Aktualitet

Këto ndjesi janë ndjesitë universale të dashurisë





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 14:50 - 28/06/20 |
Nga Mark Simoni

(Intervistë me studiuesen Jonela Spaho, autore e librit “Kristo Floqi, koha dhe vepra e tij letrare”)


Bashkëbisedoi: Mark Simoni


-A është koha që e imponon misionin, apo vetë misioni i jep kuptim kohës dhe situatës në të cilën zhvillohet një vokacion i fortë letrar, patriotik, shoqëror etj. Në këtë kontekst si mund të na e formatoni Kristo Floqin?


Në rastin e Kristo Floqit mendoj se zënë vend të dyja alternativat. Duke iu referuar veprimtarisë së tij, dy dimensionet kryesore të aktivitetit të këtij autori kanë qenë atdheu dhe kultura. Nëse analizojmë aktivitetitin patriotik, sigurisht, koha impononte një angazhim në sfidat e mëdha kombëtare në të cilën duhej të grumbullohej energjia dhe potenciali i burrave të mençur dhe idealist të kombit, prandaj Kristo Floqi u bë pjesë e misionit që i përcaktoi koha, por dhe i dha kohës vulën e vet. Për sa i përket aktivitetit të tij letrar do të thoja se ai është një themelues zhanri dhe lëvrues i një gjinie shumë pak të zhvilluar në letrat shqipe siç ishte dramaturgjia.


Kristo Floqi, i ushqyer në burimet e pasura të letërsisë greke, i pajisur mbas studimeve universitare në Athinë edhe me kulturë perëndimore e amerikane, në vitet e fundit të shekullit të 19-të dhe fillimit të shekullit të 20-të, i ka pasur të gjitha mundësitë që të japë diçka me të vërtetë kualitative në proceset e zhvillimit të letërsisë shqipe, dhe kur flasim për rolin e K. Floqit në lëvrimin e fjalës shqipe, kemi padyshim parasysh, së pari, krijimtarinë e tij në fushën e komedisë.

Vetëm në fillim të shekullit të 20-të, në Shqipëri drama lindi, të paktën, si gjini e pavarur letrare. Në harkun kohor të viteve 1912-1939, në dramaturgjinë shqiptare u vu re mbizotërimi i komedisë. Ky fakt do të shpjegohej ndoshta me disa përparësi që ka ky lloj i gjinisë dramatike. Lëvrimi i komedisë, si lloj i gjinisë dramatike, është shprehje e zhvillimit dhe emancipimit shoqëror, e forcimit të vetëdijes kritike të një shoqërie që synon të integrohet në proceset moderne të jetës së saj. Meredit pohon se komedia është qytetëruesi ynë final dhe përfundimtar. Këtë e ka kuptuar mirë dhe Kristo Floqi, ndaj komeditë e tij kanë kryer funksionin e tyre emancipues e civilizues në shoqërinë shqiptare të kohës kur ai jetoi. Zhvillimi i komedisë te ne, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, lidhet në mënyrë të pashmangshme me kushtet dhe kërkesat e shoqërisë shqiptare të kohës.

Kristo Floqi e kapi pikërisht këtë nevojë, jo vetëm të letërsisë shqiptare, por dhe të shprehjes së mendimit të lirë mbi një sërë dukurish që shqetësonin shoqërinë e kohës kur ai jetoi, ndaj mprehu penën e satirës dhe të humorit duke shkruar një numër të konsiderueshëm veprash të zhanrit komik. Kështu, në periudhën e viteve 1912-1927, ai shkroi komeditë: “Vllazni e interes” (1920), “ Ministri  kandidat” (1921), “Kundërshtarët e prikës” (1922), “E  bija e bankjerit” (1922), “Dhëndër me përdhuni” (1922), “Merre ta marrim” (1922), “Zi e me Zi” (1923), “Pësimet – mësime” (1923), “Rrogat e nëpunësve” (1923), “Akraballëket” ( 1925), “E mbesa e krahinarit” (1926), “Reklama e blof” (1926), “Doktorllëqet” (1927) etj. Ai shkroi pjesën më të madhe të komedive të tij kur në Shqipëri po ndodhnin ndryshime të ndjeshme shoqërore dhe politike. Kaosi i jetës politike pasqyrohej qartë dhe në jetën shoqërore, në mënyrat e jetës, mendësitë dhe mentalitetet patriarkale. Trupat e teatrove amatore që ishin krijuar në gjithë vendin, kërkonin material për skenën.

