fbpx

Kryesore

Këshillat e dietologes Bombaj: Më pak mish, më shumë jetë!





               Publikuar në : 08:44 - 11/10/19 |
mapo.al

Nëse vendosim të evitojmë mishin e kuq, do duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura për të plotësuar këtë mineral të rëndësishëm


Mishi ka qenë ndër ushqimet që ka ndihmuar njeriun të mbijetojë dhe të evoluojë, qindra mijëra vite më parë. Njeriu gjahtar, e ka organizuar jetën e tij rreth gjësë së gjallë, duke shpikur mjetet e gjuetisë dhe duke ndarë punët në familje dhe komunitet rreth ushqimit. Në periudhën e agrikulturës, ai arriti të zbusë dhe mbarështojë kafshë për t’i marrë qumështin dhe mishin. Pas Luftës së Dytë Botërore, filloi edhe prodhimi industrial i mishit. Ky i fundit, rezultoi në një rritje drastike të konsumit të mishit, një rritje që ende po vazhdon, sidomos pas hiper-prodhimit të tij nga vende si Kina. Konsumi i mishit të kuq, veçanërisht viçit dhe derrit, ka një impakt katastrofik në ambient, duke nxitur ngrohjen globale, dhe ndotjen e tokës dhe ujërave, shpjegon Blerina Bombaj dietologe klinike.



Kujdes!


Planeti ynë kërcënohet prej kohësh nga ndotja dhe ndryshimet e rrezikshme klimaterike. Strategjitë e reduktimit të mbetjeve dhe riciklimit të tyre, si dhe prodhimi i energjisë me metoda ekologjike, janë duke zënë një vend gjithnjë e më të rëndësishëm, por shkencëtarët po këmbëngulin për një masë akoma më radikale në stilin tonë të jetesës, e cila mund të jetë nga më të fuqishmet: të hamë shumë më pak mish nga sa jemi mësuar.

Industria

Industrializimi i bujqësisë dhe blegtorisë, është një nga nxitësit e shfarosjes më të keqe të specieve, që pas asaj të dinozaurëve, që do të thotë se 96% e gjitarëve sot përbëhet nga njerëzit dhe kafshët e prodhimit të mishit.

Ndotja

Ndotja që i bëhet ekosistemit nga prodhimi industrial i mishit, është më e madhe se ndotja që shkaktohet si rrjedhojë e gjithë makinave, kamionëve dhe aeroplanëve të të gjithë botës. Rritja e kafshëve për mish, rrezikon zhdukjen e shumë kafshëve të tjera, sikurse gjithashtu infekton lumenj, dete dhe ka arritur deri në oqeane.

Vendet

Në disa vende, është e nevojshme të ulet konsumi i mishit me plot 90%, nëse duam të parandalojmë pasojat dramatike të ndryshimeve të klimës. Duke marrë parasysh rritjen shpërthyese të numrit të njerëzve që do të popullojnë botën deri në 2050, edhe bulmeti dhe vezët do duhet të zëvendësohen më shumë me ushqime bimore. Pra, faktet po tregojnë se njeriu duhet të kthehet në një – pothuaj vegjetarian, e shprehur ndryshe, me një term më të ri, fleksitarian (flexitarian).

Çfarë do të ndodhë nëse konsumojmë më pak mish?

  • Do të infektohemi më pak nga mikrobet e rrezikshme që transmetohen nga kafshët të njeriu në saj të mishit.
  • Do të ngarkohemi më pak me antibiotikë dhe hormone.
  • Do të rrezikojmë më pak nga sëmundjet kardiovaskulare, diabeti dhe disa lloje kanceri.
  • Do të evitojmë yndyra të cilat nxisin inflamacion = sëmundshmëri.
  • Do të evitojmë keqtrajtimin dhe masakrimin e miliona kafshëve çdo vit.

Si mund të zëvendësoni mishin në ushqimin e përditshëm?

