Nesër në orën 12:00 në Pallatin e Kongreseve Këshilli Politik do të ketë mbledhjen e radhës, ku Damian Gjiknuri, përfaqësues i PS-së, në këtë tryezë do të paraqesë propozimet konkrete për pragun elektoral, hapjen e listave dhe formulën e koalicioneve.
Opozita nga ana tjetër ka këmbëngulur që Këshilli Politik t’i drejtohet zyrtarisht ODIHR-it, që të japë një opinion për koalicionet, që ajo kërkon të mos ndryshohen.
E ndërsa refuzoi kërkesën për mbledhje në mesjavë, shumica socialiste i la afat opozitës që deri ditën e premte, pra nesër, të çojë platformën me sugjerimet për hapjen e listave dhe koalicionet, në të kundërt paralajmëroi se do i miratonte e vetme ndryshimet në Kodin Zgjedhor për të reflektuar ndryshimet në Kushtetutë që u bënë në fund të korrikut.
Maxhoranca synon që deri më 30 shtator të ketë gati Kodin Zgjedhor, me reflektimet e ndryshimeve kushtetuese. Paralelisht Kuvendi do të procedojë me përzgjedhjen e anëtarëve të KQZ së re, për të cilin u ngrit një komision i posaçëm.