Komeditë e K.Floqit patën një reagim pozitiv nga publiku, pasi ai vuri në qendër të tyre probleme të mprehta që shqetësonin shoqërinë e kohës kur ai i shkroi ato, apo probleme që kishin të bënin me aspekte të ndryshme të jetës familjare. Gama e problemeve që trajton ai, në komeditë e tij, është e gjerë dhe duket se autorit nuk i ka shpëtuar asnjë fenomen dhe dukuri negative. Ai preku probleme të rëndësishme që kishin të bënin me gjendjen e arsimit shqiptar, me sistemin gjyqësor, me financat dhe infrastrukturën e vendit.

Në to veprojnë një galeri e tërë personazhesh që fillojnë që nga majat e pushtetit e shkojnë deri te njerëzit e thjeshtë, të cilët janë bartësit e veseve dhe deformimeve morale. Shpesh në veprat e tij gjejmë dhe momente psikologjike e vlera universale, gjë që i bën veprat e tij aktuale dhe sot, pasi një pjesë e personazheve nuk janë të lidhura vetëm me rrethanat dhe mjedisin shqiptar, por mund t’i përshtaten çdo mjedisi, çdo populli, çdo kohe dhe çdo vendi.

Vlen për t’u theksuar fakti se, duke vërejtur repertoret e teatrove në qytetet kryesore të Shqipërisë (atje dhe ku u zhvillua lëvizja teatrore ), emri i tij qëndron në krye të listës. Kjo vërteton dhe njëherë faktin se këto pjesë, me mesazhet që ato përcillnin dhe frymën emancipuese, u preferuan në masë të gjerë. Kristo Floqi gjeti vokacionin e tij kryesisht në zhanrin komik dhe i dha atij individualitetin artistik, por siç thamë ishte dhe kërkesa e shoqërisë shqiptare që kërkonte të hynte në rrugën e ndryshimit të vet.

-Nëse do të njihej mirë nga lexuesit dhe studiuesit energjia intelektuale e viteve ‘30, a mendoni se ajo do të qe një bazë e sigurt për kulturën tonë?

Periudha që përfshin 3 dekadat e para të shekullit të XX, është një periudhë e rëndësishme e letërsisë shqiptare, e cila do të shënojë një hap në progresin estetik të mendimit letrar shqiptar dhe një zhvillim të mëtejshëm të letërsisë sonë kombëtare, siç pohon dhe studiuesi i kësaj letërsie Sabri Hamiti.Në këtë periudhë do të dalin autorë dhe vepra rë reja, si dhe fenomene novatore. Letërsia pasurohet në këtë periudhë me stile e gjini të reja që nuk patën zhvillim më parë. Kjo letërsi përfton një këndvështrim të ri, jo vetëm në zgjerimin e tematikës dhe boshtit ideor, por edhe në zbatimin e stileve dhe metodave të reja krijuese.

Ajo zëvendëson vetëdijen patriotike me atë sociale dhe sjell një dimensionim të ri që është vlerësimi i letërsisë si art dhe jo si qëllim në shërbim të një çështjeje. Kjo dëshmon se letërsia shqiptare po hynte me dinjitet në fazën e modernitetit të saj, gjë që për fat të keq nuk vazhdoi gjatë, sepse pas marrjes së pushtetit nga komunistët, letërsia shqipe hyri në kornizat e ngushta të realizmit socialist,duke prodhuar vepra që nuk i rezistuan kohës, ndryshe nga veprat letrare të fillimit të shekullit XX, të cilat mbartin vlera aktuale dhe antologjike të padiskutueshme edhe për lexuesin e sotëm.

