Aktualitet

Profil/ Klasa e “Artë 2001” dhe tre sfidat e kryeprokurorit të ri





               Publikuar në : 11:04 - 07/12/19 |
mapo.al

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela nga dje mori zyrtarisht drejtimin e institucionit të akuzës. Takimi domethënës me ish-shoqen e klasës Arta Marku dhe çfarë fshihej pas kortezisë së shfaqur. Sfidat e para dhe kapja e drejtë e fjalës: “Njerëzit duan drejtësi”… Sprovat që Çela është i dënuar për t’i kapërcyer.


Shokët e klasës së dikurshme të Magjistraturës së brezit 2001, Arta Marku dhe Olsian Çela u takuan dy herë në rrethana të pakëndshme. Më e fundit ishte dje kur Marku, edhe pse me një tentativë qetësie, la çelësat e zyrës në duar të ish-shokut të klasës dhe “armikut” e rivalit të fortë të dy viteve të fundit, Olsian Çela. Një rrotacion të tillë ka parë edhe në të shkuarën Prokuroria e Përgjithshme, por askush nuk ka ikur pa u anatemuar, shpesh me të drejtë, ku kritiku më i madh është publiku.



Fatkeqësisht, çdo kryeprokuror ka ikur i përkëdhelur nga njëra palë politike, por i anatemuar nga pjesa tjetër. Kryeprokurori në ikje, pret të riun me ceremoni në dukje normale, por pas fshihet një luftë e fortë kulisash mes tyre, politike, futje “hundësh” të zyrtarucëve ndërkombëtarë dhe bërryla që vijnë nga të katër anët. “Jam e lumtur që detyrën ia lë një shoku të klasës sime. E vlerësuar që drejtova për kaq kohë Prokurorinë e Përgjithshme. Kam besim që prokuroria do të ecë përpara në përmbushjen e misionit të saj kushtetues”, – u shpreh dje Arta Marku.


Padyshim një kortezi e nxjerrë nxitimthi, pasi për “shokun e klasës”, nuk kishte këtë vlerësim përgjatë dy viteve të fundit. Më 20 shtator 2018, Marku hodhi firmën për transferimin e menjëhershëm të Prokurorit të Krimeve të Rënda Çela drejt Beratit. Ai nuk shkoi asnjë ditë atje, pasi Gjykata Administrative e rrëzoi Markun, duke argumentuar qartësisht se kishte shkelur dukshëm kompetencat ligjore. Shkaku i reprezaljes në Prokurorinë e Krimeve të Rënda u bë pikërisht dosja “Shullazi”, por Çela argumentoi arsyet se përse kjo çështje nuk mund t’u besohej goglave të hedhura për short, kur ishin prokurorët që e kishin hetuar deri në fillim.

Marku nxori inatin e vjetër, ndoshta edhe në një moment deliri, kur fitoi përkrahjen e padiskutueshme të pushtetit, për më shumë që ajo ishte zgjedhur vetëm me votat e mazhorancës, edhe ajo në qeverisjen e superarrogancës. Vetë Çela ishte përfolur si kandidat i fortë që në vitin 2017 për Prokuror të Përgjithshëm të Përkohshëm. Ai refuzoi, së pari duke iu deklaruar miqve se kishte ambicie për të qenë prokuror i përgjithshëm me mandat të plotë dhe së dyti, qarkullonte me të drejtë interpretimi ligjor se zgjedhja e kryeprokurorit të përkohshëm binte ndesh me Kushtetutën. “Arta Marku punoi në një periudhë të vështirë. Ajo bëri më të mirën e mundshme. Tani jemi në një fazë të re, pasi po ngrihen institucionet e drejtësisë. Besoj se janë mundësitë, ekziston mbështetja për t’i dhënë vendit një të ardhme më të mirë, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE. Rezultatet e punës sonë kanë një rëndësi të jashtëzakonshme”– u shpreh Çela. Padyshim edhe ai në “rol”, pasi vlerësimet për kolegen nuk ishin të tilla muaj më parë…

