Aktualitet

Këshilltari i Presidenti Meta në Komisionin e Medias: Paketa “Anti-Shpifje”, e rrezikshme!





Na ndiqni në Facebook
               Publikuar në : 13:38 - 23/01/20 |
mapo.al

Komisioni parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik po diskuton dekretin e Presidentit të Republikës nr. 11413, datë 11.01.2020, “Për kthimin e ligjit nr. 91/2019, “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar””, Depozituar më 13.01.2019- ne seancën plenare të datës 30.01.2020.
I pranishëm në komision është edhe këshilltari ligjor i Presidentit Meta, Bledar Dervishaj, i cili në fjalën e tij u shpreh se disa dispozita të kësaj pakete bien në kundërshtim me parimet kushtetuese dhe mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes, duke përbërë rrezik për interesin publik.


“Një pjesë e dispozitave të ligjit janë hap me tendencë pozitive. Presidenti vlerëson ndryshimet e ligjit për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve. Konstatohet se disa dispozita bien në kundërshtim me parimet kushtetuese, sigurinë juridike, mbrojtjen e të drejtës së lirisë së shprehjes dhe shtypit. E nevojshme që dispozitat të rishikohen, pasi përbëjnë rrezik të interesit publik.
Këto dispozita përmbajnë elemente të censurës. U jepet fuqi për masa ndëshkuese para se të ketë një vendim të formës së prerë. Masat ndëshkuese krijojnë hapësira që të aplikohen ndaj mediave online që janë kritike me qeverinë apo nuk i përshtaten vullnetit të saj. Një situate e tillë do e vendoste vendin në kufijtë e autoritarizmit dhe do ndikonte në procesin e integrimit europian. Ligji nuk sjell rregullimin e pritshëm”, tha Dervishaj.



Më poshtë janë edhe arsyet e kthimit të ligjit nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, të bëra publike më parë nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta:


“Pavarësia e pushtetit të medias është thelbi i qenësishëm i funksionimit dhe mbarëvajtjes së shtetit të së drejtës.
Nëse cenohet liria e shprehjes dhe e shtypit, dhe media vendoset nën kontroll politik, atëherë është cenuar dhe rendi i lirë dhe kushtetues, me pasoja direkte dhe shumë të rënda për të ardhmen evropiane të Shqipërisë.
Presidenti i Republikës vlerëson se ky ligj nuk i përgjigjet nevojave të zhvillimit dhe pritshmërive të publikut dhe komunitetit të gazetarëve dhe medias, si dhe nuk garanton mirëfunksionimin e tyre.

Ky ligj, për shkak të këtyre dispozitave shumë problematike, jo vetëm që nuk sjell rregullimin e pritshëm, por për disa çështje thelbësore ai bie ndesh me parimet dhe normat kushtetuese.
Çdo nisëm ligjore që cenon të drejtën e fjalës së lirë, nuk është gjë tjetër vetëm një shkelje e hapur e gjithë parimeve kushtetuese demokratike mbi të cilat qytetarët e Republikës së Shqipërisë, kanë vendosur të ndërtojnë jetën e tyre.
Vendosja e medias në këtë moment nën trysninë e mekanizmave ndëshkues arbitrarë, tregon se gjithë parashikimet e ligjit nr. 91/2019, nuk janë frut i një vlerësimi të cekët të qeverisë dhe të Kuvendit, por një qëllim i qartë me synim vendosjen nën kontroll të medias së lirë dhe minimizimit të zërit kundër dhe kritik.
Pikërisht në kushtet kur mazhoranca aktuale ka mundur që të monopolizojë thuajse të gjithë pushtetet legjislativ, ekzekutiv, pushtetin vendor dhe po bën të gjitha përpjekjet për të vendosur nën kontroll politik sistemin e drejtësisë, mbajtja e pandikuar dhe larg kontrollit e medias së lirë, nuk është vetëm një interes publik, por një mision në drejtim të së ardhmes së vendit dhe ruajtjes së vetë demokracisë.