Sigurisht, duhet të njihet mirë kjo periudhë që hodhi themelet e një kulture të re letrare, solli në fokus vetëdijen për krijimin artistik dhe ktheu vëmendjen drejt fatit të individit. Kjo letërsi i vinte në ndihmë lexuesit shqiptar që po përgatitej për një kohë tjetër dhe në frymën edhe të letërsisë europiane synonte të krijonte në letërsinë shqiptare modele të ngjashme me situata tipike shqiptare, me doke, zakone, psikologji dhe individualitet të spikatur shqiptar.

-Ju duheni përshëndetur jo vetëm që keni nxjerrë nga harresa dhe pluhuri një figurë poliedrike, por pikë së pari, keni bërë një punë serioze të nivelit akademik, një studim shumëdimensional për Kristo Floqin. A mund të kemi për lexuesin një ide mbi harmoninë e jetës së tij dhe veprës që shkroi?

Nuk ishte e lehtë të punoje në një terren të zbrazët, pasi mungonin jo vetëm shkrimet historiografike letrare, por edhe veprat dhe të dhënat mbi jetën e autorit. Kërkimi zgjati disa vite derisa u bë i mundur realizimi i studimit në fjalë. K.Floqi ka një aktivitet të dendur në fushën politike të gjysmës së parë të shekullit XX, si ministër i Arsimit, deputet i Dibrës dhe i Korçës dhe Këshilltar Shteti. Ai ka qenë një nga juristët më të shquar të kohës, sepse është organizues i drejtësisë shqiptare në qeverinë e Ismail Qemalit, Kryetar i Gjykatës së parë në Shqipëri, botues dhe përkthyes i literaturës juridike në shqip.

Veçanërisht, duhet përmendur aktiviteti i tij si patriot dhe publicist, sepse ai ishte pjesëmarrës i rretheve patriotike për dëbimin e pushtuesve të huaj, delegat i Kongresit të Triestes, themelues i Federatës Panshqiptare “Vatra”, në Amerikë, bashkë me F.Nolin dhe F.Konicën dhe Komitetit ”Shqipëria e Re” në Milano, bashkë me Xh.Skiroin dhe K.Seremben. Gjithashtu, ai ka refuzuar në mënyrë të vendosur ndryshimin e sistemit qeverisës në Shqipëri; nga republikë në monarki, duke dalë hapur dhe i vetëm me fjalimet e tij ne parlament kundër shpalljes së Zogut si mbret i shqiptarëve.

Kristo Floqi është botues i së përjavshmes “Dielli” në Boston, “Zëri i popullit”, në Nju Jork, i të përmuajshmes “Agimi” në Shkodër, i gazetës “Indipendenca Shqiptare” në Tiranë etj.

Por Kristo Floqi është dhe një nga shkrimtarët më të rëndësishëm të periudhës, i cili shkroi dhe botoi rreth 20 komedi dhe farsa, katër drama, një tragjedi, ndërsa si poet ai u paraqit me vëllimet “Tingëllimat e zembrës”, “Shkëndija ose antologji shkollore” dhe me poemat “Dëshmorët e Rilindjes” dhe “Shqyptarët”.

Kristo Floqi shquhet po ashtu edhe si një nga autorët e mirënjohur të dramave të kësaj periudhe. Me mjeshtëri artistike, K.Floqi ka përhapur në dramat e tij aspiratat jetike dhe problemet e shpirtit dhe mentalitetit shqiptar, ka artikuluar anët më të ndërlikuara të problemeve ekzistenciale, me të cilat përballej populli në çastet e tij më dramatike. Duke pasqyruar, pikërisht këto probleme esenciale, të gjitha dramat e tij u bënë të pëlqyeshme dhe të mirëpritura nga publiku i kohës.

Ai ka shkruar gjithashtu në zhanrin epik dhe atë lirik si dhe në lëmin e letërsisë për fëmijë. Është ndër të parët autorë të viteve ‘30 të shekullit të kaluar që boton një vëllim vetëm me lirika dashurore (edhe kjo shenjë emancipimi për letërsinë shqiptare) dhe pjesa më mirë e këtyre poezive, që u muzikuan dhe u bënë këngë, jetojnë në jetën, e qytetarëve korçarë dhe më gjerë, duke u kthyer kështu në pjesë të identitetit të tyre kulturor dhe shpirtëror. Në disa raste, Kristo Floqi, në vargjet e tij, ka bërë një adaptim të tekstit nga veprat operistike të kompozitorëve të mëdhenj, apo nga ndonjë këngë e huaj që ishte bërë e njohur në atë kohë. Qëllimi i kësaj pune, ishte të përhapte një kulturë muzikore në realitetin e këtyre viteve.

