Regjisori dhe shkrimtari i njohur Gjergj Vlashi është ndarë nga jeta në moshën 92-vjeçare.
Lajmi komunikohet nga teatri “Aleksandër Moisiu”, përmes një postimi në “Facebook”, duke e konsideruar një humbje të madhe për komunitetin artistik.
Karriera e gjatë e Gjergj Vlashit
Gjergj Vlashi lindi në vitin 1928 dhe shkollën fillore e të mesme e kreu në qytetin e lindjes, Durrës. Ai u mor me teatrin amator që në vitet e para të pas luftës, si dhe debutoi në disa shfaqje. Vlashi punoi si regjisor në klubin e portit detar fill pas shërbimit ushtarak, për t’u emëruar si regjisor në Shtëpinë e Kulturës në vitin 1957.
Tre vite më vonë, u krijua trupa e estradës profesioniste, ku ushtroi profesionin e regjisorit deri në vitin 1990, kur doli në pension. Gjithashtu ka punuar me shumë trupa të tjerë, duke i dhënë jetë shfaqjeve në Tiranë, Shkodër, Korçë, Lushnje, Pogradec, etj. Gjergj VLashi punoi për disa vite si pedagog i jashtëm në Institutin e Lartë të Arteve në Tiranë.
Krahas punës si regjisor ka zhvilluar një veprimtari të dendur letrare, si shkrimtar dhe përkthyes; autor i librit “Si vihet në skenë një shfaqje estradë” dhe i shumë artikujve me subjekt teatrin.
Regjisori dhe shkrimtari Gjergj Vlashi është nderuar nga presidenti i Shqipërisë Bujar Nishani me Urdhërin “Nderi i Kombit”.