Drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) Rezana Vrapi përmes një video-mesazhi ka dhënë disa detaje për maturantët në lidhje me strukturën e testit të Maturës Shtetërore 2020.
“Testi i Maturës Shtetërore 2020 do të bazohet vetëm në pyetje me alternativa. Kohëzgjatja e tij do të jetë 2 orë dhe në total, numri i pyetjeve do të jetë 60”,- nënvizon ajo në video-mesazh dhe sqaron më tej strukturën e testit:
“Është llogaritur që pyetjeve me alternativa u duhet më pak kohë se sa pyetjeve me zhvillim. Prandaj, ka një kohëzgjatje deri në 2 orë dhe jo 2 orë e gjysëm. Janë hequr pyetjet ese nga pjesa e gjuhës së huaj dhe gjuhës shqipe.
Dhe i gjithë testi do të bazohet vetëm në pyetje ku nxënësit do ta përzgjedhin përgjigjen. Pra, nuk do ta shkruajnë atë. Koha është e mjaftueshme”,-shprehet Vrapi ndërsa nënvizon se “nga përvoja që ka QSHA dhe pilotimi që është bërë, gjykohet se të gjitha pyetjet janë të realizueshme brenda këtij orari, pra brenda 2-orëshit”.
“Patjetër që ka pyetje që duan më pak kohë se sa 1 minutë, sikurse ka edhe pyetje që mund të duan 1-2 minuta”, thekson ndër të tjera Drejtoresha e QSHA.