Deputeti i PS-së Petro Koçi pas dëshmisë për më shumë se një orë përpara prokurorëve të SPAK-ut deklaroi përpara mediave se nuk do të heqë dorë nga denoncimet mbi influencën e botës së krimit për tenderat në Bashkinë e Fierit, por nuk pranoi që të jepte asnjë emër të kriminelëve, por përmendi LSI-në.
“Është një botë goxha e konsoliduar që kanë pastruar paratë. Unë jam një nga politikanët që kam guxuar dhe kam bërë edhe kallëzime penale disa herë. Gjatë fushatës u denoncua një gjyqtar. Unë jam politikan dhe e ndjej që bota e krimit në Fier është goxha influente, ky sensibilizim edhe për SPAK-un është shumë i nevojshëm”.
Por a ndihmohet krimi në Fier nga politika?
“Ju e dini që ka pasur lidhje të konsoliduara me politikën. Të tillë në marrëdhënie me LSI-në edhe ndikuan në rezultate zgjedhore, të fundit ndikuan. Sigurisht që unë për rastet që kam denoncuar edhe konkretisht i ripërmenda për të theksuar që kam një vullnet të palëkundur për të bashkëpunuar me drejtësinë”.
Por përse nuk rrëfen emrat e kriminelëve që kanë kërcënuar zyrtarët në bashkinë e Fierit?
“Unë jam politikan. Qëndrimet e mira nuk janë për të larë hesape me asnjë politikan, duhet të lajmë hesapet me botën e krimit. Ata ndikojnë edhe në financat publike përmes lidhje të drejtpërdrejta apo duke kërcënuar, unë jam shumë i bindur”.
Por cili zyrtar është kërcënuar?
“Jam i bindur në gjithë perceptimin tim politik, por edhe nga fakti që shumica e zyrtarëve në Fier nuk e kanë mirëpritur deklaratën time, që do të thotë se është e vërtetë dhe dhemb për disa. Nuk dhemb për PS-në pasi është distancuar”-tha Koçi.
LEXO EDHE:
“Duart e krimit mbi bashkinë e Fierit”, Petro Koçi shkon në SPAK