Kryesore

Kjo vjeshtë, ku të gjithë rrëzohemi nga pak














Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 19:00 - 10/09/21 |
Mapo.al

Gjatë verës së turizmit, diellit të thekshëm e kripës së bollshme, ku pjesa më e madhe e gjindjes lënë kursime e borxhe në përpjekje për të bërë pak pushime si gjithë bota, ka një vibrim, ka një ritëm vendi, gëlon, regëtin ngado një lloj shprese.






Teksa gjysma shëllehen e shijojnë ditën, gjysma tjetër punon. Dhe ky kombinim ngjan se sjell një mbrothësi e paqe sociale.


Ideja të krijohet se konsumohet më pak helm e konflikt, dhe me gjasë, lexohet edhe më shumë se stinët e tjera të vitit. Idilike pamja e dy muajve, veçanërisht kur sheh se ishin të pafund vizitorët.







Po Shqipëria prej kohësh bie në vjeshtë. Vdes pak a shumë prej rutinës krupëndjellëse e parlamentit të ri, e sezonit të ri të debateve politike në ekranet e të njëjtave portrete, e shemrisë, sherrit, hasmërisë që buluron ditëve të para të shtatorit.



Panoramë e trishtë në vite tashmë. Qeveria që vazhdon të vjedhë dhe Opozita ende pa tharmin e duhur për të nxënë bukën për nesër.



Tirana nuk vonon të popullohet nga arrogantët, në rrugë, bare e zyra. Kur disa vrapojnë e djersijnë për të gjetur punë, e mbajtur familjen, kodoshët vegjetojnë si më parë. Milionat e pamerituara u kanë dhënë komoditetin të shtojnë pasurinë. Konkubinat e lumtura ky mot me gjasë do t’i gjejë me makinë të re, me shofer, me luks, e patjetër me fundjava e shtegtime marramendëse.

Metropoli bjen shpejt në duart tutkunëve, dhe rutina e asgjëje të re, e riprodhimit të ideve të vjetra bëhet po aq ndotëse, sa ajri i 21 dhjetorit.

Lexo edhe :  Sezoni i ri i RTV Ora një progamacion për të gjithë shqiptarët, surpriza Luan Rama vjen me "Drejt"

Të pushtetshmit do të duan çdo orë të ditëve që shkurtohen të tregojnë se janë aty. Fëmijët e baballarëve të pasur nisin nëpër Bllok e gjetkë paradën e fuoristradave vezulluese, të palodhur për të zhbërë çdo letërsi të bukur.

Biznesi i vogël do të revoltohet për taksat. Dhe ankesat për shpenzimet shkollore do të jenë prezente.

Por një befasi që vjen nga PD duket se do të na bëjë të jemi dëshmitarë të një realiteti të ri.

Sali Berisha është përjashtuar nga Grupi Parlamentar, pasi u shpall non-grata nga Departamenti i Shtetit. Kjo vjeshtë, vjen kështu me një risi të madhe në politikë. Lulzim Basha ka marrë një vendim që askush nuk e priste.

Pas kësaj, PD do të jetë tjetër gjë. Po dhe Parlamenti. Doktori ka premtuar se do të luftojë edhe më shumë. Dhe çdokush mund ta imagjinojë se çdo të thotë kjo.

Krejt politika mund të jetë ndryshe. Kompleksi i karavidhes ka gjasa të përfshijë shumëkënd. Eshtë ai momenti kur hidhet guacka, dhe i dilet ballazi oqeanit të egër.

Interesante do të ishte nëse thyerje të tjera të fuqishme, të kishim edhe në letra, krijimtari, në art, në muzikë, në universitete pse jo. Aty ku prej kohësh, nuk lind asgjë e madhe.

Kjo e demokratëve është vërtetë diçka, por ndoshta e pamjaftueshme sa për ta ndalur atë që rëndom ndodh, ku Shqipëria pak nga pak vdes në vjeshtë.

24


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas