Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) këtë të shtunë ka lënë në fuqi masën e sigurisë “arrest me burg” për babanë e Arbër Çekajt, Selim Çekajn.
GJKKO ka vendosur të mbetet në burg Çekaj edhe pse SPAK kërkoi lehtësimin e masës së sigurisë nga “arrest me burg” në “arrest shtëpie”.
SPAK kërkoi masën e “arrest në shtëpi”, duke arsyetuar se nga të dhënat e deritanishme nuk ka prova që ai të jetë i përfshirë në çështjet e trafikut të drogës. Sipas prokurorit, derisa të kryhen hetimet, Çekaj duhet të qëndrojë në “arrest shtëpie”.
Ndërkohë Çekaj pretendon se nuk ka lidhje me ngarkesën e drogës, ndërsa si argument për t’u liruar nga burgu, ai përdori problemet shëndetësore, si dhe të kujdeset për bashkëshorten e tij.
Ndërsa i biri, Arbër Çekaj ndodhet në qeli dhe i dënuar me 14 vite, pas gjetjes së 613 kg kokainë po në kontejnerët me banane.
Kërkesa e Selim Çekajt për t’u liruar nga qelia ishte parashikuar të mbahej këtë të premte, por trupa gjykuese vendosi që vendimi për të, të merret ditën e sotme, e shtunë, duke rrëzuar kërkesën e SPAK që kërkoi lirimin e të moshuarit dhe lënien e tij në arrest shtëpie.