Mijëra studentë vijojnë të protestojnë përpara ambienteve të Ministrisë së Arsimit. Me thirrjet emblemë ‘E duam Shqipërinë si gjithë Europa!”, studentët janë të vendosur të protestojnë derisa Lindita Nikolla të plotësojë kërkesat e tyre.
Në një moment, disa studentë kanë hedhur vezë dhe letra higjenike në drejtim të godinës së Ministrisë.
”Lindita Nikolla, dil në Bulevard, shkolla është e jona jo biznes privat”, është një tjetër thirrje nga ana e studentëve.
Kurse Redi Shtino, këshilltar në Ministrinë e Arsimit, deklaroi në ‘Wake Up’ në Top Channel: “Shkaktarë në masë të këtij vendimi janë vetë studentët, që me provimet e tyre të mbartura kanë krijuar kosto shtesë për universitetet, duke u paraqitur në një provim aq shumë herë sa kanë krijuar një situatë të papranueshme për Institucionet e Arsimit të Lartë, të cilat më vonë vendosën që të mos e tolerojnë fenomenin. Këto janë statistikat që parashikojnë IAL-të dhe për rrjedhojë erdhi dhe VKM-ja. Politika e administrimit publik bazohet mbi parime bazë dhe , parimet bazë të së drejtës publike dhe të së drejtës administrative parashikojnë që kush shkakton një kosto shtesë duhet të paguajë për to”.