Karriera që njohu ngritje graduale
Menjëherë pas përfundimit të Shkollës së Magjistraturës në vitin 2001 Olsian Çela u emërua si prokuror në Prokurorinë e Tiranës. Vetëm tre vjet qëndroi në këtë pozicion, pasi duke lënë pas hetime të “kopsitura mirë” emri i tij nuk u diskutua aspak dhe kaloi në vitin 2004 si Prokuror i Krimeve të Rënda, një strukturë e re e krijuar për të luftuar krimin e organizuar. Trajnime të shumta, dosje të bujshme të kaluara nëpër duar dhe pikë kontakti nga misionet vëzhguese të drejtësisë Europiane ishin kurrikulum i pasur që Çela të mëtonte edhe për më lart. Padyshim që aftësitë profesionale dhe formimi individual janë benefite të cilat ia ka ushqyer vetes. Në raport me Markun, kurrikulumi i Çelës është më i pasur. Sot Markun askush nuk e akuzon si “të korruptuar” materialisht dhe padyshim që në këtë vend ku çdo ligësi e shkelje ligji ka një çmim, ky ishte virtyt, por ish-kryeprokurorja gjithsesi nuk i shpëton dot akuzës së madhe se u “moleps politikisht”. Në këtë pjesë Çela mbetet për t’u provuar. Nën qepjen e kostumit të “Drejtësisë së Re”, ai e ka më të lehtë të konsiderohet i paanshëm politikisht për t’i dhënë vendit atë që ka më shumë nevojë: Drejtësinë…

Sfida në pragun e zyrës
Për të “shkëlqyer” në atë detyrë nuk mjafton vetëm të mos bësh atë që ka bërë paraardhësja, pasi edhe ky do ishte një sukses, por Çela ka fatin e keq në këto çaste pasi është i pari kryeprokuror që zgjidhet pas ndryshimeve kushtetuese dhe ligjore për reformën e re të drejtësisë. Kompetencat e kryeprokurorit janë ulur, nuk ka më fuqinë e mëparshme, por sërish është transmetuesi i frymës që vjen nga lart-poshtë.

“Në këto kushte unë mendoj se ka tashmë mundësi që prokurori të ndryshojë, për t’u dhënë jetë ideve të reja dhe të arrijmë ato që të gjithë presim me padurim. Vendi po përballet me një krizë, për shkak të ngjarjeve në fund (shën. tërmeti dhe pasojat) të muajit nëntor dhe përgjigjja që duhet të japë prokuroria duhet të spikasë. Njerëzit kërkojnë drejtësi, prandaj kjo kërkon një angazhim maksimal dhe të tregojmë se jemi në lartësinë e duhur”, – tha Kryeprokurori Olsian Çela. Fjalia: “njerëzit duan drejtësi” mbetet më domethënëse se çdo artikulim tjetër, sepse vendi ka nevojë ulëritëse për drejtësi. Sfida e parë e menjëhershme është pikërisht hetimi i thelluar për pasojat e tërmetit tragjik që la pas 51 të vdekur, mijëra banesa të shkatërruara dhe dukshëm një përgjegjësi të madhe nga luguni zyrtarësh lokal dhe qendror.

Gjithashtu, dy dosje të krimit elektoral qëndrojnë ende si “gurrë varri” në dy prokurori, atë të Krimeve të Rënda dhe të Dibrës. Dikush duhet të “shkundë” dhe pavarësisht mungesës së kompetencave për të ndërhyrë direkt në çështje hetimore konkrete, çdo nxitje nga kryeprokurori do vinte në lëvizje vartësit e tij, tashmë jo të paaftë, por të trembur dhe të frikësuar nga pushteti politik. Pyetje që nga dje dhe në vijim kërkojnë përgjigje….! A do mundë të krijojë një prokurori të besueshme. A do jetë në gjendje që të përçojë frymën te prokurorët e çështjes që kanë nën hetim zyrtarë të lartë? A do jetë i pavarur nga “varësia” e tmerrshme politike? Të gjitha këto pyetje nga dje do të rëndojnë mbi Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Çela./ Mapo.al


Etiketa:

Pas