fbpx

Editorial

Koha e të vërtetës për PS-në, PD-në dhe Shullazin






               Publikuar në : 09:26 - 20/04/16 |
mapo.al

Fitim ZekthiNga Fitim Zekthi


Në librin “Testamenti i shpresës: Shkrime dhe fjalime kryesore” Martin Luther King, udhëheqësi legjendar i lëvizjes për të drejta shoqërore në SHBA, thotë “… vjen një kohë kur të duhet të marrësh një pozicion që nuk është as i sigurt, as politik dhe as i pëlqyeshëm, por duhet ta bësh sepse thellë fare thellë, ndërgjegjja të thotë se ai është i drejti”.



Martin Luther King, që udhëhoqi një lëvizje mahnitëse kundër një sistemi të menduari, sistemi dhune dhe pushteti shekullor besonte se njeriu në një pikë të caktuar, kur gjërat të kishin tejkaluar çdo kufi, do të arrinte të dëgjonte diçka së brendshmi dhe t’i bindej asaj.

Në Shqipëri, ditë pas ditë po dëshmohet se sensi i të vërtetës po humb me shpejtësi të pamendueshme, duke mos lejuar askënd të kuptojë diçka nga e vërteta. Një reale më reale se sa realja siç do ta quante filozofi i njohur Jean Baudrillard, që prodhohet nga politika dhe mediat është e vetmja e vërtetë.

Jemi praktikisht në totalitarizëm, në përpjekje për të kontrolluar mendjen e njerëzve me anë të prodhimit të kësaj realeje. Prej dy ditësh që kur u ndalua nga policia (ose prokuroria), Emiljano Shullazi, një emër emblemë vitet e fundit për krimin në vend, gazetarë, opinionistë, njerëz të televizionit, zëra të tjerë, po përpiqen të prodhojnë si gjithnjë një reale më reale se sa realja, pra një të pavërtetë të shëmtuar.

Emiljano Shullazi po cilësohet si një njeri i botës së krimit, që ka pasur mbështetjen e të dyja partive të mëdha PS-së dhe PD-së, si një njeri që është favorizuar nga të dyja partitë dhe se këto vite tranzicion kanë prodhuar këtë bashkudhëtim të krimit me politikën.

Është në natyrën e ligjërimit totalitar përgjithësimi në dëm të logjikës. Studiues të njohur të gjuhës dhe komunikimit në komunizëm, fashizëm, nazizëm si Klemperer, Nevezhin, Fideliues etj., thonë se kjo lloj gjuhe mundëson fshehjen e të vërtetës, mospranimin e dështimit, justifikimin e masave ekstreme dhe shmangien e përgjegjësisë.

Opozita mund të kritikohet për shumë gjëra, mund të kritikohet pse nuk ka pasur një fokus me të gjerë te vetja, pse nuk ka arritur të përvijojë një grup idesh, program dhe veprim që të shihen nga publiku si bartëse të shpresës për të nesërmen, por opozita nuk mund të kritikohet se ka qenë bashkëpunuese me krimin.

Ka thuajse tre vjet që opozita ka thënë të vërteta të mëdha dhe të frikshme. Ka po kaq kohë që opozita denoncoi konkretisht emërime që vinin nga bota e krimit në polici, në këshilla qarqesh, në zyra antikorrupsioni, dogana apo tatime. Vetë qeveria pranoi disa raste. Opozita bojkotoi parlamentin për gjashtë muaj duke kërkuar dekriminalizimin e tij.

Të vërtetat e denoncimeve të saj në lidhje me parlamentin janë të provuara dhe disa deputetë janë në gjyq, kanë lënë mandatin apo mund ta lënë atë.

Opozita denoncoi trafikun me avionë të drogës, trafik që u qesëndis. Qeveria ngriti një komision hetimor të drejtuar nga deputetja Ermonela Felaj, për të vërtetuar pavërtetësinë e akuzave të opozitës, në lidhje me trafikun me avionë.

Komisioni i saj u quajt nga kryeministri “komisioni i vetëm hetimor i 25 viteve, që ka arritur një rezultat konkret”. Ai komision tha që trafik droge me avionë ka mundësi të ketë ndodhur në kohën e qeverisë së Berishës, por jo ne qeverinë e tashme. Më pas ra avioni apo u panë avionë të tjerë dhe komisioni historik Felaj, u zhbë si i tillë.

Në lidhje me Shullazin, opozita këto tre vjet ka bërë denoncime për gjithçka. Ajo ka folur për lidhje të tij me ministrin e Brendshëm, madje për vënie në shërbim të ministrit. Shullazi ka kërcënuar deri edhe kryetarin e PD Lulzim Basha, duke i kërkuar deputetes së atëhershme Volana Ademi, t’i përcillte Bashës kërcënimin.

Nuk ka pasur seancë parlamenti që PD nuk ka denoncuar ministrin e Brendshëm për lidhje me Shullazin. Shullazi ka qenë i padënueshëm nga dikush tjetër, veç opozitës. Ai ka qenë i paprekshëm nga policia.

Ideja se për Shullazin janë përgjegjës të dyja partitë është tipike totalitare.

Kjo totalitare që përdoret sot nga media apo nga politika është përdorur po kaq shëmtuar edhe në rastin e deputetit Arben Ndoka, teksa thuhej se ai ka qenë zyrtar lokal në qeverisjen e PD-së. Pra për deputetin Ndoka qenkëshin përgjegjës të dyja partitë.

Këtë lloj totalitareje ngriti edhe komisioni Felaj, që thoshte se në kohën e PD bëhej trafik droge me avionë. Asnjë demokraci nuk mund të jetë e tillë, në qoftë se qeveria nuk do të mbajë përgjegjësi për atë që bën dhe asnjë qeveri nuk do të mbajë përgjegjësi për ndonjë gjë, në qoftë se përgjegjës janë të gjithë.

Është koha kur gjithkush duhet të marrë një pozicion dhe të dëgjojë thellë atë që vjen nga ndërgjegjja e tij, pavarësisht se ky pozicion mund të jetë i vështirë.

Përndryshe kemi të bëjmë me ndërgjegje shumë më të paqena se sa ato të Ku Klux Klanit, të cilat qenë të vetmet që ruajtën pozicionin që kishin edhe gjatë lëvizjes për të drejtat e njeriut, të drejtuar nga Martin Luter King. Ku Klux Klan e ruan edhe sot atë ndërgjegje.



CLOSE
CLOSE
Pas