Presidenti i Republikës, ka ndjekur me shumë vëmendje reagimet e gazetarëve vendas dhe ndërkombëtarë, që e kanë konsideruar median, si degë të katërt të qeverisjes apo “pushtet i katërt”, dhe që në shoqëritë demokratike ka rolin e kërkuesit të llogarisë ndaj pushtetit ekzekutiv, ligjvënës dhe gjyqësor.
Gjithashtu ekspertë të ndryshëm kanë ngritur shqetësimin që përmes vendosjes së gjobave, ligji i shkurajon dhe pengon krijuesit dhe financuesit e portaleve on-line që të vijojnë aktivitetin e tyre. Dhe pas marrjes në analizë të dispozitave të ligjit lidhur me sanksionet, ky shqetësim është real dhe evident.
Veçanërisht në realitetin aktual shqiptar, media ka shërbyer si një mjet për evidentimin dhe ekspozimin e vazhdueshëm të abuzimit me pushtetin. Me ligjin e ri, profesionistët e fjalës së lirë rrezikojnë të braktisin këtë mision të tyre.
Pas vlerësimit të konkluzioneve, qëndrimeve dhe opinioneve të organizatave ndërkombëtare, grupeve të interesit, apo të specialistëve dhe ekspertëve të fushës së medias, në krahasim me përmbajtjen e dispozitave të ligjit nr. 91/2019, rezulton se shqetësimet e tyre janë të drejta dhe duhet të merren në konsideratë.
Parashikimet e ligjit nr. 91/2019, bien ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, si dhe nuk janë frymën dhe parimet e vendosur në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut.
Për këtë Kuvendi duhet të rihapë edhe një herë procesin e konsultimit publik të këtij ligji dhe reflektimin mbi sugjerimet dhe qëndrimet e aktorëve të interesuar.

Nga studimi i thelluar dhe krahasues i ligjit të miratuar në tërësi, konstatohet se disa dispozita të tij dhe konkretisht nenet 14, 15, 29, 30, jo vetëm që nuk janë në harmoni, por bien në kundërshtim me:
Parimet themelore kushtetuese të ndërtimit të një shteti demokratik, sigurisë juridike dhe të proporcionalitetit;
Dispozitat kushtetuese që mbrojnë të drejtën e lirisë së shprehjes, të lirisë së shtypit dhe të drejtës së informimit;
Jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, vendimet e së cilës përbëjnë norma të detyrueshme për zbatim;
Nuk janë në harmoni me standardet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.
Në formën që këto dispozita janë miratuar cenojnë jo vetëm parimet themelore kushtetuese, por ato përbëjnë rrezik për cenim të interesit publik, i cili garantohet edhe përmes ushtrimit të lirisë së shprehjes, lirisë së shtypit dhe së drejtës së informimit, të drejta këto të domosdoshme për një rend demokratik, të lirë e kushtetues.
Miratimi i këtyre dispozitave në thelb përmban elementë censurues të drejtpërdrejtë që kufizojnë të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të medias.

Kjo gjendje censure krijohet përmes aplikimit të masave ndëshkuese jo proporcionale që këto dispozita parashikojnë.
Hyrja në fuqi e këtyre ndryshimeve do të krijojë një mjedis arbitrar dhe të pasigurt ndaj operatorëve mediatikë elektronikë, për shkak të trysnisë së aplikimit pa kriter dhe subjektiv të masave ndëshkuese shproporcionale që parashikon ligji i miratuar.
Mekanizmat jo proporcionalë të forcës ndëshkuese që përmbajnë ndryshimet ligjore të miratuara, krijojnë hapësirë që ato të aplikohen përkundrejt mediave online që janë kritike me punën e qeverisë. Kjo e fundit përmes përfaqësuesve të saj në organet vendimmarrëse dhe kompetencave që këto organe marrin, ka të gjitha mundësitë të shfrytëzojë këtë bazë ligjore që lejon interpretim subjektiv, të ndëshkojë në mënyrë të padrejtë çdo media e cila nuk i përshtatet vullnetit politik të shumicës.
Ky realitet do të prodhonte frikësimin dhe autocensurën, mbylljen apo pezullimin me pa të drejtë të mediave elektronike, duke ndikuar drejtpërdrejtë në cilësinë dhe objektivitetin e informacionit, çka do të prodhonte furnizimin e publikut me fakte ndryshe nga realiteti, që jo vetëm keqorientojnë shoqërinë në kërkimin e të drejtave të tyre, por dhe në përmbushjen e përgjegjësive qytetare për ndërtimin dhe ruajtjen e vetë demokracisë.

