Kur në vitin 1987 mbaroi 1 muaj aksion në Plug të Lushnjes dhe ne po niseshim të hipnim në autobuz që të ktheheshim në Tiranë, një shoqe e jona, hodhi një gur mbrapa – që donte të thoshte: mos u kthefsha më këtu.
Nuk ka asgjë apokaliptike tek Covid-19, që të justifikojë masat apokaliptike mes të cilave po përdhunohet çdo liri e njerëzve.
Këto muaj që nga Marsi e këtej kemi dëgjuar masa nga më të ndryshmet, të cilat po t’i shohësh ftohtë janë masa që synojnë kontrollin e mendjes dhe të jetës, por kurrsesi nuk kanë lidhje me mbrojtjen e shëndetit.
Për shembull, Muzika, si mbartëse e Covidit u ndalua sot. Se kështu fillon me muzikën. Në fillim vendoset ndalim orari, pastaj fillojnë ndalohen llojet e muzikës. pastaj tak, Festivali i 11. Javën tjetër, të hënën fillon aksioni për prerjen e flokëve të gjata dhe grisjen e pantallonave kauboj…
Kështu, sapo të ndodhë që të hapen rrugët për në Perëndim, shqiptarët do turren të largohen nga ky vend dhe nuk do i kthejnë sytë mbrapa as për pozitë e as për opozitë.
Si ajo shoqja ime kur u larguam nga Plugu. Po kështu, oligarkët që kanë shumë syresh në thes, do e kenë më në fund Shqipërinë bosh, gati për emigrantët e vet, të cilët kanë kohë që i kanë paketuar.
Nëse vjen i fortë sinjali nga Perëndimi se nuk hapen rrugët, atëherë shqiptarët do hyjnë në ambasada.