar rëndë. Nese nuk të japin faturë, mos merr mallin, por mos ik pa paguar.

Urtësia, ligji, etika janë rrugët për zgjidhjen e çdo konflikti.

Konflikti karakterizohet nga përshkallëzimi. Po qe se bëni gabimin që në çast e keni përshkallëzuar, atëherë të dy palët veprojnë me veten e tyre sikur janë në vetëmbrojtje.

Konflikti personal po shkoi aty, degjeneron. Aty nuk dihet më kush është fajtori e kush viktima. Teorikisht të dy palët në atë pikë janë viktima dhe fajtorë të njëri tjetrit.

Numëroni deri në 10 nëse jeni të nxehur.

Bëni yoga!

Mbi të gjitha mbani mend: edhe kur ju duket se keni të drejtë, ashtu i duket edhe tjetrit, dhe edhe kur ju duket se keni shumë të drejtë, nuk jeni ju që mund të gjykoni veten tuaj, aq më pak tjetrin.

Mijëra vjet urtësi na mësojnë këtë.

Sa për karakteret, unë kam njohur shqiptarë, spanjollë, kinezë, gjermanë, etj, gjaknxehtë e çakmakë sa të duash.

Kurrë një video e paplotë nuk mjafton për të gjykuar origjinën e konfliktit.

Kush dhunon tjetrin në çdo mënyrë është i pacivilizuar. Ndalimi i çdo dhune, hapi i parë, pastaj gjejmë kush ka të drejtë, ndalimi i vetëgjyqësisë.


Etiketa: , , ,

Pas