Një situatë e tillë do e vendoste vendin në kufirin e një autoritarizmi, që do të përbënte rrezik për të ardhmen dhe integrimin e Shqipërisë, si edhe ekzistencën e vetë demokracisë funksionale në vend.
Nëpërmjet mekanizmave ndëshkues dhe organeve vendimmarrëse që mund të vendosin sanksionet ndëshkuese, tenton vendosjen nën kontroll politik të operatorëve mediatikë, veçanërisht medias elektronike, gjë e cila do të përbënte cenim të rëndë të së drejtës për t`u shprehur dhe për informim.
Nëse norma ligjore e sapomiratuar nuk përmirësohet, atëherë problematika, kryesisht ajo e ndikimit politik, do të krijonte efektin e kundërt, pikërisht atë të krijimit të shqetësimeve dhe problematikave të reja, duke bërë të pamundur jo vetëm zgjidhjen e atyre që tashmë ekzistojnë, por për më tepër do të krijonte një kakofoni të vërtetë në një fushë që po has vështirësitë e veta rregulluese.
Ky ligj, do të sillte si pasojë, uljen e rasteve korruptive dhe fenomeneve negative të denoncuara nga media, gjë e cila është një cenim i pamatshëm dhe i drejtpërdrejtë të zbulimit dhe denoncimit të së vërtetës dhe që shkon në favor të qeverisjes dhe në disfavor të interesit publik
Parashikimet e nenit 14, pika 1 germa “c”, dhe të nenit 15 të ligjit nr. 91/2019 dhe aplikimi i tyre në praktikë, cenon lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias të drejta këto të mbrojtura dhe të garantuara nga neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, në nenet 5, 11/3, 17, 22, 23 të saj.
Referuar këtyre parashikimeve të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë dhe Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut, rezulton se Kuvendi i Shqipërisë me miratimin e ligjit nr. 91/2019, ka kapërcyer kufijtë e autorizimit kushtetues, përmes kompetencave që Kuvendi i Shqipërisë i ka dhënë me ligj organeve vendimarrëse të Autoritetit të Medias Shqiptare (AMA), duke krijuar terren për cenim të drejtpërdrejtë të lirisë së shprehjes.
Duke qenë se organet e pavarura raportojnë përpara Kuvendit të Shqipërisë mbi veprimtarinë e tyre, ndikimi dhe presioni politik mbi to, është i pritshëm që të vijë nga shumica paralementare. Kuvendi i Shqipërisë, së fundmi ka treguar se ndaj çdo anëtari të organeve të pavarura i cili ka shfaqur kriticizëm ndaj punës së qeverisë, Kuvendi është agresuar deri në ndërmarrjen e nismave të shkarkimit të këtyre anëtarë. Këtu mund të përmendet edhe rasti i shkarkimit të zotit Arben Malaj nga detyra e anëtarit të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë.
Këto fakte dhe sjellja e qeverisë në mënyrë agresore ndaj medias në tërësi dhe sulmi përkundrejt tyre me fjalë fyese e denigruese krijojnë bindjen se shumica qeverisëse do të shfaqë herë pas here presionin e saj për ndikim të vazhduar ndaj organeve në varësi të saj.

