E paharrueshme dita kur im atë më solli librin e “Këndimit”
Bashkëbisedoi Mark Simoni
Çfarë ka ndjerë Sulejman Pitarka si njeri, si aktor e si krijues në përvjetorin e tij të lindjes?
E kam shumë të vështirë, sidomos për mbas gjithë atyre që u shkruan për mua, dhe druhem se do të përsëris ndonjë gjë nga ato që kanë thënë të tjerët për mua dhe unë për vete.
Sado që përsëritja është nëna e dijes, kur ajo teprohet kthehet në të kundërten e vet. Megjithëse kjo që do të them në fillim mund të ishte dhe fundi i një bisede. Them se të gjitha ato që kam menduar gjatë gjithë jetës sime 60 vjeçare, kam menduar se njeriu – dhe këtë porosi ua kam dhënë dhe dy fëmijëve të mi – duhet të jetojë e të punojë asisoji që të mos vijë dita e të pendohet për çfarë ka bërë e për çfarë nuk ka bërë. Jo për lëvdatë por, me gjithë mend, u jam mirënjohës gjithë kombit tim, ashtu dhe të parëve të mi, prej të cilëve kam trashëguar në një farë mase veti, të cilat më kanë ndihmuar të orientohem për të bërë edhe unë diçka me vlerë.
Do ta nis nga gjyshi im. Quhej ashtu si dhe unë, Sulejman Pitarka. Për këtë njeri dhe vjershëtor popullor më ka folur gjatë shkrimtari Haki Stërmilli, i cili, në rini të tij, bashkë me Ramiz Varvaricën, dhe shokë të tjerë i rrinin afër tim gjyshi, dhe shkruanin vjershat apo bejtet që thoshte ai. Për këtë Haki Stërmilli ka shkruar në librin e tij “Burgu” dhe në përmbledhjen me pjesë të folklorit dibran “Fyelli i Dibrës”, botuar në revistën “Visaret e Kombit”. Më vonë Haki Stërmilli kërkoi të më njihte edhe mua, mbasi kishte lexuar në gazeta dhe revista të viteve ’40 disa nga poezitë e mia lirike, dhe dy vjersha patriotike. Në fund të takimit u ndamë duke më thënë se, po t’i ngjaja gjyshit tim qoftë dhe sa një e njëqinta pjesë e tij, duhej të isha i lumtur.
Me anë të poetit të atëhershëm Tanush Ismailati (Tanis), më dërgoi të fala,dhe kërkoi të më njohë dhe poeti ynë i madh Lasgush Poradeci. Jam nisur tre herë nga Durrësi në Tiranë, dhe e takoja në punën e tij që bënte si bibliotekar. Aty ku tashmë është Teatri Kombëtar.
Unë përfitova shumë dhe nga prindërit e mi që më dhanë një edukatë sa qytetare, aq dhe terrenin paraprak të artit. Babai im ishte një mjeshtë në tregimin e përrallave, ndërsa nëna, bijë avokati, ishte shumë e talentuar në të folurën e gjuhës, dhe sidomos në imitimet e saj. Iu jam mirënjohës mësuesve të mi, shkrimtarëve (shqiptarë dhe të huaj), dramaturgëve, regjisorëve, dhe kolegëve të mi aktorë.
Jeta juaj artistike është një nga më interesantet, dhe kalendari artistik i Sulejman Pitarkës, është njëri nga më brilantët që ka arti pamor shqiptar. Çfarë keni për lexuesin tonë, që e ka përcjellë me respekt emrin tuaj?
Pasioni më i madh në fëmijërinë dhe rininë time ka qenë gjuha dhe leximi. E pa harrueshme për mua është dita kur im atë më solli librin e “Këndimit”, të cilin e bënim në të dytën fillore. Nuk më pritej gjer sa të fillonte klasa e dytë e shkollës. Pastaj që nga gjuha kalova tek hartimi, e që këtej në shkrime e krijime vjershash, skicash letrare dhe më pas në dramaturgji. Shkrova vjersha satirike te “Hosteni” dhe tek “Ora gazmore”, e pastaj skeçe, dialogje për estradën, pjesë me një akt dhe shtatë drama. E para dramë ka qenë “Familja e peshkatarit”, dhe pastaj “Heronjtë e Linasit”, “Udhëkryqe e Barikada”, “Kulla e Hutajve”, “Hakmarrja Arabe”, etj. si dhe dramatizimin e veprës së Gorkit “Nëna e tradhtarit”.
Rruga ime e aktrimit nis me ca role në grupin artistik të Ushtrisë, shtatë role në teatrin e shtëpisë së kulturës Durrës, dhe me 1961 u pranova si aktor profesionist në Teatrin Popullor. Shfaqjen e fundit në dramën “Familja e Peshkatarit” e kam luajtur në Greqi në vitin 1984. Unë aty luaja rolin e Jonuz Brugës, përsonazh që e kisha shkruar me shumë dashuri, dhe me kaq dashuri e interpretova.
Madje mund t’iu them se për “Familjen e Peshkatarit” më është dashur të bëj katër variante, mbasi varianti i parë qe më i gjatë se sa duhej. Në ’72, ’73, dhe ’78 kemi dhënë disa drama dhe për shqiptarët e Kosovës dhe Maqedonisë. Ndërsa “Epoka para gjyqit” e kemi luajtur në Zvicër, me 1990, ku Kadri Roshi luante Abdyl Frashërin, ndërsa unë Sulejman Vokshin. Drama u prit shumë mirë, mbasi pjesa më e madhe e atyre që e ndiqnin qenë atdhetarë kosovarë.
Sa pjesë ka zënë kinemaja në volumin e madh të jetës suaj artistike?
Një prej pasioneve të mia të mëdha ka qenë patjetër dhe kinematografia. E fillova në vitin 1952 si figurant në filmin “Skënderbeu”. Në filmin “Skënderbeu”, në rolin e Heroit tonë ishte aktori i madh rus me origjinë gjorgjiane Hakaki Orava. Regjisori ishte Jutkeviç. Nga artistët tanë luanin Naim Frashëri, Mihal Popi, Ndrekë Shkjezi, ndërsa unë qeshë në rolin e njërit prej princave, figurant. Pas kësaj, përsëri me rusët, (me regjisorin Ozerov), kemi xhiruar në Rusi, për afër gjashtë muaj filmin “Furtuna”, me aktorët rusë Griçenko dhe Shengllaja, si dhe me shumë aktorë shqiptarë.. Filmime të shumta bëmë sidomos në brigjet e Detit të Zi.
Kam luajtur rolin e mësuesit te “Debatiku”, te “Horizonte të hapura”, ndërsa te filmi “Tinguj lufte”, kam luajtur së bashku me djalin tim të dytë Rubinin, si baba dhe bir. Në fund kam luajtur Zheleznovin tek “Ballë për ballë”. Ndërsa në vitin 1994 tek filmi franko-shqiptar “Larg barbarëve”, me regjisore Liri Begenë, francezen me origjinë shqiptare, luajta së bashku me Timo Fllokon, Pirro Manin etj. Ky film mori pjesë dhe në Festivalin e Venecias, si dhe u shfaq ne Los Angjelos, Nju Jork e San Françisko. Asistent regjisor qe i talentuari Saimir Kumbaro.