Klara Buda është shkrimtare dhe gazetare e njohur për romanin “Pëshpërimë Gruaje”, botimet MAPO. Ajo është diplomuar në Metoda të Studimit të Historisë dhe Histori Arti, në Ecole Pratique des Hautes Études, E.P.H.E. në Paris, dhe pas një karriere të pasur në Francë dhe SHBA, duke punuar respektivisht për UNESCO-n, BBC-në, Radio Francën Internacionale dhe Diplomacinë Kulturore, aktualisht ajo drejton Këshillin për Promovimin e Paqes mes Kosovës dhe Serbisë.
Ndër botimet e saj veçojmë romanin Kloroform, vëllimin Kosova Mon Amour, çmimi i publicistikës në “Prishtina Book Fair 2017”, përkthimin në frëngjisht të rrëfenjës Fshati im e pi rakinë të Kutelit dhe studimin akademik Rrëfenja Kuteliane.
Romani « Pëshpërimë Gruaje”, është një fiksion mbi lirinë e individit në regjimin totalitar dhe dashurinë e pamundur:
“Që prej momentit të arrestimit nuk i kishin bërë asnjë pyetje për lidhjen me Almën, por Adriani nuk do ta mohonte atë. Ai ishte nga të rrallët, i ndërgjegjshëm, se në atë sistem, të dashuroje duke shpërfillur klasën, ishte në vetvete një akt rezistence …”. Më poshtë Buda vjen në një rrëfim për MapoLetrare.
Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?
Do ta nuancoj pak përgjigjen, sepse po të cilësoja romanin më të mirë të të gjitha kohërave do të ndjehesha jashtë vetes sime. Personalisht përpiqem të mos japë përgjigje kategorike, larg të vërtetës.
Si romanin më të mirë po zgjedh të citoj:l’Éducation Sentimentale, (Edukimi Sentimental) i Gustave Flaubert-it. Ai bën pjesë ndër romanet më të mirë që më kanë lënë mbresë e që për të permendur vetëm disa janë The portrait of a Lady, i Henry James, The little Friend i Donna Tartt White Teeth,( Dhëmbë të Bardhë, ose Dhëmbë Kafshues) i Zadie Smith, Foucault’s Pendulum, i Umberto Eco, Body and Soul (Trup e Shpirt),i Frank Conroy, dhe siç e përmend më lart po zgjedh të citoj:l’Éducation Sentimentale, të Flaubert-it, i cili është një prej autorëve të mij më të dashur.
Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?
Edhe në këtë rast do të citoja disa prej tyre, Doktor Murkes gesammeltes, ( Heshtjet e zotit Murke)e Heinrich Böll, disa nga novelat Orientale, të Marguerite Yercenar-it, disa tregime të shkurtra të Alice Monroe dhe nga autoret shqiptarë, padyshim Vjeshta e Xheladin Beut e Mitrush Kutelit, që për mua është babai i prozës së shkurtër shqipe.
Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?
Po parapëlqej të përmend vetëm disa prej të vdekurve për të potencuar idenë se vetëm forca e veprës është ajo që e përjetëson një artist apo edhe një autor. Gjithë emrat që bëhen të njohur artificialisht me përpjekje ekstra-artistike, fshihen pamëshirshëm nga koha. Do të nënvizoja se kriteri i përzgjedhjes është vepra dhe autori që janë në kërkim të së vërtetës, gjithçka tjetër nuk ka vlerë.
Do të citoja Umberto Eco, Ernest Heminguej, Alexander Solxhenicine, Marguerite Duras dhe ndër autorët shqiptarë Mitrush Kuteli, Faik Konica dhe Abdullah Tafa.
Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni?
Fiksion dhe serish Fiksion. Për mua letërsi artistike e cilësisë është ajo që na mëson më shumë dhe na afron me të vërtetën, madje edhe më mirë se filozofia. Por lexoj edhe eseistike dhe libra mbi lidershipin.
Dhe çfarë nuk lexoni?
Letërsinë e shkruar si justifikim dhe atë të manipulimit të të vërtetës.
