Shkrimtarja dhe gazetarja Klara Buda ka qenë sot në stendën e UET PRESS për të firmosur libra për lexuesit, në ditën e parë të Panairit të Librit që ka hapur siparin në Prishtinë. Buda ka folur me dashamirësit e librit për romanin “Pëshpërimë Gruaje”, duke dhënë dhe autogfrafe.
Stenda e UET PRESS ka ngjallur kureshtje për lexuesit në hapësirën ku po mbahet panairi, për vetë morinë e autorëve që prezantohen nën logon e UETPRESS.
Ndër librat e rinj të këtij panairi mund të veçohen romani “Hiri” i Kim Mehmetit, “Përkthyesi” i Maks Velos, ”Kadare dhe regjimi komunist” me autor Dashnor Kaloçi, “Nga fillimi në fund” i Prec Zogaj, apo përmbledhja me poezi dashurie “In Love”, romani ”Sarah” nga Alfred Peza.
Ndër autorët më të kërkuar ditën e parë të Panairit kanë qenë Ben Blushi, Mustafa Nano, Blendi Fevziu, apo Ilir Ikonomi.
“Romani “Pëshpërimë Gruaje”, në mënyrë të pashmangshme i kujton këtij brezi të mallkuar një epokë me kujtime të rënda, vuajtje, tronditje, që mbase disa i kanë fshirë nga memoria e tyre, por që të tjerë mund t’i “bluajnë” ende me mendje”,” është shprehur autorja gjatë prezantimit të librit në Universitetin Europian të Tiranës muaj më parë.
Ndërsa për brezin e ri shqiptar, të rritur në një shoqëri me zakone pak a shumë perëndimore, ky roman është një mënyrë për të zbuluar se si kanë jetuar prindërit e tyre.
Diktatura komuniste ka marrë fund që prej 27 vjetësh në Shqipëri, por ajo duket aq e largët në kujtime, saqë po bëhet si një realitet absolutisht i paimagjinueshëm për brezin e sotëm, dashuritë e të cilit përballen me demonë të tjerë.