Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në mbledhjejn e grupit parlamentar të PS-së, se pyetësori i këshillimit kombëtar duhet të shpërndahet deri më 22 shkurt. Më tej ai shtoi, se përfundimet pritet të dalin në fund të marsit ose në fillim të prillit.
Për të realizuar objektivat, Rama ju ka kërkuar të gjithë socialistëve të angazhohen seriozisht në cdo komunitet, “për të inkurajuar sa më shumë përfshirjen e njerëzve, dhe duke dalë nga rrathët e partisë sonë për të krijuar rrathë debati me palët e interesuara”.
“Ky proces mund të ketë pikëpyetje dhe të meta, ashtu sikundër pa dyshim do të ketë dhe kundërshti e do të marrë racionin e vet të baltës, por unë besoj fort se asnjë pikëpyetje, as në të metat e natyrshme as në kundërshtitë, nuk e ul vlerën e këtij investimi strategjik në funksion të lidhjes së punës sonë me njerëzit.
Por është edhe një përpjekje për të kapërcyer një epokë të zymtë sherresh partiake, duke shkuar direkt te njerëzit, jo vetëm në kohë zgjedhjesh, por për të diskutuar pa dallime politike vendime me rëndësi strategjike për vendin. Me këtë ne japim një mesazh për t’u ngritur mbi batakun e luftërave mbipartiake të pafundme e të padurueshme, që e kanë bërë politikën gogolin e njerëzve. Ne i japim vetes një mundësi të re për t’u afruar më shumë me njerëzit, pa i ndarë ata nëpër llogore, nëpër kampe, pa i dalluar në të majtë e të djathtë, por duke bashkuar zemrat, mendjet e forcat tona me të tyret si shqiptarë.
I japim dhe një shans të ri vetë politikës, e cila ka lindur si mundësia e vetme që kanë njerëzit për të diskutuar e zgjidhur probleme, që vetëm si zgjidhin dot kurrë”, tha Kryeministri.
Mes të tjerash, Rama zbuloi se është shtyrë edhe data e mbledhjes së Kongresit të PS, nga 29 janari në javën e parë të muajit prill.
“Me nxitjen e ministres së Shëndetësisë, duke parë dhe shifrat e virusit, vendosëm të shtyjmë datën e mbledhjes së Kongresit më 29 janar”, u shpreh kryeministri Rama.