Përfitoj nga rasti të nënvizoj, se sado erudit të jetë një shkrimtar në raport me lexuesin e tij, ai e ka të pamundur ta manipulojë atë përgjithmonë. Lexuesi, çuditërisht ka një shqisë shtesë, ai e kupton gjithmonë gënjeshtrën dhe di – ndoshta instinktivisht – ta kuptojë një tekst motivi i ekzistencës së të cilit nuk është njohja e të vërtetës
Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?
Letërsi të realizmit socialist, të propagandës dhe letërsi pornografike.
Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer
Edna, tek The Awakening, Kate Chopin. Por do të përmendja edhe personazhin e Maryna Zaleëska, frymëzuar nga një personazh real aktoreje në romanin “In America”, të Susan Sontag.
Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj? Cilët ishin librat dhe autorët tuaj të parapëlqyer?
Në fëmijërinë e hershme, mbaj mend Pinoku-n, Liza në Botën e çudirave, Poku Çamaroku, Gjysma gjel Gjysma kapua, madje tani që po shkruaj më kujtohen vargjet e arushit tek Poku Çamaroku:
“mami pa shiko, tha ariu tjetër/ hundën ky që fle e paska me pjepër”
Nga adoleshenca time, më ka ngelur në mendje romani Dimri i Vetmisë së Madhe, i Ismail Kadaresë. Sigurisht që nuk e kisha pjekurinë për të vlerësuar anën apo tendencën politike të tij, por isha e ndërgjegjshme dhe e lumtur tek lexoja në shqip një letërsi të niveleve bashkëkohore botërore, në një kohë që kjo ishte e ndaluar në Shqipëri.
A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?
Po, shpesh. Së pari librat e ndaluar të bibliotekës familjare; nëna ka pasur shumë libra, që atëherë quheshin të verdhë ( emërtuar kështu se fletët qenë zverdhur nga koha) si Ura e Psherëtimave. Këtë libër e kam lexuar fshehtas dhe me sukses kurse Ana Kareninën, që nuk ishte një libër i ndaluar, e kam lexuar kur kam qenë 13- të vjeç. Nëna ma kishte ndaluar ta lexoj atë libër dhe tek më gjeti se po lexoja vëllimin e dytë të tij, pata peripeci.
Leksione të Psikanalizës të Frojdit, i kam lexuar të kopjuara me dorë nga im atë, sikurse edhe Rubairat e Omar Khayyam-it ( The Rubaiyat).
Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë ky/kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?
Do të përgjigjem edhe këtu në mënyrë më të nuancuar. Është studimi në Francë, leximi i kryeveprave dhe të një kategorie të veçantë të letërsisë botërore, të njohura si hapa drejt të vërtetave universale, dhe sigurisht ushtrimi i gazetarisë profesionale në Francë që më ka bërë ajo që jam sot.
Meqenëse pyetja është në kushtore, po ju citoj esenë filozofike Amerika, të filozofit francez Jean Baudrillard. Këtu ka filluar edhe dashuria ime me Amerikën që vazhdon ende sot.
Nga librat që keni shkruar, cilin parapëlqeni më shumë ose është më kuptimplotë për ju?
Pëshpërimë Gruaje, botimet MAPO. Ai është psherëtima ime e flaktë, nëse do të perifrazoja një varg të një kënge popullore beratase, “psherëtiva nxora flakë”, e që shkrin vuajtjen me fuqinë, që në mitologji jepet me Dragon-in/en.
Është një roman konceptualist që i vë ngjarjet në totalitarizmin shqiptar dhe rreket përmes fiksionit të dëshmojë vuajtjen e individit në diktaturë. Ai e ka tejkaluar botëkuptimin dominant sot në letërsinë post-komuniste shqiptare, atë të ndarjes së të këqijve dhe të mirëve në diktaturë. Tek Pëshpërimë Gruaje, që mund të ishte edhe Psherëtimë Gruaje, mungesën e lirisë e vuajnë të gjithë në një mënyrë a në një tjetër dhe diktatura trajtohet me një distancë, duke mbështetur idenë se diktatura ishte një e keqe për të gjithë. Kjo të çon në konkluzionin se kujtesa kolektive e totalitarizmit shqiptar duhet të dokumentohet si fenomen i veçantë, pa u marrë me akuza të fajtorëve, të paktën për momentin. Kështu një pjesë e aktorëve apo pasardhës të tyre të mos e pengojnë dokumentimin e kujtesës nga frika se mund të dënohen. Akuzën mund ta bëjë, një ditë, vetëm një gjykatë e specializuar duke u mbështetur në faktet. Aq më tepër që aktorët e vërtetë të diktaturës vdiqën pothuaj të gjithë të pa dënuar, dhe ata që rojnë ende sot janë aktorë të dorës së dytë apo fëmijët e tyre.
