Vendimi
Këshilli i Lartë i Prokurorisë vendosi rikthimin në Prokurorinë për Krime të Rënda të dy prokurorëve që u transferuan në rrethe nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme.
Këshilli i Lartë i Prokurorisë votoi të hënën me 6 vota pro dhe 5 kundër rikthimin në Prokurorinë e Krimeve të Rënda të prokurorëve Olsian Çela dhe Besim Hajdarmata, të cilët u transferuan në shtator në Berat dhe Pogradec nga Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku. Vendimi i marrë mes debateve e ndau KLP-në midis anëtarëve të zgjedhur nga radhët e Prokurorisë dhe anëtarëve të zgjedhur nga Parlamenti nga radhët e avokatisë, akademikëve dhe shoqërisë civile. Në favor të rikthimit të Çelës dhe Hajdarmatës në Prokurorinë për Krime të Rënda votuan prokurorët Gentjan Osmani, Bujari Sheshi, Antoneta Sevdari, Arben Dollapaj, Kostaq Beluri si dhe pedagogu Sandër Beci. Kundër vendimit është rreshtuar kreu i KLP-së, Gent Ibrahimi, Nurihan Seiti Metaj, Tartar Bazaj si dhe prokurori Besnik Cani. Vendimi për transferimin e tre prokurorëve të Prokurorisë për Krime të Rënda, përfshirë Çelën dhe Hajdarmatën, ka qenë një ndër lëvizjet më kontroverse të Arta Markut gjatë ushtrimit të detyrës si Prokurore e Përgjithshme e Përkohshme.
Përplasjet te Krimet e Rënda
Tre muaj më parë, përfaqësimi i akuzës në çështjen e Emiljano Shullazit zhyti në kaos Prokurorinë e Krimeve të Rënda. 10 prokurorë u vendosën nën procedim disiplinor ndërsa tre prej tyre u transferuan në rrethe periferike, pasi refuzuan një procedurë shorti pas largimit të prokurorëve Elisabeta Ymeraj dhe Ened Nakuçi. Përplasja u përshkallëzua kur Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se kishte nisur procedim disiplinor kundrejt 10 prokurorëve dhe njëkohësisht në mbështetje të Donika Prelës, firmosi transferimin e Çelës, Hajdarmatës dhe prokurores Sonila Muharremi. Vendimi i Markut u kontestua nga prokurorët Çela dhe Hajdarmata, të cilët e ankimuan në Gjykatën Administrative në Tiranë.
Gjykata kundër Arta Markut
Vendimin e Arta Markut për ta transferuar në Berat Prokurori Olsian Çela, e kundërshtoi me një padi në Gjykatën Administrative në Tiranë. Sipas tij Marku, ka aplikuar një masë disiplinore ndaj tij duke mos qenë organi kompetent. Prokuroria e Përgjithshme ka kundërshtuar pretendimet e Çelës dhe ka shtuar se Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm nuk ka detyrim t’i arsyetojë vendimet për një vartës. Në analizën e pretendimeve të palës paditëse dhe prapësimeve, Gjykata vëren se Marku ka pasur të drejtë si Prokuror i Përkohshëm i Përgjithshëm, por ky akt duhej të ishte i arsyetuar dhe përfundimisht ka shfuqizuar urdhrin e Arta Markut.
Karriera e kryeprokurores
Arta Marku e ka publikuar ambicien e saj që pas zgjedhjes si kryeprokurore e përkohshme do të kërkojë edhe mandatin e kryeprokurorit me kohë të plotë. Ajo për vetë kushtet ligjore të përcaktuara të cilat do të shqyrtohen nga KLP, është ndër të paktat që i plotëson kriteret. Por duket se me vendimin e djeshëm të KLP, karriera e saj në krye të organit të akuzës është tashmë në pikëpyetje. Rrëzimi i vendimit të saj mund të lexohet edhe si një paralajmërim, se anëtarët e KLP nuk do të jenë të gjithë në një mendje për të votuar atë si kryeprokurore.
Gjykata e Tiranës
Luklzim Basha, 50 mijë lekë gjobë për shpifje ndaj Taulant Ballës
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha u dënua me 50 mijë lekë gjobë të hënën për shpifje ndaj deputetit socialist, Taulant Balla. Vendimi u shpall nga gjyqtari Gerd Hoxha i Gjykatës së Tiranës, i cili i dha të drejtë padisë së bërë nga kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste lidhur me akuzat për çështjen e njohur si “Toyota Yaris”. Në vendim argumentohet se deklaratat e bëra botërisht nga i akuzuari Lulzim Basha kanë qartësisht natyrë shpifëse ndaj viktimës Taulant Balla. “Për pasojë, gjykata çmon se, i akuzuari Lulzim Basha ka konsumuar plotësisht elementet e kundërvajtjes penale të shpifjes së kryer botërisht, në dëm të viktimës akuzuese Taulant Balla dhe rrjedhimisht Basha duhet të deklarohet fajtor për këtë vepër penale”, thuhet në vendim. Gjyqtari ka vendosur dënimin e Bashës me 50 mijë lekë gjobë dhe shlyerjen e saj brenda një afati 6 mujor nga marrja e formës së prerë. Vendimi i Gjykatës së Tiranës u duartrokit nga deputeti Taulant Balla dhe u kundërshtua ashpër nga përfaqësuesi ligjor i Bashës në këtë çështje, Gazmend Bardhi. “Ky vendim i sotëm është qesharak. Ka folur Policia e Shtetit, tha gjyqtari dhe Taulant Balla nuk ka lidhje me këtë çështje. Ky është asgjësim i prokurorisë,” deklaroi Bardhi, i cili paralajmëroi apelimin e vendimit. Në seancën e 14 janarit, prokurori i çështjes Agron Gjana gjatë konkluzioneve përfundimtare u shpreh se nuk arrihej të provohej fajësia e Bashës, ndaj kërkoi pushimin e çështjes me argumentin se nuk plotësoheshin të gjithë elementët e veprës penale. Kreu i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla e cilësoi vendimin e gjykatës si historik. “Ne politikanët duhet të kuptojmë se përpara se të jemi politikanë, jemi qytetarë dhe duhet të trajtohemi njëlloj. Ky është një vendim historik për të cilin ne politikanët duhet të reflektojmë gjatë, i pari është Basha që duhet të reflektojë. Sot është shpallur fajtor,” reagoi Balla. Në qershor të vitit 2018, rreth 3.4 milionë euro u gjetën të fshehura në dy automjete “Toyota Yaris” në Portin e Durrësit. Disa ditë para sekuestrimit të tyre, Basha deklaroi në parlament se në një makinë tip “Toyota Yaris” që po udhëtonte drejt Shqipërisë ishte fshehur një sasi e madhe valute e garantuar nga një deputet socialist, të cilit Basha nuk ia përmendi emrin.
Haro je postin e prokurori te pergjitheshem po te kishen punuar e pavarur mund ta kishe3 fituar po ti bere te kunderten,shko atje ku ishe me pare emri yt do kujtohet per keq