fbpx

Aktualitet

Koçiu: Arbitër ndërkombëtar, Rama e konsideron postin ‘tokë e xanun’






               Publikuar në : 10:41 - 21/09/19 |
mapo.al

Flet Mimoza Koçiu, analiste politike


Situata politike në vend vijon të jetë në krizë, ndërsa duket se palët kanë lënë disi pas akuzat e ashpra dhe po diskutohet gjithnjë e më shumë një tryezë politike. A mendoni se mund të ketë një zgjidhje të krizës nën imponimin e faktorit ndërkombëtar, apo palët në vend janë “ndërgjegjësuar” dhe mund të shkojnë vetë drejt tentativës për një zgjidhje?



Kjo qetësia e palëve në fakt lidhet me 18 Tetorin, ditën kur Këshilli Europian duhet të vendosë mbi hapjen e negociatave për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Të gjitha gjasat janë që Maqedonia e Veriut t’i hapë në Janar e Shqipërisë t’i vihen kushte, e me këtë opsion duket se janë paqtuar si Edi Rama ashtu edhe Lulzim Basha. Lënia pas e retorikës së fortë mes tyre, lidhet me faktin se kushtet që do vendosen për Shqipërinë do jenë baza për një dialog të ardhshëm, tashmë një detyrë ndërkombëtare shtëpie për palët. Personalisht nuk shoh “ndërgjegjësim” mes palëve, por edhe pas 3 dekadash pluralizëm, aktorët politikë kanë nevojë për një arbitër ndërkombëtar si garant.

Mbetet një nga krizat me shumë të panjohura, pasi në diskutim nuk është një çështje e vetme, por një mori problemesh. Cilat mendoni se duhet të jenë bazat e një marrëveshjeje të mundshme të qëndrueshme, pasi klasa politike ka treguar se është në gjendje të prodhojë konflikte, pavarësisht se ka pasur ndryshime kushtetuese, ndryshime të Kodit Zgjedhor me dakordësi etj., por sërish risjellin kriza, që këtë herë nuk është më vetëm politike, por edhe institucionale dhe sociale?

Mendoj se reforma zgjedhore mund të jetë vërtet pikënisja për këtë dialog, sepse aty përcaktohen rregullat e lojës e ato detyrimisht duhet të miratohen nga dy palët. Vijoj t’i qëndroj idesë së përcjellë po për gazetën tuaj në nisje të kësaj krize, se kushtet kokëforta nuk i shërbejnë dialogut. Palët duhet të ulen pa kushte e të tregojë vullnet se mund të kapërcejnë interesat partiake. Kushtet e identifikuara nga grupi parlamentar CDU/CSU i shoh shteruese, edhe për kërkesat e opozitës. Mund të shërbejnë si bazë për të shtrirë dialogun përtej reformës zgjedhore sepse adresojnë edhe rezervat për ecurinë e reformës në drejtësi.

Roli i politikës gjermane ka qenë mjaft i rëndësishëm në këtë situatë dhe duket se e njohin më mirë se cilido zyrtar i lartë në Bruksel situatën në Shqipëri, a mendoni se ajo që është konsideruar si “nëntë kushtet gjermane” për çështjen e negociatave është baza e diskutimeve mes palëve politike në Shqipëri?

Pikërisht ato 9 pika mendoj se i përmbushin edhe kërkesat e artikuluara publikisht nga opozita, pra mund të jenë baza efikase jo thjesht për t’u ulur të tryezë, por edhe për të arritur zgjidhje.

Deri më tani të paktën publikisht kryeministri Edi Rama vijon të mbajë qëndrimin se nuk do ketë zgjedhje të parakohshme dhe nuk e pranon që në vend ka krizë, nga ana tjetër, lideri i opozitës vijon me denoncimet, një lloj “fushate të parakohshme” në takime me qytetarë. A po përgatiten palët për zgjedhje të parakohshme dhe nëse ndodh, a ka garanci që qeveritë që do vijnë në të ardhmen të mos sjellin kriza të rënda siç ajo aktuale që po kalojmë?

Kryeministri më ngjan me dikë që i flet frikës së vet kur thotë se zgjedhjet e ardhshme do jenë në 2021! Në asnjë vend demokratik, data e zgjedhjeve nuk është e gdhendur në gur, pra e paprekshme, sepse varet nga mënyra se si ke përmbushur premtimet për të cilat je zgjedhur. Fatkeqësisht, z. Rama e konsideron postin si “tokë të xanun”, apo të marrë me qera për 4 vjet, kur nuk është aspak ashtu. Zgjedhjet e parakohshme po ndodhin në rajon e Europë e janë një fenomen krejt normal në demokraci, që dëshmon se udhëheqësit politikë janë të përgjegjshëm për rolin e tyre. Modeli që ndërtoi z. Rama me 30 qershor, ku vetë garoi, vetë administroi, e po vetë nuk arriti të përzgjedhë 61 kandidatë të pastër e pa probleme me drejtësinë, nuk ekziston në asnjë vend demokratik. Një kryeministër që e kontrollon tërësisht parlamentin e pushtetet e tjera, e nuk arrin të ketë afro 23 % pjesëmarrje në votime moniste, e votuesit e detyruar për të shkuar në kutinë e votimit iu zbuluan nga votat e pavlefshme, e ka të qartë se nuk mund ta çojë deri në fund mandatin e vet. 9 pikat e parlamentarëve të CDU/CSU janë pasqyra që vetë z. Rama ka ndërtuar në 6 vitet e qeverisjes së vet. Edhe Lulzim Basha e ka të qartë që zgjedhjet e parakohshme janë alternativa e pashmangshme. Mendoj se të dy po përgatiten për to në partitë respektive. Shmangia e krizave të ngjashme në të ardhmen do vijë nga dhënia fund e pandëshkueshmërisë e natyrisht e ndarjes së krimit nga politika. Reforma në Drejtësi, sidomos SPAK e BKH i shoh si mekanizmat për ta arritur këtë.


Etiketa: ,

Pas