Editorial

Kohë e mirë për paudhësi





Bëni LIKE faqen zyrtare në Facebook
               Publikuar në : 20:08 - 25/05/20 |
Mapo.al

Qysh se nisëm të izolohemi prej pandemisë, edhe pse me një farë ngadalësie të qeverisë, e cila ditët e para të alarmit i shpenzoi me ironi dhe sulme ndaj opozitës dhe medias që kërkonin vemendje dhe marrje masash, disa paudhësi të forta kanë ndodhur.


Masat drakoniane, për të cilat Rama krenohet, dje madje gjeti rastin të qesëndisë edhe Suedinë që na vjen anash në këtë lëmë, kanë penguar shumë njerëz, shumë biznese, sipërmarrje, shumë aktiviteve, e kanë ngrirë jetën për gati dy muaj, por ama, ato fare nuk e shkurajuan qeverinë të bënte disa mëkate jo fort të vogla.


Në vend se të jepte shembullin, se ajo vetë është e ndjeshme, është model, është e qytetarëve për qytetarët, krejt në të kundërt i futi disa tendera sekrete. Një dyzinë tenderash, për të cilat askush s’duhet të dijë asgjë. Kjo e justifikuar me situatën e pazakontë që po kalonte vendi. Mirëpo, a duhej pra të bëheshin 16 procedura sekrete, kur e famshmja pandemi, nuk ishte ploja që paralajmëroi Rama se do linte kocka e kokalla kësaj ane, por ndoshta nisur nga statistikat, më i dobëti grip që ka prekur dhe ka marrë më pak jete se çdo flamë që bie çdo vit në vend.


Qeveria që po shpëtonte jetën e njerëzve me heroizëm, me netë pa gjumë, gjeti pandeminë si një mundësi të mirë për të bërë këtë prapësi, 16 tendera disa milionë euroshe larg syve të publikut, larg medias, larg institucioneve monitoruese. SPAK flitet se ka nisur hetimin, por asnjë e dhënë e re. Dhe ndërkohë, një perde e lehte harresë ka rënë mbi këto abuzime.


Pse? Sepse nisi e mori jetë një tjetër paudhësi, edhe më e madhe. Kur njerëzit ende detyroheshin të lëviznin me orare, kur kufizimet ishin në fuqi, duke zbardhur 17 maji, qeveria çalltis sërish me shembullin e keq, të kundërtën e saj që propagandon, duke dërguar disa taborre me burra e gra ngjeshur, pa ruajtur asnjë distancë, po edhe asnjë normë humane, për të bërë pluhur e hi një ndërtesë historike, dhe duke marrë zvarrë shumë protestues, të rinj, artistë, dhe gazetarë.

Si ka mundësi që pandemia, rreziku i madh që lajmëronte Rama, kur shprehej se armiku i padukshëm përgjon dhe është pas dere, nuk e ndaloi atë të bënte një grumbullim aq masiv njerëzish dhe force, në mes të Tiranës, që është zona më e kuqe, me e ekspozuara në vend prej Covidit.

A ishte zhdukur armiku i padukshëm me 17 maj? Rama nuk e ka dekretuar këtë ndodhi. Nëse ai i tmerrshmi, i padukshmi armik ishte edhe me 17 maj prezent, pse duhej ndërmarrë një risk kaq i madh, ku mund të ishin infektuar mijëra vetë?

Mos po rrezikonte Teatri sigurinë kombëtare, mos ishte fabrikë droge, mos ishte streha e kartelit të frikshëm të Ballkanit? Apo ishte thjesht ajo, pandemia si një e artë mundësi, për një të madhe paudhësi.

Prej mesit të Marsit e këndej, rilindja frenoi pothuajse çdo gjë. Sekush duhej të merrte një autorizim për të bërë diçka. E vetmja gjë që nuk u ndalua dot ishin paudhësitë e qeverisë. Madje, nga ato të mëdhatë.

 

 

 


Etiketa: , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas