Kisha Katolike ka mbajtur dje një qëndrim të fortë që ka sjellë reagime në opinionin publik. Konferenca Ipeshkvnore bën thirrje të mos shitet vota, se ata që e bëjnë, humbin dinjitetin dhe zërin për të kërkuar llogari. Po ashtu, sipas Kishës, ata që e blejnë votën për shkak të varfërisë së njerëzve, janë të padenjë për të marrë detyrë publike. Ambasadorja amerikane Yuri Kim vlerësoi deklaratën. Komuniteti Mysliman, po ashtu, ka kërkuar mbrëmë përmes një komunikimi që të mos shitet dhe blihet vota
Zgjedhjet e 25 prillit janë konsideruar si tepër të rëndësishme dhe nga Kisha Katolike shqiptare, e cila bën thirrje për dalje masive në votime dhe ndaljen e shitblerjes së votës. Ipeshkvi i Dioqezës së Rrëshenit, Dom Gjergj Meta në emër të Ipeshkvijve të Shqipërisë u ka përcjellë një mesazh qytetarëve shqiptarë për zgjedhjet e 25 prillit. Sipas tij të gjithë ata që shesin votën nuk kanë të drejtë për të kërkuar llogaridhënie, ndërkohë që ka bërë thirrje të mos votohen kandidatët me të kaluar të dyshimtë.
“Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes, si dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Si ipeshkvij, nuk na duket e rastit të votohen ata kandidatë me një të kaluar të dyshimtë. Integriteti moral duhet të jetë një conditio sine qua non, që zgjedhësi të mund të zgjedhë në liri dhe në qetësi. Urojmë që më datë 25 prill, secili ta ushtrojë të drejtën dhe detyrën e votës duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, që është edhe qëllimi i çdo veprimtarie politike. Në të njëjtën kohë, i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e Nënës së Këshillit të Mirë, t’i ndihmojë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për jetën e vendit”, shprehen Ipeshkvijtë e Shqipërisë.
Deklarata
Për Ipeshkvijtë e Kishës Katolike, problemet që shtrohen përpara janë të mëdha. Së pari, është situata pandemike, e cila kërkon strategji të qarta në fushën shëndetësore. Më tej, plaga sociale e largimit të të rinjve nga vendi, varfëria, niveli i mësimdhënies apo dhe ritmet e ngadalta të rindërtimit. “Në rrafshin social, nuk mund të mos evidentojmë plagën e madhe të të rinjve dhe të familjeve të reja që po e braktisin Shqipërinë. Është e nevojshme një përkujdesje e veçantë ndaj të gjitha zonave të vendit, nga Veriu në Jug, në zonat rurale e në zonat urbane, ku shpeshherë vërehen situata ekstreme varfërie, mungesë infrastrukture dhe shërbimesh të domosdoshme, sidomos rrugë e shërbime shëndetësore. Më pas, na shqetëson niveli i mësimdhënies në shumë zona të vendit, si dhe kushtet e jetesës në disa fasha të popullatës. Shumë familje akoma po vuajnë pasojat e tërmetit të vitit 2019, një prioritet me siguri se duhet të jetë rindërtimi, që ka nevojë të përparojë me ritme akoma më të shpejta. Ne urojmë që më datë 25 prill, secili ta ushtrojë të drejtën dhe detyrën e votës duke pasur parasysh të mirën e përbashkët, që është edhe qëllimi i çdo veprimtarie politike. Në të njëjtën kohë, i lutemi Zotit, që me ndërmjetësinë e Nënës së Këshillit të Mirë, t’i ndihmojë shqiptarët në këto momente të rëndësishme për jetën e vendit”, thuhet në deklaratën e lexuar nga Dom Gjergj Meta.
Reagime
Deklarata e Ipeshkvijve është shpërndarë dhe nga ambasadorja amerikane Yuri Kim, e cila përmes një postimi në rrjetin social Twitter, e cilëson deklaratën e tyre si një mesazh të fuqishëm. “Mesazhi i fuqishëm i Ipeshkve katolikë: ‘Shitblerja e votës është plagë e madhe! Kush e shet votën ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes. Kush e blen votën duke përfituar nga varfëria e votuesve nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon’”, shkruan ambasadorja Yuri Kim. Të njëjtën mbështetje ka dhënë dhe ambasadori i BE-së në Tiranë Luigi Soreca, i cili duke iu referuar deklaratës shprehet se, më 25 prill të gjithë duhet të ushtrojnë të drejtën e tyre për të votuar. “Ne shpresojmë që më 25 prill të gjithë do të ushtrojnë të drejtën dhe detyrën e tyre për të votuar duke mbajtur në mend të mirën e përbashkët, që është gjithashtu qëllimi i çdo aktiviteti politik”, shprehet ambasadori i BE-së.
