Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar shkelje në Agjencinë Rajonale të Legalizimit, Urbanizimit dhe Integrimit të Zonave/Ndërtimeve Informale (ALUIZNI), Shkodër, gjatë auditimit për veprimtarinë e agjencisë në periudhën janar 2011-dhjetor 2012. Për këtë arsye, KLSH ka kallëzuar në prokurori ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër. Konkretisht, KLSH ka dërguar kallëzim penal në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Shkodër për 6 ish-përgjegjës sektori të këtij institucioni, G.L, E.SH., P.K., N.J., B.J. dhe F.P., me akuzën e shpërdorimit të detyrës për mangësi, shkelje e të meta që bien në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Sipas KLSH-së, ish-drejtuesit e ALUIZNI-t në Shkodër kanë shkelur ligjin me: “Moszbatimin e procedurave ligjore në mbledhjen, përpunimin dhe administrimin e të dhënave për ndërtimet pa leje, për mënyrën dhe afatin e kualifikimit të dokumentacionit të dosjes së legalizimit të objektit informal, për përgatitjen dhe dërgimin e dokumentacionit për kalimin e pronësisë së parcelës ndërtimore të objekteve informale nga Shteti tek poseduesi i ndërtimit pa leje si dhe shkaktimin e mungesës së të ardhurave në Buxhetin e Shtetit për fondin e kompensimit monetar për subjektet ish-pronarë, pra një dëm ekonomik në vlerën 177,832,630 lekë. Lejim të parregullsive në plotësimin e dosjeve, duke legalizuar objekte në kundërshtim me ligjin si: për 50 objekte (dosje) janë kryer procedurat e dhënies së lejes së legalizimit dhe kalimit të pronësisë (regjistrim në ZVRPP), për objekte ndërtimore të ngritura pa leje, në kundërshtim me ligjin nr. 9482, 03.4.2006 “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje”, i ndryshuar.” KLSH i ka kërkuar Drejtorit të Përgjithshëm të ALUIZNI-t fillimin e procedurave administrative e ligjore për dhënien e masës disiplinore “Ndërprerje të marrëdhënieve të punës” për ish-drejtorin dhe gjashtë përgjegjës dhe ish-përgjegjës sektori të ALUIZNI-t Shkodër.