Mishi është pa dyshim një ndër ushqimet më të pasura në lëndë ushqyese të domosdoshme si hekuri, zinku, vitamina B12, vitamina A etj. Por, elementi ushqyes më i çmuar i tij është hekuri. Nëse vendosim të evitojmë mishin e kuq, do duhet të bëjmë zgjedhjet e duhura për të plotësuar këtë mineral të rëndësishëm. Këto zgjedhje janë perimet me ngjyrë jeshile, fasulet, thjerrëzat, panxhari, peshku i vogël që konsumohet bashkë me hala, çokollata e zezë, kuinoa dhe kërpudhat. Nga ana tjetër, duhet të rrisim konsumin e ushqimeve të pasura në vitaminë C, për të ndihmuar përthithjen e hekurit.

A duhet të bëhemi vegjetarian?

Jo, nuk është e nevojshme që të eliminoni krejtësisht mishin nga ushqimi juaj, thjesht bëhet fjalë për ta kufizuar konsumin e tij. Ju mund të konsumoni një sasi të vogël mishi (rreth 120gr/javë), të shpërndarë në sasi të vogla në disa vakte, sepse prezenca e tij rrit gjithashtu përthithjen e hekurit që gjendet te ushqimet bimore. Ky rekomandim vlen veçanërisht për mishin e viçit dhe të derrit. Por, mirë është që edhe konsumi i mishit të pulës dhe peshkut të reduktohet në sasitë që rekomandohen për ushqyerje të kompletuar, që do të thotë, 1 herë në javë mund të konsumoni 100-150gr mish pule dhe 2-3 herë në javë 150gr peshk, mundësisht nga peshkimi që mbron ekosistemin.

 

8 zakone që dëmtojnë veshkat

Veshkat janë organi i “filtrimit” të gjakut të cilat janë përgjegjëse për largimin e mbetjeve të panevojshme të metabolizmit. Si çdo organ tjetër ato janë jetësore dhe shëndeti i tyre duhet të jetë prioritet. Për këtë po ju sjellim gabimet më të shpeshta që bëjmë duke sjellë dëmtimin e veshkave

  1. Konsumi i pakët, i pamjaftueshëm i ujit: Femrat duhet të konsumojnë minimalisht 1,5 litra ujë natyral në ditë dhe meshkujt 2 litra/ditë. Uji ndihmon hollimin e përqendrimit të mbetjeve metabolike dhe toksike, kështu ato nuk dëmtojnë veshkat.
  2. Konsumi i tepruar i kripës: konsumi mbi 6gr/ditë i kripës së zakonshme i vendos veshkat në “stres” duke rritur tensionin arterial.
  3. Proteinat shtazore, sidomos të mishit të kuq: rrisin punën e veshkave për të shkarkuar amoniakun në urinë duke i rrezikuar ato të lodhen dhe të humbasin funksionin gradualisht gjatë viteve.
  4. Alkooli: edhe pse 1 gotë verë nuk dëmton, konsumi i shpeshtë i pijeve alkoolike i streson dy organet përgjegjëse për detoksifikimin e trupit që janë mëlçia dhe veshkat.
  5. Kafeina: konsumi i më shumë se 3 kafeve në ditë, ashtu sikurse kripa, rrit tensionin arterial duke i sforcuar veshkat të shkarkojë më shumë kafeinën dhe kripën.
  6. Abuzimi me ilaçet qetësuese: shumë njerëz marrin qetësues me dhimbjen më të vogël. Ky është gabim sepse këto ilaçe mund të dëmtojnë rëndë veshkat dhe mëlçinë nëse merren në vazhdimësi.
  7. Pagjumësia: mungesa e gjumit nuk i jep trupit mundësinë të riparojë indet e dëmtuara. Kështu, sikurse shumë sëmundje lidhen me pagjumësinë, një ndër to janë edhe sëmundjet e veshkave.
  8. Injorimi i nevojës së urinimit dhe shtyrjet e gjata: ky zakon i vendos veshkat në rrezik të inflamimit.

Për të forcuar shëndetin e veshkave preferoni ushqime si zarzavatet e familjes se kryqëzorëve si; brokoli, lulelakra, lakra, fruta të athëta si mollët jeshile, thanat, rrushi i kuq, proteinat e shëndetshme si vezët e fshatit sidomos të bardhën, peshkun e egër, qepët dhe hudhrat, vajin e ullirit cilësor dhe agrumet.


Etiketa: , , , , , ,

Pas