Për më tepër, gjendja reale ku operon media shqiptare në tërësi, sipas konkluzioneve të organizatave prestigjioze ndërkombëtare është përkeqësuar, dhe kjo faktohet nga:
Zbritja me 7 vende në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”;
Përfundimet e raportit vjetor të “Freedom House”, sipas të cilave: “Media në Shqipëri është pjesërisht e lirë”.
Konkluzionet e “Misionit për lirinë e medias” të shtatë organizatave globale, ku theksohet se, “autoritetet shqiptare nuk po përmbushin detyrimet ndaj ligjit vendas dhe instrumenteve ndërkombëtare për të garantuar lirinë e shprehjes dhe të medias, duke theksuar se ka pasur një përkeqësim të sigurisë, kushteve të punës dhe aksesit në informacion të gazetarëve”;
Raporti paraprak i vëzhgimit i OSBE/ODIHR për monitorimin e procesit të votimeve qershor 2019, që ka nënvizuar se, “mediat e mëdha u shërbejnë si platforma lobuese pronarëve të tyre, duke vënë kështu në pikëpyetje pavarësinë e tyre editoriale dhe duke imponuar autocensurën”.
Gjithashtu, në kushtet kur Kuvendi i Shqipërisë që prej mëse 1 viti po funksionon përmes një numri të kufizuar të deputetëve 122 nga 140, si dhe kur përbërja e tij aktuale e tij, nuk përfaqëson plotësisht vullnetin e popullit dhe ku mekanimat e kontrollit brenda tij nuk janë funksionalë, tregon qartë se ky organ ka rënë nën kontrollin e ekzekutivit, ndërkohë që do të duhej të ishte e kundërta.
Në këtë mënyrë, është e kuptueshme që edhe organi i AMA-s, anëtarët e tij, do të vijojnë të jenë nën trysninë dhe presionin politik të qeverisë, për të përmbushur qëllimin e saj për emërimin apo vendosjen në këto organe vendimarrëse njerëz të lidhur me këtë të fundit. Në këto kushte dhe duke analizuar mënyrën e ngritjes dhe organizimit të AMA-s, rrezikohet që dhe mënyra e konstituimit dhe vendimmarrja e Këshillit të Ankesave të bjerë nën ndikim të theksuar të mazhorancës qeverisëse në çdo kohë.
Përmes mënyrës se si janë ndërtuar dispozitat e ligjit dhe fuqisë interpretuese dhe rregullatore që i është lënë AMA-s, ekziston rreziku që ofruesit e shërbimit të publikimeve elektronike, nga denoncues të fenomeve negative të shoqërisë dhe të keq qeverisjes, do të kthehen në të kontrolluar prej kësaj të fundit, subjekt auditimi dhe ndëshkimi. Kjo do të cenonte pozitën aktuale që media në tërësi ka fituar, si një prej instrumenteve më të fortë që bën të mundur që mekanizmi i kontrollit dhe balancës të funksionojë.
Duke analizuar në përgjithësi frymën e ligjit nr. 91/2019, vlerësohet se ofruesit e shërbimit mediatik, kryesisht ata të publikimeve elektronike, rezulton se, ata do të vendosen gjithmonë e më shumë në pozicionin e të akuzuarit, për të provuar pafajësinë e tyre për çdo rast të ankimuar. Një pozicion i tillë në të ardhmen do të sjellë natyrshëm stepje nga ana e tyre, veçanërisht për publikimet që i përkasin ngjarjeve apo fakteve që lidhen me veprimtarinë dhe personat publikë apo me skandalet qeveritare të denoncuara për përfshirje në veprime korruptive.
Nenet 29 e 30 të ligjit nr. 91/2019, përcaktojnë masat ndëshkimore dhe sanksione administrative financiare të cilat cenojnë rëndë parimin kushtetues të proporcionalitetit si përsa i takon masës dhe mënyrës së ekzekutimit të tyre, duke u kthyer në një mjet të përshtatshëm për ushtruesin e autoritetit publik për vendosur nën kontroll pushtetin mediatik dhe tregun e medias në tërësi, me pasoja të rënda për demokracinë dhe rendin kushtetues.
Për më tepër, në nivelet e miratuara të sanksioneve, marzhi i sanksioneve financiare mes nivelit minimal dhe maksimal, është tepër i lartë, ndërkohë që ligji vetë në përcaktimin e këtyre niveleve të sanksioneve nuk ka përcaktuar asnjë parim apo orientim mbi metodologjinë e përzgjedhjes në një rast konkret, të masës konkrete të sanksionit, mes nivelit minimal dhe maksimal që ofron dispozita.
Kjo paqartësi ligjore sa i përket dispozitës së sanksioneve financiare, krijon jo vetëm pasiguri juridike, por edhe hapësira reale që këto sanksione të aplikohen në mënyrë jo objektive dhe jo proporcionale.
Nëse dispozita të kësaj natyre do të hynin në fuqi, ato së bashku me paqartësinë dhe hapësirën që krijojnë edhe dispozitat e tjera të ligjit të arsyetuara më lart, krijojnë të gjitha mundësitë që çdo ofrues i shërbimeve të publikimeve elektronike online, të ndëshkohet në mënyrë permanente me masa ndëshkimore të padrejta, të cilat duke u vendosur në ekzekutim të menjëhershëm, do të sillnin kolapsin ekonomik të ofruesit të shërbimit dhe rrjedhimisht bllokimin e aktivitetit të tij.
Klima e pasigurisë juridike dhe frika e ndëshkimit krijon dhe pasiguri ekonomike për këta ofrues të shërbimeve të publikimeve elektronike, duke i bërë të prirur edhe drejt vetëcensurimit të materialeve që do të publikojnë, për të garantuar vijimin e aktivitetit të tyre ekonomik dhe profesional.
Kjo do të sjellë për rrjedhojë një frenim të të gjitha formave të ushtrimit të të drejtës së opinionit, idesë, komenteve, kundërshtive etj., të cilat janë mjetet e vetme që këta ofrues kanë kryesisht përkundrejt qeverisjes, forcave politike apo korporatave të ndryshme.
Për gjithë sa u parashtrua më sipër, me qëllimin e vetëm përmirësimin e ndërhyrjeve në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, në bindje të Kushtetutës dhe në zbatim të nenit 85, pika 1, të saj kam vendosur kthimin për rishqyrtim të ligjit nr. 91/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar”, në mënyrë që ky ligj të përmirësohet jo vetëm në dispozitat e neneve 14, 15, 29, 30 të arsyetuar më sipër, por në mënyrë tërësore në të gjithë dispozitat e tij, pasi rishikimi dhe përmirësimi i tyre, nën frymën e respektimit të parimeve kushtetuese, do të kërkonte edhe ndryshime në dispozita të tjera të ligjit që janë të lidhura procedurialisht dhe materialisht me to”.



Pas