fbpx

Aktualitet

KLP shmang nga SPAK krerët e Krimeve të Rënda





               Publikuar në : 14:25 - 16/07/19 |
mapo.alm

Këshilli i Lartë i Prokurorisë ka lënë jashtë listës së prokurorëve të përzgjedhur për të qenë pjesë e Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, kreun aktual të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe paraardhësin e saj.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë bëri publik të martën emrat e 15 prokurorëve që janë përzgjedhur si kandidatë për të qenë pjesë të Strukturës së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.


Në listën e miratuar nga KPK, mungon kreu i Prokurorisë për Krime të Rënda, Donika Prela dhe paraardhësi i saj Besim Hajdarmata. Jashtë liste kanë ngelur edhe dy prokurorët e dosjes së famshme 339, Vladimir Mara dhe Dritan Prençi.



Vlerësimi i kandidatëve është bërë nga Komisioni i Posaçëm i ngritur nga KLP për vlerësimin e kandidatëve për Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.


“Komisioni i Posaçëm ka vlerësuar letrën e motivimit, aktet rreth procedimeve penale të kandidatëve, [dhe] informacionet nga burimet e hapura , përveç dokumenteve të prezantuara nga kandidatët,” tha KLP nëpërmjet një komunikimi me median.

“Komisioni i Posaçëm ka vlerësuar kriterin profesional dhe të integritetit të kandidatëve dhe të vendosmërisë së kandidatëve,” shtoi KLP.

Raportet e Komisionit të Posaçëm janë dërguar në mënyrë nominale në Këshillin e Lartë të Prokurorisë, ku është miratuar lista prej 15 kandidatësh.

Në kandidatët e përzgjedhur nga KLP, e cila pretendon se e ka bërë vlerësimin duke u bazuar në kriterin e integritet dhe profesionalizmit, bie në sy prokurori Ened Nakuçi, i cili u cilësua si ‘joprofesional’ nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit gjatë procesit të rivlerësimit. Edhe pse KPK e konfirmoi Nakuçin në detyrë ai u referua për procedim disiplinor.

Përveç Nakuçit lista e prokurorëve të përzgjedhur si kandidatë për SPAK përfshin Anton Martinin, Elisabeta Imeraj, Arben Kraja, Doloreza Musabelliu, Klodian Braho, Enkeleda Millonai, Manjola Kajana, Edvin Kondili, Elida Kackini, Behar Dibra, Anita Jella dhe Bensik Muçi.

Nga lista e kandidatëve për SPAK të konfirmuar nga KPK janë Ended Nakuçi, Arben Kraja, Enkeleda Millionai, Behar Dibra dhe Bensik Muçi. Vendimi për Muçin është ankimuar nga Komisioneri Publik në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit./BIRN/


Etiketa: ,

Pas