Kryesore

KLP dhe KLGJ/ Gazetarja tregon prapaskenat e debateve në mbledhje…





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 18:40 - 22/12/18 |
mapo.al

Gazetarja Klodiana Lala ka zbuluar sot për herë të parë prapaskenat nga dy mbledhjet që çuan më pas në konstituimin e Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor. E ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në ‘News24’ Lala pohoi se mbledhjet janë shoqëruar me tensione dhe debate të ashpra, duke krijuar përshtypjen se ato do të dështonin.


Mes të tjerash Lala tha se me tensione janë shoqëruar edhe ato raste kur për një institucion kishte vetëm një kandidat, si në rastin e Gjykatës së Lartë, ku i vetmi në garë ishte Medi Bici. Po ashtu gazetarja bëri me dije se thirrjet e ambasadorëve dhe ndërkombëtarëve në vendin tonë, bënë që në këtë proces të ishin të pranishëm prokurorë dhe gjyqtarë, për të marrë pjesë në votime, ndërsa shtoi se “tek Asambleja e Përgjithshme e gjyqtarëve kishte shumë vota të pavlefshme”.



“Përpara se të mblidhej mbledhja e prokurorëve dhe Asambleja e përgjithshme e gjyqtarëve, si fillim u parapri nga dy mbledhje të tjera të rëndësishme. Së pari; nga kryetari i Gjykatës së Lartë me kadidatët e KLGJ dhe praninë e ministres së Drejtësisë dhe ndërkombëtarëve, dhe nga ana tjetër Marku mblodhi anëtarët për KLP dhe misionet ndërkombëtare. Ka pasur debate të ashpra në këto dy mbledhje. Debate që krijuan një lloj pasigurie dhe frike në mesin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, se këto mbledhje mund të dështonin. Ka pasur një dyshim të fortë se mund të mos binin dakord me mënyrën se si do të votohej. Ata kundërshtonin që të votonin ata kandidatë që ishin të vetëm në garë, siç ishte zoti Medi Bici, që ishte kandidat për Gjykatën e Lartë, që ishte automatikisht i kualifikuar. Disa nga gjyqtarë ishin të mendimit se duhej të zgjidhej një mënyrë interesante që të vendoseshin dy kuti, që të votonin me ‘po’ ose ‘jo’ këtë kandidat. Ligji thotë se një institucion që mund të konsiderohet i konstatuar do të duhet të zgjidhet edhe anëtari i fundit, dhe të përfaqësohet nga të gjitha shkallët. Thirrja që bënë ambasadorët e huaj në vendin tonë, mesa duket i detyruan gjyqësorin dhe prokurorët që të ishin të pranishëm në këtë proces dhe ka pasur pjesëmarrje si asnjëherë më parë në këtë proces. Ka pasur mbi 90% të gjyqtarëve dhe prokurorëve të pranishëm. Tek Asambleja e Përgjithshme e gjyqtarëve kishte shumë vota të pavlefshme. Këto ishin prapaskenat. Gjatë gjithën kohës nga njëra anë, zonja Marku nuk ka lëvizur për asnjë moment gjatë kohës që zhvillohej Asambleja. Unë mendoj se në mendjen e saj kanë lëvizur shumë gjëra njëherazi, pasi po shikonte një proces që e zhveshi nga të gjitha funksionet. Në momentin kur u konstituua KLP, zonja Marku mbetet pa asnjë funksion, shndërrohet në një sekretare të përgjithshme nëse mund ta themi kështu. Por edhe kryetari i Gjykatës së Lartë pa që t’i largohej pushteti para syve. Është një moment delikat. Zonja Marku ka qëndruar gjatë gjithë kohës e vetme, dhe mu duk pak e dëshpëruar dhe jo në një marrëdhënie të mirë me prokurorët. Më ngjau me një marrëdhënie konfliktuale me prokurorët. I vetmi kundërshtim ishte në mbledhjen e gjyqtarëve ky njëra nga inspektoret e KLD ngriti zërin se pretendonte se i ishte hequr e drejta për të votuar. Por inspektorja nuk e gëzonte të drejtën të votonte. Gjatë gjithë kohës procesi u monitorura nga ambasadorë dhe ndërkombëtarë”, pohoi ajo.


Më tej Lala u shpreh skeptike në lidhje me ecurinë e reformës në drejtësi, ndërsa duke iu referuar burimeve, shtoi se më shumë duket si ‘kapje nga drejtësëia’.

“Nuk gjej shpjegim se zoti Hoxha nga Gjykata Kushtetuese është jashtë sistemi, sikurse pse zonja Besa Nikhasani është jashtë sistemit. Pajtohem plotësisht me disa emra të tjerë që janë përjashtuar. Të bësh një proces kaq rrënjësor do të thotë të kesh forcën e duhur dhe integritetin për t’u përballur. Drejtimin e KLP e ka marrë Gent Ismaili, një profesionist i mirë. Më ngjau si një zgjedhje e paracaktuar. Siç ndodhi edhe në rastin e zgjedhjen e drejtuesit të KLGJ, Naureda Llagami. Ajo është një profesioniste e mirë. Por nuk di të them nëse ata janë të financuar politikisht, apo janë aty për shkak të meritave të tyre. Janë çështje vendimtare pasi KLP Dhe KLGJ do të vendosin për Prokurorinë Speciale dhe Gjykatën Speciale. Ndaj i frikësohet politika. Nëse në këto struktura shkojnë njerëz të aftë, ata që duhet të frikësohen janë politikanë. Një ish-anëtar i Gjykatës së Lartë më tha se për fat të keq më tha se; më shumë sesa reformë më duket si kapje e sistemit prej politikës. Shumë njerëz e kanë kundërshtuar. Unë personalisht kam qenë pro reformës, por e pakënaqur për mënyrën se si po vijon ajo”, përfundoi Klodiana Lala.
(BalkanWeb)


Etiketa: , , , ,

Pas