Gjyqi i fundit që del në skenë për Tiranën dhe që duhet ta shlyer sa më shpejt është ai ndaj Alban Tafajit. Në fakt nuk bëhet fjalë për pagesa ndaj tij si ish-trajner, por për një biznes që është në pronësi të familjes së tij. Në sezonin 2011-2012 ai ka garantuar strehimin dhe ushqimin e një ish-futbollisti, konkretisht për italianin Françesko Pigoni.
Duhet saktësuar se nuk i përket kohës së Refik Halilit, por periudhës kur klubi administrohej nga Bashkia Tiranë. Por duke qenë se çështja në fjalë i ka kaluar të gjitha etapat gjyqësore, së fundmi ka mbërritur në fazën finale. Detyrim ky që komplikon situatën e Tiranës. Sikur të mos i mjaftonte “ultimatumi” ndaj Gjergj Muzakës (që shkon në 107 milionë lekë të vjetër), tashmë janë të detyruar që t’i likuidojnë edhe 15 milionë lekë të vjetër Tafajt.