Aktualitet

Kim: Ishim me PD kur mori pushtetin në vitin 1992, presim të festojmë sërish














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 10:07 - 25/09/21 |
mapo.al

Çfarë po gatuhet në Uashington? Ambasadorja Yuri Kim, vetëm pak orë pas kthimit nga SHBA ka vrapuar për në zyrën e Bashës ku ka qëndruar për 40 minuta. Deklaratat e bëra më pas kanë qenë të drejtpërdrejta, ku ka kujtuar dhe vitin 1992, dhe kontributin e SHBA-ve për ardhjen e PD-së në pushtet. Kursi amerikan duket se ka ndryshuar shumë pas vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës, ndërkohë që ky i fundit do jetë sot në Vlorë për “Foltoren” e radhës






Ambasadorja Yuri Kim do qëndronte gati 40 minuta në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. E sapo kthyer nga Uashingtoni ajo do jepte disa mesazhe të qarta, për sa i përket rrugëtimit se ku duhet të ecë tashmë e tutje forca kryesore e opozitës. Nuk la pa përmendur marrëdhënien e veçantë që SHBA-të kanë me PD-në, dhe kujtoi se shteti i madh ishte aty në vitin 1992, kur e djathta erdhi në pushtet, duke u shprehur se shpreson që të mund të festojë sërish për ardhjen e saj në pushtet, megjithëse Shqipëria sapo doli nga një palë zgjedhje.


Larg petkut diplomatik, Kim do shprehej se të gjithë ata që kërkojnë të nxisin urrjetje mes SHBA dhe popullit shqiptar e kanë gabim. Ishte, Amerika do thoshte zonja Kim shteti që në vitin 1919, do vendoste që shqiptarët të ekzistonin si komb. Një përshëndetje Kim do kishte dhe për rikthimin e opozitës në parlament, ku një rëndësi të veçantë sipas saj i duhet dhënë reformës territoriale, apo rekomandimeve të OSBE/ODHIR me qëllim që zgjedhjet e ardhshme të jenë dhe më të mira.







Përplasja
Vizita në PD dhe deklaratat e zonjës Kim vijnë në një kohë kur ish-kreu i PD-së Berisha ka lajmëruar “Foltoren” e tretë që do të zhvillohet sot në Vlorë, një nismë kjo për të hedhur poshtë vendimin e kreut të PD Basha për përjashtimin e tij nga grupi parlamentar, por edhe një lëvizje për të rrëzuar kryetarin aktual. Pesha e Berishës në PD nuk është e vogël, rreth tij mblidhen të gjithë ata që kujtojnë se ishte Berisha ai që i solli dy herë në pushtet, që i liberalizoi vizat, që i antarësoi në NATO. Por ndërkohë Basha duket se ka marrë një mbështetje të fortë amerikane, duke e turbulluar jo pak bazën e PD-së e cila në thelb të saj ka politikën proamerikane. Edhe ditën e djeshme Kim e tha qartë, se PD s’mund të mbetet me një këmbë nga e kaluara, dhe shigjeta drejtohej pikërisht tek zoti Berisha.



Deklarata e plotë e ambasadores Yuri Kim
Sapo jam kthyer, u ktheva vetëm disa orë më parë nga Uashington, DC, ku pata mundësinë të bisedoj me udhëheqës të agjensive të ndryshme, përfshirë Departamentin e Shtetit, Shtëpinë e Bardhë, Departamentin e Drejtësisë dhe institucione të tjera. Dhe, sigurisht, pata mundësinë të përditësoj drejtuesit dhe kolegët e mi mbi situatën në Shqipëri. Mendova se ishte jashtëzakonisht e rëndësishme që të vija menjëherë në Partinë Demokratike për të ndarë me ta atë që mësova në Uashington dhe se çfarë do të bëjmë nga ky moment.

Lexo edhe :  Vendimi për Llallën, Kim: Të dënohen të korruptuarit, sado të fuqishëm të jenë


I thashë Kryetarit Basha se Uashingtoni mbetet i përkushtuar për të punuar akoma më ngushtë me Partinë Demokratike. Ashtu si të gjithë e dinë, qeveria e Shteteve të Bashkuara ka pasur gjithnjë një marrëdhënie të fortë, të veçantë me Partinë Demokratike që prej fillimit. Ne ishim pranë Partisë Demokratike kur ajo mori pushtetin për herë të parë dhe shpresojmë që të kemi mundësi të festojmë prapë kur ajo të marrë pushtetin sërish. Demokracia përkufizohet nga ekzistenca e një partie opozitare të suksesshme dhe të fortë.

Ne jemi të gjithë të ndërgjegjshëm se ky është një çast i vështirë për Partinë Demokratike por është një çast i përkohshëm, është një mundësi dhe shpresa jonë si Shtete të Bashkuara është se Partia Demokratike do të dalë më e fortë, do të dalë më e bashkuar, dhe do të jetë sërish në pozita për të fituar zgjedhjet.

Do doja gjithashtu të konfirmoja se në këndvështrimin e Uashingtonit, ne jemi seriozë sa s’bëhet në luftën kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë, dhe do të vazhdojmë të ecim përpara, dhe do të vazhdojmë ta luftojmë këtë problem kudo që e gjejmë atë, pavarësisht nga hierarkia, pozicioni apo partia.

Kam parë disa raportime shqetësuese sipas të cilave ajo që ka ndodhur në lidhje me përcaktimin nga Departamenti i Shtetit, qenka një lloj sulmi ndaj sovranitetit të Shqipërisë. Është diçka faktikisht e gabuar dhe është ofenduese. Do doja t’i kujtoja cilitdo që më 6 maj 1919, kur pjesa tjetër e botës donte që Shqipëria të zhdukej, Shtetet e Bashkuara, Presidenti Uillson ishte ai që ngriti zërin dhe tha se Shqipëria duhet të jetë e pavarur. I vetmi ndryshim në atë deklaratë, të cilën e kemi shtuar, është që Shqipëria duhet të jetë jo vetëm e pavarur, por duhet të jetë edhe sovrane dhe demokratike.

Ndaj atyre që janë përpjekur ta vendosin Shtetet e Bashkuara kundër popullit të Shqipërisë do t’iu thoja “E keni gabim!” Populli Shqiptar e di që e keni gabim. Pozicioni ynë për këtë çështje, të pavarësisë, sovranitetit dhe demokracisë së Shqipërisë nuk do të ndryshojë asnjëherë, pozicioni ynë për rendësinë që ka Partia Demokratike nuk do të ndryshojë asnjëherë.

Ka shumë punë për të bërë në ditët, javët dhe muajt që vijnë. Është thelbësore dhe është shumë mirë që Partia Demokratike është kthyer në parlament plotësisht. Ka veprime që duhen ndërmarrë për të siguruar zgjedhje më të mira herën tjetër, për të trajtuar mangësitë që u identifikuan në raportin e ODIHR-it. Ka edhe punë për të bërë për reformën territoriale, ka punë për të bërë kundër korrupsionit. E gjitha kjo kërkon një Parti Demokratike të fortë, të bashkuar që ecën përpara dhe nuk mund të ecësh përpara me një këmbë të ngecur tek e kaluara.

Si gjithmonë, presim me kënaqësi të ecim përpara me Shqipërinë, me popullin Shqiptar, me Partinë Demokratike, duam të shohim nga e ardhmja. Ndaj, le të ecim përpara. Shumë faleminderit.

41


Etiketa: , , ,

Pas