Kryesore

Kina po punon për të rikthyer udhëtimet për biznes














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:36 - 21/04/20 |
mapo.al

Kina u ka ofruar një numri vendesh të diskutojnë për mundësinë e lehtësimit të  kontrolleve kufitare për të lejuar që disa udhëtime biznesi të rifillojnë. Kjo është pjesë e përpjekjeve të gjera kineze për të rifilluar aktivitetin ekonomik të ngecur nga pandemia koronavirus.






Pas njoftimeve për sukses në kontrollimin e përhapjes së virusit brenda Kinës, zyrtarët e saj u kanë propozuar në javët e fundit homologëve të huaj nga më shumë se një duzinë vendesh në të gjithë rajonin e Azisë-Paqësorit, të nisin përpjekjet e përbashkëta për të lehtësuar udhëtimet thelbësore, thanë diplomatët të njohur me këtë çështje.


Zyrtarët kinezë kanë paraqitur idenë tek homologët nga Japonia, Koreja e Jugut dhe Azia Juglindore dhe disa qeveri të tjera, thanë diplomatët. Koreja e Jugut dhe Singapori kanë rënë dakord zyrtarisht të nisin diskutimet për mënyrat e lehtësimit të udhëtimeve me Kinën, njoftoi qeveria kineze.







Pekini gjithashtu u është drejtuar disa vendeve evropiane në lidhje me lejimin e disa udhëtimeve të nevojshme për të mbajtur zinxhirët e furnizimit, thanë diplomatët. Kufizimet e udhëtimit në Kinë janë ndër më të rreptat në të gjithë botën, të imponuara për të ndaluar rikthimin e koronavirusit.




Që nga fundi i marsit, Kina ka pezulluar hyrjen për pothuajse të gjithë të huajt dhe ka kufizuar linjat ajrore ndërkombëtare me fluturime javore. Propozimi për të lehtësuar disa prej këtyre kontrolleve është rezultat i përpjekjeve të shtuara të Kinës për të rikthyer aktivitetin ekonomik dhe për të riparuar zinxhirët e furnizimit global.



Kina zyrtarisht ka njoftuar se ekonomia e saj u tkurr 6.8% në tre muajt e parë të këtij viti krahasuar me një vit më parë — rënia e parë që kur Pekini filloi raportimin e shifrave tremujore të produktit të brendshëm bruto në vitin 1992. Propozimi i Kinës përjashton disa udhëtarë – siç janë drejtuesit e biznesit – nga ndalimet ekzistuese të udhëtimeve dhe thjeshton masat e kontrollit shëndetësor që duhet të kalojnë, thanë diplomatët.

Ka mundësi që qeveritë në marrëveshje të njohin rezultatet përkatëse të testeve për koronavirusin, kështu që udhëtarët e ardhshëm mund të testohen para se të nisen – në vendin e tyre – duke kursyer masat e detyrueshme për karantinë në vendin e mbërritjes.

Kompanitë shumëkombëshe në industrinë e automobilave, elektronikës dhe të çipave kanë nevojë që inxhinierët e tyre të udhëtojnë në qendrat e testimit dhe laboratorët në vendet e tjera, për të bërë rregullime në kohë reale në produkte ose përbërës të produkteve, thonë drejtuesit e këtyre kompanive. Ata saktësojnë se shpesh u duhet të dërgojnë stafe të specializuara në vendet e tjera për të mbikëqyrur proceset e prodhimit. /Chun Hanwong/WSJ

/Përktheu: Mapo.al/

1


Etiketa: , , ,

Pas