Për të potencuar idenë se totalitarizmi ishte i tmerrshëm për të gjithë, personazhi kryesor Alma Fishta, është një vajzë e nomenklaturës, e cila ndërgjegjësohet për burgun e madh me qiell të hapur, ku vegjeton apo mbijeton brezi i saj.
Po qe se do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?
Presidentit Ilir Meta, ia kam falur tanimë një libër: “Kosova Mon Amour”, kur vizitoi stendën e botimeve Pema në Panairin e Librit, në nëntorin e 2017-tës. Nëse ende nuk e ka lexuar, aty do ti këshilloja një ese ose analizë mbi qasjes e Rugovës të rezistencës paqësore, apo portret i Presidenti Ibrahim Rugova me titull: Takimi im i parë me Dr. Rugovën në Paris. Është një ese, që reket të analizojë rolin e politikanit të vendosur në kohën e tij, në kohën kur veproi.
Aty nuk merrem me faktin se si erdhi Rugova në krye të presidencës së Kosovës dhe as me të kaluarën e tij, por me faktin se nga momenti që ai erdhi në krye, ai diti të bëhej një lider, pra të fitoj besimin e popullit dhe ti përkushtohet fatit të popullit të tij.
Presidentin Meta e kam intervistuar prej Parisit, ditën që u emërua kryeministër, por e kam takuar personalisht vetëm në vitin 2013- të. Biseda me të në prani të ministrit të jashtëm Edmond Panariti më krijoi bindjen se ai është një prej politikanëve më inteligjentë të brezit të tij. Nuk mendoj se unë mund ti këshilloj ndonjë libër Zotit Meta. Unë besoj se ai deri në fund të mandatit të tij do të dijë të distancohet nga e kaluara e tranzicionit shqiptar dhe do të mund të bëhet President i gjithë shqiptarëve, që do të thotë, do të punojë me përgjegjësi për dokumentimin e kujtesës sonë kolektive në totalitarizëm, vlerësimin e vuajtjeve të mesë gjysmës së shqiptarëve që vdiqën burgjeve apo morën rrugën e imigrimit, dhe do të krijojë institucionin e kujtesës, që do të bënte të mundur edhe distancimin nga krimet e totalitarizmit dhe kërkimin e faljes publike kundrejt të persekutuarve, siç e bëri kryeministri kanadez, Justin Trudeau, në një kontekst tjetër sigurisht, por ai u kërkoi falje indigjenëve.
E meqë unë nuk e ndaj Kosovën nga Shqipëria po i këshilloj një libër Presidentit H. Thaçi. Atij do ti kërkoja të lexonte Requiem fora Nun (Rekujem për një Mendeshë), të nobelistit William Faulkner, vazhdim i romanit të titulluar Sanctuary. Që të dy nuk janë të përkthyera në shqip. Rekujem për një Mendeshë[1], ku termi Mendeshë në titull i referohet prostitutës, është një nga librat më të fuqishëm që kam lexuar ndonjëherë. Siç e përmenda më lart fatkeqësisht nuk është i përkthyer në shqip. Ha ha Jam gati ta përkthejë, po të kisha bindjen se Presidenti Hashim Thaçi do ta lexonte.
Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?
Si edhe më lart, do të ftoj virtualisht vetëm të vdekur, por me lejoni të ftoj katër: Franz Kafka, William Faulkner, James Joyce dhe Mitrush Kuteli.
Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?
Mekami i Autorit të persekutuar deri sa vdiq Kasem Trebeshina. Në fillim të leximit u entuziazmova, duke u bazuar ne pjesën e parë, mund të ishte një libër i madh, por duket si një libër ky pjesa e dytë është lënë pa mbaruar; konkluzioni, mbyllja reduktohet në një kritikë të fushatës së regjimit kundër fesë. Ndoshta për Mekamin kisha pritje të madhe, dhe ashtu siç u thashë miqve që ma këshilluan ta lexoj, kjo nuk ndodhi.
