Aktualitet

KLP emëron Prokuror burrin e deputes së PS-së Ermonela Felaj






               Publikuar në : 13:00 - 15/04/19 |
mapo.al

Bledar Valikaj, burri i deputetes së PS-së Ermonela Felaj, është emëruar prokuror pranë Prokurorisë së Shkallës së Parë Tiranë. Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka zbatuar vendimin e gjykatës, e cila e urdhëronte KLP të emëronte si prokuror Bledar Valikajn, pavarsisht se ai nuk kishte bërë shkollën e Magjistraturës.


Vendimi për emërimin e Bledar Valikajt u miratuar me 5 vota pro.  Me ligjin e ri prokurorët mund të emërohen personat, të cilët kanë përfunduar Shkollën e Magjistraturës, KLP në vendimin e marrë ne kete rast arsyetoi se Këshilli është i detyruar të zbatojë një vendim të formës së prerë. Këshilli argumentoi gjithashtu se, në kohën kur Valikajt i është mohuar e drejta për të qenë në Prokurori ka qenë në fuqi një tjetër kuadër ligjor, që rregullonte emërimin e prokurorëve.

Gjatë seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura, anëtari i KLP-së, Arben Dollapaj, u shpreh kundër pranimit të kërkesës së Valikajt, pikërisht për ndryshimet e reja në ligj, që parashikon se prokurori duhet patjetër të përfundojë Shkollën e Magjistraturës. “Në këtë çështje kemi Kushtetutën, themelin e shtetit tonë dhe një vendim gjykate. Në këtë kuadër, pa diskutuar elementë të tjerë, unë mendoj se e vetmja zgjidhje ligjore është rekursimi i vendimit të Gjykatës së Apelit Administrativ. Shoqëruar kjo, me pezullimin e ekzekutimit të vendimit për shkak të efekteve të pariparueshme që mund të japë ekzekutimi i tij”, tha Dollapaj. I të njëjtit mendim, ishte edhe Nurihan Seiti, e cila tha se në Gjykatën e Apelit Administrativ, në fund të një vendimi 40 faqe, është diskutuar dhe është vendosur mbi një marrëdhënie e cila ka ndodhur para hyrjes në fuqi të paketës së re të drejtësisë.

Magjistrati i ri Bledar Valikaj, të cilit iu hap rruga drejt emërimit si prokuror, pavarësisht parashikimeve ligjore të kohës, ka përfunduar arsimin e lartë juridik. Ai në vitin 2002 është emëruar oficer i Policisë Gjyqësore në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat. Ndërsa në datë 01.11.2013 është transferuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, po në detyrën e oficerit të Policisë Gjyqësore.

Në konkursin e zhvilluar nga Prokuroria e Përgjithshme, nga 49 kandidatë që kanë konkurruar për 9 (nëntë) vendet vakante të shpallura, ai ka rezultuar fitues, ku ka arritur që të grumbullojë 84.3 pikë, nga të cilat 65 pikë në testimin me shkrim dhe 19.3 pikë në testimin me gojë. Valikaj është bashkëshort i ish-ministres dhe deputetes së Partisë Socialiste, Ermonela Felaj.

Kjo e fundit, më herët ka qenë edhe vetë prokurore, ndërsa disa vite më parë, ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar se Valikaj është rrëmbyer nga disa persona në kohën kur Felaj ishte prokurore.

 


Etiketa: , ,

CLOSE
CLOSE
Pas