Një ditë pas votimit në Këshillin Kombëtar të Kryesinë e PD, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, Bujar Nishani, Besnik Mustafaj, Genc Ruli, Enriketa Papës dhe Mark Marku, kanë zhvilluar sot paradite një takim me kryedemokratin Lulzim Basha.
Anëtari i këtij Komisioni, Genc Ruli u shpreh për mediat se “ky proces është një politikë e hapjes së partisë”, ndërsa shtoi se do të përzgjidhen kandidatët më të mirë të cilët sipas tij do t’i sjellin fitoren PD-së në zgjedhjet e ardhshme.
“Ishte një takim i domosdoshëm, për arsye se vetë anëtarët e Komisionit të përzgjedhur shkëmbyen mendimet e tyre të para në këtë Komision. Është një komision që vepron, së pari mbi elementet e besimit që duhet të ketë e gjithë anëtarësia, elektorati i PD-së mbi të dhe besimit reciprok që duhet të kemi ndaj njëri-tjetrit. Mendoj që, po t’i shohësh janë gjenerata të ndryshme të historisë politike të PD-së, që nga ata që janë themelues, nga ata që kanë aktivizim të mëvonshëm, por deri në nivelet më të larta të Partisë apo të shtetit dhe prurje më të reja në politikë. Pavarësisht këtyre ndryshimeve që kanë, një gjë e gjej të përbashkët, që është cilësia që kanë për të qenë gjakftohtë në gjykimin e tyre në sajë të eksperiencës, të urtë në vlerësimin që do të bëjnë, por edhe ajo që është më e rëndësishmja, aftësia për të ruajtur pavarësinë e tyre në përzgjedhjen e kandidaturave jashtë çdo ndikimi që do të kenë si individë“, tha Ruli.
“Jemi të angazhuar për të zgjedhur kandidatët më të mirë. Politika në PD ka ndryshuar, ka një politikë të hapjes me prurje të ndryshme dhe gjenerata të reja. Me kryetarin Basha shkëmbyem mendime të vlefshme. Shkëmbyem edhe mendimet e para mes anëtarëve”, tha ish-ministri demokrat.
Ruli tha se fakti që ka qenë kritik ndaj lidershipit demokrat dhe festa që i mbërriti për t’u rikthyer në PD, tregon se partia po hapet.
“Unë mendoj që ky proces është deklaruar nga vetë lidershipi i PD-së, nga vetë z. Basha, që është një politikë e hapjes. Unë vetëm jam një njeri që kam pasur tre vjet më parë qëndrime mjaft kritike ndaj lidershipit dhe z. Basha, për arsye se i gjykoja ndryshe proceset se si duhej të ishin zhvilluar proceset në atë kohë dhe besoj që edhe kjo ftesë që m’u bë mua, një nga njerëzit kritikë, është pikërisht shenjë e pjekurisë dhe mendjehapjes së PD-së sot. Në historinë time kam qenë disa herë kritik me lidershipin e PD-së, ju jeni më të rinj për ta mbajtur mend në këto 30 vjet, dhe gjithmonë kur kam gjykuar që mendimi im, vlerësimi im, për situatat apo për njerëzit ka qenë i ndryshëm, për të ruajtur pavarësinë, për të ruajtur zërin tim qoftë edhe ai ndesh me lidershipin.
Sot, kam bindjen e plotë se me veprimtarinë e PD-së, sidomos në dy vitet e fundit unë jam plotësisht dakord me çdo aksion politik të saj dhe, për më tepër ndjehem i vlerësuar që unë mund të jap kontribut sot, në përzgjedhjet e një ekipi sa më cilësor kandidatësh, në atë që do të jetë, përplasja më e madhe elektorale, por pa dyshim një nga fitoret më të mëdha elektorale të PD-së“.
Besnik Mustafaj
Procesin e ka vlerësuar edhe anëtari tjetër i Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, shkrimtari Besnik Mustafaj. Ai tha se kandidaturat e propozuara janë mjaft serioze dhe garanci për fitoren e PD-së, ndërsa tha se kjo detyrë është më e vështira që ai ka marrë përsipër ndonjëhjerë.
“Nuk jam zëdhënësi i Komisionit, por mund të them përshtypjet e mia personale të cilat janë shumë optimiste. Është një proces i ri, i panjohur në historinë politike të Shqipërisë së këtyre 30 viteve. Unë konstatova se ka një prurje jashtëzakonisht të pasur, çka tregon se propozimet e demokratëve në të gjithë Shqipërinë kanë qenë serioze. Ne jemi seriozisht të angazhuar për të zgjedhur vlerat më të mira të këtij kontigjenti që përbëjnë burime njerëzore të mëdha, jo vetëm për Partinë Demokratike, por edhe për Shqipërinë. Gjërat janë në vazhdim, unë shpresoj që, në fund të këtij procesi, të dal i paturpëruar, sepse është detyra më e vështirë, më delikate dhe më komplekse që kam marrë ndonjëherë përsipër”, deklaroi Mustafaj.