E vlerësoj shumë autorin Trebeshina për Promemorjen drejtuar Enver Hoxhës dhe Komitetit Qendror te PPSH, në vitin 1953. Promemorja është një nga tekstet më vizionarë dhe të guximshëm që është shkruar e publikuar ndonjëherë gjatë totalitarizmit shqiptar. Promemorja e vendos Kasem Trebeshinën në krye të disidencës shqiptare, duke u bërë edhe prova e pakundërshtueshme se disidenca e totalitarizmit shqiptar ka ekzistuar.
Thelbi i Promemorjes ka të bëjë me alarmin për ndrydhjen e mendimit të lirë nga regjimi. Ajo e parashikon që në vitin 1953 se ku do të shkonte totalitarizmi shqiptar.
Duke folur mbi faktin që Mekami nuk i ka kënaqur pritjet e mija dua të nënvizoj se mendimi i lirë është i panegociueshëm. Se admirimi që mund të kemi për një figurë, për një autorë nuk duhet të na bëjë të themi të pavërteta me frikën se këto mund ta dëmtojnë figurën e tij. Kështu edhe trajtimi që Trebeshina i bën figurës së Skënderbeut tek Mekami, nuk duhet të shihet si ulje që ai i bën heroit tonë kombëtar, porse e paraqet atë me të gjitha anët pra në kompleksitetin e tij.
A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?
Novelat, në përkthimin frëngjisht të Ledia Davis. I mbivlerësuar në shtypin francez, por nuk më rezultoi në lartësinë e pritshme.
Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?
Im Bir. Uroj që në të ardhme ta lërë studimin e shkencave të sakta dhe të merret me letërsi dhe muzikë.
Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?
Proçesi, Amerika, dhe Letër babait të, Kafkës, Traktati filozofik i Niçes, Uliksi dhe Portriat i Artistit, të James Joyce. Sound and Fury, te Faulkner-it,“Një dhomë më vete”, Virginia Wolf edhe In America, i Susan Sontag. Për këtë të fundit desha të shtoj se është një nga librat më befasues mbi përpjekjen femërore për vettransformim.
Siç duket Amerika është në shumë tituj, këto libra e kanë ushqyer këtë dashuri aktuale për Amerikën.
Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?
Ka shumë! Po asnjë libër që më është shfaqur si përparësi nuk e kam lënë pa lexuar.
Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?
Kam plan të lexoj në origjinal, veprën e plotë të David Foster Wallase që është një nga autorët e mi të preferuar. Fiksioni është empati, ai e bën autorin dhe lexuesin të lundrojnë në të njëjtën barkë dhe Wallase është par exellence autori i empatisë./Mapo.al/
Nji femer Model i lindur ne nji nder qytetet me baze te forte Kulture
,qe vjen po nga nji Familje e shquar qytetare ,so nji Figur po aq Terheqese
per admiruesit e Literatures ,dikur nji ikone e bukurise qytetare .
Sot jo vetem Shkrimtare e talentuar .
Vec te tjerash nji femer moderrne ,aktive edhe ne proceset e zhvillimet politike
te Kombit te vet Shqiptareve ,por ne nji drejtim te cuditshme ,
nji absurditeti politike ,qe ikona e bukurise Fierake ( Monica Belluci -alias Fr)
sipas meje ,i qendron skic e qe gjithmon sipas meje ,
i ul asaj ate Vlere qe ajo si prejradhje origjin kulture vet perfaqson ,
qe mjerishte ,duket qarte qe asaj ,nuk eshte e vetedijeshme ta konceptoje
,nji nga dobesite e shume njerezve ,per te arritur ate per te cilen edhe jane lindur
nji Stare i vertete ne nji shoqeri .
Sidoqoft secili e shikon kte Bote me syt e vet ,ashtusi edhe rrugen per
te arritur atje ku deshiron .
Do ti uroja shume suxses ne jete e pasionin e saj mbi Litetarturen ne vecanti Klares
dhe Lekes poashtu .