Natyrisht ky ishte një rol misionari, një kontribut i çmuar që dhanë këta njerëz të shquar e të mençur që e dinin ç’ishte kultura dhe ç’rol luante ajo në një shoqëri që po kalonte nëpër krizën e identitetit të saj. Prandaj kjo kulturë, e më saktë kjo kulturë muzikore, të cilën ai kërkonte të përhapte me vargjet e tij, ishte një urë që lidhte Shqipërinë me perëndimin dhe kulturën e tij.

-Studimet e Floqit a mendoni se duhet të merren si manuale apo çelësa që na ndihmojnë për të kuptuar elemente të letërsisë së viteve ‘30?

Studimi në fjalë, duke analizuar dhe specifikuar aspekte të rëndësishme të aktivitetit patriotik e politik, si dhe aspekte të rëndësishme të veprave letrare të Kristo Floqit, synon t’i japë vendin që i takon Kristo Floqi në panteonin e kulturës sonë kombëtare. Në tërësi, krijimtaria e tij për sa i përket realizmit artistik lë për të dëshiruar, por studiesit dhe hartuesit e Historisë së Letërsisë Shqipe duhet të bëjnë pjesë të saj dhe veprën e këtij autori.

Duke u nisur nga kontributi që solli ai në zhvillimin e gjinive pak të lëvruara, apo me lëvrimin e gjerë të llojit poetik, pa përmendur këtu publicistikën dhe shkrimet e tjera me karakter historik dhe kulturor, arrijmë në përfundimin se në radhën e shkrimtarëve shqiptarë të traditës duhet të rreshtohet dhe Kristo Floqi.

Vepra e tij komike meriton vëmendje dhe studim më të thelluar, sidomos për të vënë në duke tendencat pozitive dhe cilësore të veprës së tij dhe në kuadrin e përgjithshëm të zhvillimit të komedisë sonë, në gjysmën e parë të shekullit të 20-të. Problemi më i madh që haset në interpretimin dhe pozicionimin e veprës së tij qëndron në raportin midis kohës kur u shkrua vepra, specifikave të procesit historik letrar, receptimit të veprës nga lexuesit e kohës, me këndvështrimin e sotëm të interpretimit të kësaj letërsie.

Krijimtaria e tij letrare përbën një hallkë në procesin letrar shqiptar që nuk mund të nënvlerësohet e mos merret parasysh, edhe pse sot, nga këndvështrimi bashkëkohor i historianit të letërsisë vlerat estetike të veprës mund të dalin të zbehta, por siç thotë dhe Gademar vepra letrare duhet interpretuar si një dialog mes së shkuarës dhe së tashmes dhe në këtë kontekst duhen parë dhe vlera e këtij autori dhe të tjerëve si ai.

Pa marrë në konsideratë veprën e tyre nuk mund të përfytyrohet qartë e saktë procesi letrar kombëtar në rrjedhën e zhvillimit të tij historik, nuk mund të përcaktohen qartë as rrymat dhe drejtimet letrare në letërsinë tonë, siç ndodh dhe në letërsitë e vendeve të tjera.

Këta shkrimtarë, në hartimin e një historie të letërsisë shqiptare duhen trajtuar në tërësinë e rolit historik dhe artistik që ata luajtën në zhvillimin e letërsisë si një proces shumëplanësh e mjaft kompleks. Këto vepra mbajnë një substrat të përbashkët dhe duke i lexuar i japin kënaqësi edhe njeriut bashkëkohor, duke i zgjuar ndjesi dhë ëndrra, që ritmi i kohës moderne i shpërndan, por që na tregon se këto ndjesi janë ndjesitë universale të dashurisë, mirësisë, virtytit, idealit, ëndrrës dhe shpresës për një jetë më të mirë, që flenë në ëndërrimet e njeriut të çdo epoke.


Etiketa:

Pas