Paralelisht me hetimin penal për atentatin e Durrësit, duket se do të nisë edhe një hetim disiplinor për prokurorin e plagosur Arjan Ndoj. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi përmes një shkrese zyrtare i kërkon Kryeprokurores së Përkohshme, Arta Marku të nisë hetimin disiplinor ndaj prokurorit. KLP e bën këtë kërkesë nisur nga një kronike televizive; Pra bazuar në lajmin e dalë në televizionin “A2”, KLP pretendon se prokurori ka një studio avokatie dhe kjo është shkelje ligjore.
Kërkesa që KLP i ka dërguar Markut, e plotë më poshtë:
E nderuar znj. Marku,
Ngjarja e ndodhur në datën 01.11.2019, në mbikalimin e Shkozetit, ku u qëllua me armë zjarri ndaj makinës së prokurorit Arjan Ndoji, dhe si rezultat i atentatit mbetën të plagosur, prokurori Arjan Ndoji, shoferi i tij, Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar me emrin Aleksandër Laho, është një ngjarje e rëndë në rradhët e magjistratëve si dhe të sistemit të drejtësisë në vend.
Nisur nga të dhëna paraprake si dhe nga një prononcim dhëne për median “A2 News” nga prokurori Ndoji, bëhet me dije fakti që prokurori drejton prej kohësh një studio ligjore ku ofron konsulencë ligjore për cështje të ndryshme. Ky fakt nëse do të rezultonte i vërtetë, do të përbënte shkelje disiplinore të parashikuara në nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Neni 160/5 i Ligjit 96/2016“Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë” si dhe nenit 194/2 gërma ç, i Ligjit 115/2016“Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, ngarkojnë Prokurorin e Përgjithshëm me detyrën qe të hetojë të gjitha pretendimet për shkeljet disiplinore në rradhët e prokurorëve për sa kohë nuk është krijuar Inspektoriati i Lartë i Drejtësisë.
Sa më lartë, Këshilli i Lartë i Prokurorisë, bazuar në nenin 119 të ligjin 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, kërkon nga ana Juaj, nisjen e një hetimi disiplinor ndaj prokurorit Arjan Ndoji, duke gjykuar nëse janë konsumuar apo jo prej tij shkeljet disiplinore të parashikuara nenin 103 pika a dhe ç, të ligjit 96/2016 “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.
Enigma e deklaratave të prokurorit
Arjan Ndoja ndodhet ende në spitalin e Durrësit, që prej datës 1 Nëntor kur mbeti i plagosur në atentat. Eshtë fakt se ai nuk ka dalë me zë dhe me figurë në asnjë media. Shumë gazetarë, përfshirë edhe gazetaren e “A2” të cilës i referohet KLP-ja kanë pretenduar se kanë biseduar me prokurorin dhe kanë publikuar citime që ende nuk dihet sa janë të verteta.
Sipas A2CNN, Ndoja ka pohuar se ka një studio ligjore, ndaj edhe dosjet që u gjetën në makinë i kishte për konsulence juridike. “Unë prej kohësh drejtoj një studio ligjore, ku ofroj dhe konsulencë ligjore për çështje të ndryshme. Ndër to janë disa çështje që lidhen me pronat, por edhe çështje penale për të cilat unë jam njohës dhe sugjerues. Shpresoj që prokuroria të tregohet objektive në hetim, pasi këto janë gjëra të ditura dhe unë nuk kam shkelur asnjë ligj apo të drejtë”, tha Ndoja.
Ndërsa një tjeter televizion siç është News 24, raporton sot se Ndoja nuk ka folur për studio ligjore, madje ka thënë se janë trillime mediatike.
“Ua kam lënë në dorë organeve të drejtësisë ta zbardhin ngjarjen. Unë nuk i trembem askujt, pasi nuk i kam borxhe askujt. Mediat kanë trilluar shumë histori për mua. Kam investuar 20 vite në punën time. Do flas në një moment tjetë për të gjithë ngjarjen, e cila ka ndodhur për shkak të Arjanit prokuror”, shprehet prokurori Ndoji për “News24”.