Meta përshëndet mesazhin e Kishës: Kush prek votën, në burg
Presidenti Ilir Meta ka përshëndetur mesazhin e Konferencës Ipeshkvnore të Shqipërisë në lidhje me fenomenin e shitblerjes së votës, duke e konsideruar të fuqishëm dhe frymëzues. Në një postim në Facebook, Meta shkruan se kush falsifikon dhe kush tenton të tjetërsojë e prekë votën, do ta ketë vendin në burg. “Kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet” , – vijon Meta. “E përshëndes mesazhin e fuqishëm dhe frymëzues të Konferencës Ipeshkvnore tё Shqipërisë, që inkurajon pjesëmarrjen masive të qytetarëve në zgjedhjet historike të 25 prillit, një e drejtë dhe detyrim moral ndaj momentit më të rëndësishëm të jetës demokratike dhe së ardhmes europiane të Shqipërisë.
I bëj gjithashtu jehonë thirrjes së tyre për të mos rënë në grackën e kujtdo, që kërkon t’i trajtojë qytetarët shqiptarë si plaçkë, që shitet e blihet por të votoni me vullnet të lirë dhe për ata kandidatë, të cilët duhet ta meritojnë besimin tuaj! Kush falsifikon, kush tenton të tjetërsojë dhe të prekë votën, do ta ketë vendin në burg! Fenomeni i shitblerjes së votës është një plagë e madhe që duhet të zhduket medoemos, në çdo rast. Kush e shet votën me para, ka shitur dinjitetin e vet dhe atë të familjes dhe nuk ka më zë për të kërkuar llogari. Kush e blen votën me para, duke përfituar nga varfëria e votuesve, nuk është i denjë të ulet në detyrën për të cilën kërkon që të votohet. Pjesëmarrja në votime, është një detyrim moral pavarësisht preferencave që secili do të shprehë”, thuhet në postimin e Metës.
Komuniteti Mysliman: Shitja dhe blerja e votës, përçmim për dinjitetin njerëzor
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë ka shprehur mbrëmë qëndrimin e tij për zgjedhjet e 25 prillit 2021, duke iu bërë thirrje qytetarëve të shprehin qëndrimin e tyre, pra të votojnë me vullnet të lirë.
Në një deklaratë KMSH thekson se vendi ynë ndodhet në një proces tepër të rëndësishëm dhe se qëndrimi i tyre është si gjithmonë neutral, por i rëndësishëm është procesi dhe që fushata të kalojë e qetë dhe korrekte.
Sipas KMSH, shitja dhe blerja e votës është përçmim për dinjitetin njerëzor dhe më tej bën thirrje për ruajtjen e dinjitetit njerëzor si një amanet nga Zoti.
Qëndrimi i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë për zgjedhjet e 25 prillit 2021
Të dashur qytetarë, urojmë që të keni një agjërim të lehtë dhe të pranuar te Zoti i Gjithësisë!
Ne gjendemi në Muajin më të rëndësishëm të vitit, Muajin e Bekuar të Ramazanit, muaji i pastrimit, faljes, mëshirës dhe begatisë së pafundme Hyjnore.
Motra dhe vëllezër, vendi ynë ndodhet gjithashtu në një proces tepër të rëndësishëm, siç është fushata elektorale për zgjedhjet e 25 prillit 2021.
Qëndrimi ynë për përkatësitë politikë është si gjithmonë, NEUTRAL, por ajo që është e rëndësishme për ne, është procesi.
Ne dëshirojmë që fushata elektorale të kalojë e qetë dhe korrekte.
Ju kujtojmë gjithë qytetarëve shqiptarë se, shitja apo blerja e votës, veç të tjerave, është edhe përçmim për dinjitetin njerëzor, ruani dinjitetin njerëzor pasi është amanet nga Zoti.
VOTA është shumë e shtrenjtë, ajo nuk duhet të shitet, as të blihet.
Shprehni qëndrimin tuaj ndaj alternativës që dëshironi, me vullnet të lirë, pa u intimiduar nga askush e pa intimiduar ju askënd!
Ne urojmë dhe dëshirojmë që zgjedhjet e 25 prillit të jenë një hap përpara për Shqipërinë drejt integrimit europian, të jenë të lira dhe të ndershme dhe verdikti i popullit të lexohet e të pranohet nga të gjitha palët!
I lutemi Zotit që produkti i këtyre zgjedhjeve të jetë legjitim, i drejtë dhe i hairit për popullin tonë.
Amin!